Namik Selmani |
Lulet e zemrave
Në kujtim të Heroit të Kombit Zahir Pajaziti
Në se thahen dimrave petalet e luleve të kurorës,
Janë lulet e zemrave të flakëruara që nuk vyshken.
E bjeshkë më bjeshkë zbardhin plisat e Kosovës.
E varri yt bëhet për ne si fole për dallandyshe.
Nëse trokojnë ngadalë e dhimbshëm ca hapa invalidi.
Dhe paterica rëndohet gjakshëm në pëllëmbën e dorës.
Do të marrim si flakadan kujtimin tënd, o Zahir Pajaziti.
Të mbjellim si lulëkuqe pragjet ëndërrçelura të Kosovës.
Në se do të shohësh pikëlotin në sytë e një Lokeje.
Dije se do shpërthejnë kudo qindra piskama shpirti.
E do të trandet nga palcë dheu çdo plis i kësaj toke,
Kur të zgjohen kullat për ty, o legjendari Zahir Pajaziti.
E shkronjëshqipet të bëhen shatërvanë për zemrat e lira
E bekimi i luftëtarëve të na rrezatojë bash si qielli.
Bri pushkës grykënxehtë do të vëmë abetare dhe libra
Të mundim retë sterrane që na shfaqen tek qielli.
Mbase do të na shijojë më mirë kafeja dhe çaji
Do na duket më i dashur guri çajupian te rrugica.
E tymi i cigares së Bacës ballëmenduar te varri,
Të na dërgojë në sinorë nderimi për Dritën e Dritës.
E kur heshtja të na kapë si një lak i shtrënguar litari
Me ty vrik do të rizgjojmë duhma sakrifice
Të mos e përkëdhelim veten si macja në hi zjarri.
Po të thërrasim në konakë amanete trimash në vite.
Boston, 3 dhjetor 2019
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen