Dienstag, 17. Dezember 2019

Gjashtë poezi nga Haxhi Muhaxheri

Haxhi Muhaxheri - Portret nga Ilaz Bylykbashi, 1990

KUR SHFAQET HËNË E PLOTË

Ata e mashtruan krejt botën
për ta gënjyer sëfundmi njëri-tjetrin

Më pas thonjtë i thyen mbi pasqyrë
duke provuar t'ja shqyejnë fytyrën vetes

Tash - diku në Ishullin e të Marrëve
ditëpërditë vrapojnë pas mjegullës

Dhe thonë se janë dy e tre bëhen
Sapo në qiell të shfaqet hënë e plotë



PRINDËRIT

Ata janë tmerrësisht të pamëshirshëm

Harrojnë dhe Zotin kur bëjnë sherr
e n'jetë na sjellin me shumë dashni
për të na lënë vetëm

Vetëm për të na lënë
qyqekall vetëm

kur të ikin



KAM FRIKË
TË PUTH VDEKJËN

Pse më vjen kaq shpesh ëndrrave moj
si një lëneshë me zjarrin ndezur shpirtit

Kam frikë të puth vdekjën 
pa lënë një amanet

15 nëntor 2019



NDEZ QIELLIN ME FJALË
(Mikut tim, poetit Hekuran Miraka)

Emrat dhe mbiemrat
Na fillojnë me të njëjtat shkronja
Por të njëjtë nuk jemi për besë

Unë rri më afër me Zotin
E Ai larg e më largë prej tij

Flet rrëmujshëm me romuze
E qesh dhe kur duhet qarë

Po ore po
Ai është më tepër se djall
Ndez dhe qiellin me fjalë

Është ashik gopçar përdreq
Dhe hekur që shkrihet lehtë
Në sytë e Lule Vjollcës

6 shtator 2019



Ç'MË KE BËRË ?

Ç'dreqin më ke bërë
që kam harruar të plakem,
grua - moj shejtankë ?

Bobooo,
sa kam frikë të vdes i ri.

Më ndihmo o Zot !



ÇMENDURI

Përbesë 
ne jemi çmendur e dashura ime

Po po
të çmendur jemi ne te dy moj
krejt të çmendur

Çdo ditë 
vrasim njëri-tjetrin me dashni
duke dëgjuar simfoninë e gjetheve

me sy mbyllur

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen