Montag, 16. Dezember 2019

Katër poezi nga Preng Maca

Preng Maca

NGJARJE E PARASHIKUAR

kur të vdes,
jam i sigurt, se do të vijnë të gjithë
ata që më deshën dhe ata që nuk më deshën
do të ma lavdërojnë poezinë
(të dytët), do të thonë,
se kisha një brendi të thjeshtë , të një shpirti të madh
se kisha një gjendje, si të shiut në verë
dhe një dashuri, që nuk prante asnjëherë
shumë trëndafila, margarita e ca zogj, si në pranverë
pyje dhe det e fusha , lumenj që ecin paprerë...
profilin e një vajze, që e ka dashuruar përherë.

do të thonë gjëra, që nuk i kanë thënë kurrë më parë
pastaj do të afrohen,
duke e vënë dorën, lehtë, mbi ballë,
për të qenë të sigurtë në vdekjen time të pabujshme,
nga frika e ringjalljes së mundshme.

unë nga inati do të bëj ç`është e mundur
ta hap pak syrin, e t'i tremb për vdekje,
gjoja,…se jam gjallë.



LUTJE

Atdheu im i shtrenjtë
të lutem ndërroje emrin
bëje Mëmëdhe
bëhu Nënë,
(se nënat i njohin bijtë.)
e të ndash kopilat nga bijtë tuaj të vërtetë!
të lutem Atdhe!



TREG

shitësit e butikëve përpiqen të shesin veshmbathje
botat me ujë Selite ,shesin ujë
fshatarët dalin të shesin perimet e stinës,
blegtorët shesin qumështin,
kasapët mishin e bagëtive
gjykatësit …shesin drejtesinë,
politikanët shesin …Atdheun tim Shqipërinë



FJALË PËR TY

Kur jam me ty,
kur flas me ty,
kur mendoj për ty,
kur shoh ëndrra me ty…
ti je gjithkund!
Shumë të dua dhe trembem
mos ndodh e të humb!
Frikën time pa dashje,
si në një djep,
djalli e përkund!

Për "Sofra poetike", poezitë i përzgjodhi Zekerija Idrizi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen