Donnerstag, 28. Februar 2019

Pesë poezi nga Rakela Zoga

Rakela Zoga

Në natë!

Të gjeta në natë, ku flenë dhimbjet.
Pikëllimi lodron ëndrrave të vyshkura.
Pa zhurmë I afroj hapat e mallit,
Të flas nën qerpik, me buzëqeshje të ngrirë.

Mundohem të belbezoj, fjalë dashurie.
Të pathëna, të padëgjuara ndonjëherë.
Kam frikë se fle edhe të trembin,
Veten pyes, ti le në gjumë apo ti sjell.

Nguroj, ëndrrën e lotit, zgjoj për ty sonte.
Në pritje të agimit, që vonë do të çelë. 
Vargun e gjatë të mendimeve fsheh zemra.. 
Gënjeshtare ëndrra, gjithë shpirtin ma vjedh..



Bie shi!

Në trishtim fryn erë, brenda zemres
Trokitjet dëgjohen si gurgullima..
Ngre dorën ti mbështjell,
Vetminë sperkatin me oshetima.

I përshëndes me zgjimin e lotit,
Në një trup bojqell,e kaltert dhimbja.
Krahët mbeshtillen rreth vetes
Pa përqafim e gishta..

E bere prush, perveloj, ditët netet
Gjithshka që të fala ty. 
Enderimi luan në flakë, 
Shkrumb ajo portë, që të futi në gji..

Jashtë edhe brenda, gjithkund bie shi..
Natyre mbuluar lote, dëbuar ty!!



Lundroj

Ti deti, unë varka..
Lundroj e s'gjej kthim.
Me mbyt të lutem,
me valë përqafim..

Të thella puthjet.
Notojnë veshur bulza.
Krahët e kalterta,
I ndiejnë si flutura..

Kane mall buzët 
Në dallgë përkëdhelite..
Në buzën e bregut,
I derdhem mërzite..

Veshtroj nga larg erën
Strukur tek ty det. 
Mjelme e bardhë sonte,
Nesër s'di ç'më pret..



E dashura ime!

Nata është e dashura ime.
I ulem pranë, si në prehër dashurie.
Veshur pelerine ëndrrash,
Fryn era e kujtimeve..

Të thermuara puthjet.
I tejdukshëm mendimi.
Përqafuar mall, ku luan trishtimi.

E flas, me të dashurën time..
Shendrohet në qelq.. 
Mi thyen dhimbjet, buzeqesh..

Nga larg, fryn erë veriu..
E bjeshkët ngrënë krye..
Qenka mall dashurie...



Prej ëndrre!

Të pashë me dikë tjetër mbrëmë në ëndërr.
Zgjateshe drejt meje, po s'me prekje dot.
Me ishe larg, e kishe ikur prej vërteti,
Me sytë e mbyllur, natës i dhuroja lot.

Hapa sytë, prane meje bëheshe gati,
Vijë drejt ëndrrës, që mbrëmë me ish ç'faqur.
Shtanga, ti i veshur ndryshe, bukur shumë.. 
Hidhje parfumin si të ishte ujë..

Të kujtova që të mungonte shalli..
U zgjata përsëri prej së gjalli..
E ledhatova, si kurrë më parë..
E çmendur isha, apo ç'isha vallë?..

Në natë ëndrra afrohej pa zhurmë,
Si puthja e dikurshme, që e doja shumë.
Tani, një lot dashurie, luan mes syve.
Me përcjell, me mallin e kaltert të stinëve..

Mittwoch, 20. Februar 2019

Poezi nga Sabit Abdyli

Sabit Abdyli


MELODI JETE

Shtegut të parkut i shihje të dy
një shëtitje dhe uleshin 
në stolin e drunjtë nën pishë
dy zemrat gdhendur në stol ua kujtonin rininë...
në vjeshtë njëri iku
një krah u këput
dy hapa të lodhur
kërrusur nën muzg 
mbas çdo pushimi mbështetur mbi bastun 
ndalen pranë stolit 
lënë një trëndafil të kuq

Shkurt, 2019



KËSHILLË

Dil nga orbitë i ngushtë mëhallësh,
Mos u lako e mos ik nga vetja!
Lajkatar e flamur ndërrues mos u bë,
Bëhu gonxhe malesh e fushash,
Pranverë e lulëzuar!
I gatshëm për të çelur në çdo stinë,
Luleborë e ushtar motesh të mëdha!

Janar 2018



NËNËS

Për fëmijët e lulet zemra i vlonte
Syrin rreze e shpresë
Në bebëzat saj si në syprinë liqeni
Nëntë pash të thellë
Shihja vetën vëllezërit motrat
Qilimin kuq e zi punuar në vegjë
Djepat bekonte me këngë 
E kënga ishte vetë Ajo

Fund janari, 2019



TARAF I TYRE

Betohen në popull e flamur 
qyl hanë e pinë 
këlyshët me takëm në dorë 
u bëjnë temena për një copë asht 
nëpër mot gromësirash 
i ziu ai që nuk di të leh 
të lëpijë e të ha qyl

Janar, 2019



DARDANINË ZONJË

(I.R)

Në barakë druri të premteve
alarmoi botën
i dashuruar pas lirisë
thjeshtë pa fjalë të mëdha
asnjë sharje armikut
i ftohtë akull me kundërshtarë
projektoi rrugën e kombit
dinte çka donte 
Dardaninë zonjë 
as nuk vërsulej as nuk u zmbrapsej
Fjalën e fundit se thoshte të parë
ecte sigurt me te njëjta kërkesa
me të njëjta fjalë
I dashuruar pas lirisë 
as njëherë nuk u thye
as ndërroi fjalë 

Auckland, janar 2012



TË NJOH MIRË

Fsheh të vërtetën 
lajka pafund
të më bësh të hesht 
mirë të njoh 
rrugët që thyen në ikje e ardhje 
ndërrim regjimesh
dhuratat
përulësinë 
qëllim përfitimesh padjersë
Të njoh mirë e nuk mund të hesht

Janar, 2019



NJË DITË

Amanet i lulëkuqeve nën dry
O mot katran i sojit të pangishëm
Patjetër do ikësh një ditë
Me vragë lie fytyrës kujtim 

Janar, 2019

Poezi nga Danel Cana

Danel Cana


ILAÇ ZEMRE

Ah moj zemër e plagosur,
Bekimin e botës paç.
Për dashurin e dreqosur,
Fol e shkruaj s’ka ilaç.

Një e bukur kësaj ane,
Që i pëlqen poezia...
Më trazoi shpirtin ngadale,
Shakarat më tha t’i lija.

Njerëz janë edhe poetët,
Gjak në deje ata kanë...
Shpirtin e tyre si letër,
Mos e prek se bën hatanë !

Mëso të vërtetën mike.
Kush të bën një poezi...
Dashurin si rreze drite,
E ka hedhur veç për ty.

Ta marrësh si një dhuratë,
Merre dhe mbaje në gji.
Ilaç për zemrën e artë,
Burim jete Dashuri.




- NJË PERRI

Koha, thashethemet të lanë të ve,
Larg nga syt e botës që nuk të kuptonte,
Si fshihet dhe Hëna shpesh ndënë re,
E dënove zemrën që të dashuronte.

Kaluan shum vite e vetme në jetë,
Buza jote vishnje një puthje s’provonte.
Trupi yt i bukur kërkonte dikurë,
Dorën e një burri mbi të, të kalonte.

“Perrit” s’i besoja, nuk i kisha parë,
Thoshin me ca naze të bënin t’i doje!
Si lum ai burrë që u ndodhej pranë,
Ngjiteshin për buze si mjalti në hoje.

Mbrëmjeve të verës shtrirë mbi çarçafë,
Dhe perdet e holla era valëzonte,
Formëzat e trupit, hënëza e artë,
Me cepin e syrit t’i fotografonte.

Një prekje e lehtë mbi cipën e bardhë
Nga koka tek këmbët të elektrizonte.
Dy gishta mbi buzë, rrëshqitur ngadalë,
Sisët majëlartë terrin natës shponte.

Një natë dhjetori hënëza mbi dritare
E shveshur, e plotë ta bënte me sy...
Koha pak e ftohtë pa menduar fare,
Për inat të hënës u shveshe dhe ti.

Koha pak e ftohtë, prushi digjte brënda,
Trupi yt i bardhë si statuj mermeri.
Sytë të shkëlqenin nga lot të ergjënda,
Nëse ëndërr ishte, s’kuptova i mjeri !

Një natë të bukur si kjo uroj të jetë,
Në detin e ndienjave zhytur pa menduar!
Do të lutem mike më fto sa më shpejtë,
Mua që me ty jam i dashuruar.




- TRËNDAFIL NË KRUA

Tek kroi i fshatit me dy cyla,
Dy trëndafil ishin të mbjellë,
Njëri i bardhë si vajzëria,
E pastër e frekët si ujë që rrjedh.

I kuqi si gjaku në krah të tij,
Tërhiqte shum, çiftet lakmonin,
E merrnin vajzat e fusnin në gji,
E mbanin për djalin që dashuronin.

Mëngjeseve pa gdhirë një vajzë syzezë,
Me gjymin në dorë rendëte në krua.
Me nazet e moshës që shum ja pëlqejë,
Tek trëndafili më ftonte dhe mua.

Më fliste gjoja për t’a ndihmuar,
Se gjëmbat fustanin i kishin zënë
Dhe unë i gatshëm i pa përtuar,
Me dorë i prekja trupin të tërë.

Ajo shkëputej si një sorkadhe,
Me sytë mbyllur buzën kafshonte.
Nga fjalët e botës nuk pyesja fare,
S’ka forcë të ndalë një zemër që donte.




- AMANI MË THONI

Vajzat shqipëtare,
i gjen si i do!
Të mira, duarata, 
bel-këputur-o,
Lum’ kush i ka dhe 
lum’ kush i do,
Lum’ ata beqarë 
që lozin me ‘to!
* * *
Aman për merak 
me to pak të rrija!
Me sy t’i shikoja, 
me dorë t’i zija!
Në këmbët e tyre 
shpirtin do ta lija!
Të qetë më lini, 
vuajtje zdo të dija.
* * *
Amani për nazet, mëndjen
ku ta lija!
Për sy e për vetull tek 
lidhet shamija.
Për gushën e bardhë 
gjerdanin t’i vija.
Për belin e hollë tek 
lidhet “peshlija”.
* * *
Në valle kur lozin, vetëm 
t’i shikoni,
Dridhen e përdridhen si 
pllakë gramafoni.
Gjilpërë në zemër ngulet 
po të doni.
Kush u ngop së pari...
amani më thoni !




- PËR BE E RRUFE

Fustani me lule, mëngët allafrënga,
E kishe dhuratë ta kish qepur nëna.
Trupi yt i bukur, kur të shihja veshur,
- Prit! - i thoshje Hënës, me buzë të qeshur.

- Prit! I thoshje Hënës,- dola unë e para.
Mos mi prish të lutem ëndërrat e rralla!
Ëndërrat e tua me të mijat ngjajnë...
Ëndërrat duan dritë, mbyllur dot s’i mbajmë!

Fustanin e bukur mëngët “zhapone”,
Të rinj dhe të vjetër pa mëndje i le.
Përmbi gju dy gishta, si hëna mbi re,
Pika që s’u ra, ... pa mëndje i le.

Qëllimisht përpara shkoje si rrufe,
Flokët që të ndrinin, i lyeje me se?
Përmbi mes të binin për ‘ta bënin be,
Shqerrkë qumështore, për be e rrufe.




- SA TË RROJ DO KËNDOJ

Dashuris i kam kënduar,
Edhe sa të jem i gjallë,
Do t’i thurë këngë dhe vargje,
Diell, Borë e Det me valë.

Mos kurse njeri i mirë
Kupën gjer në fund ta kthejmë,
Mbushur fjalë, kokriza pjalmi,
Çfar ka zemra ta rrëfejmë.

Sikur lulja që shkund pjalmin,
Nënë natyra e ka bërë,
Me ndiesin e ngrohtë zemra, 
Pa pjalmuar mos t’i lërë.




- S’SHITET BUKURIA

Më thoni o shokë kush gjeti shërimin?
Kush gjeti ilaçin për gjith njerëzimin?
Nga ta pres të vijë, ti hedh syt më parë,
Nga qielli i kaltër a dielli me zjarrë?

Nga malet e larta, a pyjet me vesë?
Nga honet e thella, a zallit të presë?
Do ti lë të gjitha në dorë të fatit,
Ballin lar në djersë moll e artë e fshatit.

Gjëja më e shenjtë ilaçi kërkuar,
Buza ngjyrë vishnje, syri vajzës shkruar.
Këtë bukuri të qiellit e tokës,
Si ju bëri dora ta shisni Evropës!

Vajzat, dashurinë, bukurin me derte,
Nuk i shesim dotë i kemi për vete.
Ai sy i bukur, çmuar si rubini 
Trashëgim e kemi botës mos ja lini.




- SI DËBOR NË DUAR

Ti mblidhja retë në dorë,
A me shi a me dëborë,
Përpara mikes ti çoja
Si stuhi do ta rrethoja.

Si dëbor të mbaj në duar
Ti shkrihesh, unë duke vuar,
Dhe veriu të na ngrijë,
Ti dëbor e re kërthinjë.

Në gjumë lulet mbuluar,
Dëbora qilimin shtruar.
Ashtu të flë edhe unë,
Dëbor ti, unë në gjumë.

Dienstag, 19. Februar 2019

Poezi nga Mirela Qerimi


Jeta nuk është lojë shahu

Unë gur shahu mund të jem,si ti e shumë tjerë.
Ndoshta mund të më rrëzosh e unë të rrëzoj dikë tjetër.
Por loja e fatit nuk fitohet nga të gjithë, vetëm se rrëzuam dikë.
Duhet të qëndrosh në këmbë e të bëhesh mbret i vetvetes.
Dikush mund të mendoj se jeta është një lojë shahu me rregulla që mësohen.
Se mund të fitosh nëse ke luajtur shpesh herë.
Por fitorja nuk i takon fitores ndaj sa rrëzojmë.
I takon vetëm ringritjes nga vetrrëzimi i vetvetes.
Një lojë shahu luhet nga dy e secili kërkon fitoren.
Jeta luhet nga shumë që lënë gjurmën në shpirt. 
Por fitorja i takon vetëm atij që s'i shmanget rrëzimit,
atij që pas çdo rrëzimi ringrihet më i sigurtë në shpirt.




Si një flutur nate

Nata e gjatë, një errësirë e paanë.
Mendimet të pafundme,
të bujshme ,si përherë.
Shiu litar që zgjatet e zgjatet.
Hëna dhe yjet fshihen,
diku,pas një reje të zezë.
Bota tashmë fle.
Unë jam akoma zgjuar.
Në cep të ballkonit si një flutur nate endem mendimeve .
Shkruaj për jetën,
për ditën që edhe sot më lodhi,
për shpirtin që asnjë s'm'a njohu vërtet.




Të mos bëhem shkak i një brenge

Sa shkela në këtë botë filluan të më thyejnë shpirtin.
Mbaj mend çdo imtësi ,qysh sa mbaj mend vetveten.
Sa herë mundohesha ta rimblidhja ,aq herë m'a rithyenin,
sa erdhi një çast që fillova të mendoj se gjithçka kish të bënte me forcën e shpirtit
dhe çdo thyerje ish një rindërtim i ri.
I zbrita menjëherë muret e shpirtit
dhe lashë çdo goditje të më përshkojë çdo grimcë të tij.
Në fund të çdo thyerje mblodha grimcat që ndriçonin.
I vura në vendin e tyre e më nuk m'u thyen.
Tashmë s'më bën përshtypje asgjë sa ndjej nga të tjerët.
Kujdesem të mos lëndoj njeri,
të mos bëhem shkak i një dhimbjeje,
të mos shuaj buzëqeshje nga shpirti,
të mos bëhem shkak i një brenge .




Jo është e vërteta që pak e gjejnë

Aty ku shkel, kam kohë që kam kaluar.
Mundohesh mes njerëzve të gjesh të vërtetën.
Mendon se vërtet jeton. 
Gëzimin e jetës e ndan me të tjerë.
Pret të t'përgëzojnë.
Unë, në të njëjtin monopat,pak më parë se ti kalova
por s'më mjaftoi sa pashë.
Në atë udhë fshihet një dilemë.
Duhet të ndash mendimet :
në ato që të shqetësojnë 
dhe ato që mbajnë shpirti të qetë.
Midis tyre një udhëkryq të bën të gjesh apo humbasësh vetveten .
Nëse shkel pragun e mendimeve mund të ngurosh.
Nëse fillon e ndjen ,do gjesh të vërtetën.
Atëherë fillon udhëtimi yt i vërtetë.
Do kuptosh se sa dije janë të pamjaftueshme për të vërtetën.
Ajo vetë do të mençuroj për sa kohë i beson dhe i ndjek hapat.
Pikërisht,aty do gjesh vetveten,
jo atë që mendoje se njeh.
Një vetvete që të bën të kuptosh njerëzit
e më nuk do të nevojitet të mundohesh t'u tregosh se cila je.
Në fytyrë do kesh të shkruajtur dritën e vetgjetjes,
një dritë që i fal fytyrës sy të dhembshur dhe buzëqeshje të pafajëshme.
Atëherë do ndjesh se jeton vërtetë,
kur shpirtrat e njerëzve do i ndjesh se rahin si një zemër brenda shpirtit tënd.
Ajo është e vërteta e vërtetë.




Në lojën e jetës

Shpesh herë mendoj se durimi im i çeliktë më bën një "gurë shahu".
Në lojën e fatit i ndjej të ashpra e të pamëshirëshme goditjet në shpirt.
Ligësia e mosmirënjohja e shpirtrave që akoma s'njohin vetveten me durimin tim ndeshen;
Godasin me pabesi,egoizëm e bukëshkalësi!
Vjen një çast që gjithë ajo ligësi u thyen vetveten.
Kur më shikojnë në sy dhe kuptojnë se më dhimbsen vërtet,dorëzohen.
Përpara durimit dhe dhembshurisë sime si në pasqyrë shikojnë vetveten që nuk i lash ta humbin.
Pendohen edhe pse me zë se thonë,
por u shikoj një dritë që sapo u ndizet në sy!
U mbetet peng në shpirt sjellja e tyre ndaj meje.
Edhe vetë nuk mund ta kuptojnë si munda e i durova kaq shumë.
Para syve të mi rilind drita e shpresës në shpirtin e tyre
e unë harroj dhimbjen që më shkaktuan e i fal në sekondë.
Ku të jeni ato çaste të shikoni si u ndryshon fytyra!
Pafajësia rikthehet në çastin kur i fal me gjithë shpirt.
Një buzëqeshje fëminore buis mbi fytyrën e rilindur
e unë ndjehem e lumtur që durova dhimbjet dhe padrejtësitë!
Mirë është të mos gjykojmë asnjë.
Edhe pa folur, mjafton një shikim për të ndezur gjakrat.
Por durimi i mirësishëm buron nga vetnjohja dhe dhembshuria .
Ai është pasqyra ku vetgjykohen shpirtrat e përhumbur 
e unë një gurë i thjeshtë shahu në lojën e jetës duroj sa të rizgjohen.
Prandaj , sa herë më vrasin shpirtin them:
"Të kam falur me gjithë shpirt nëse dikur do pendohesh!"
e pa e kuptuar rizgjohem brenda çdo rizgjimi që fal durimi im...




E di se atë çast do rilind

Në ëndrrat e natës mendoja se do i gjeja fillin së vërtetës.
Mezi prisja të errej e të mbyllja sytë.
Të humbisja pafundësisë së panjohur që më joshte aq magjikshëm
e kur udhën nisja, në zgjim nuk doja të kishte kthim.
Sa herë jam ndjerë midis dy botëve 
e të dyja i shikoja e ndjeja si me dy gjysma shpirti!
Më dukej e çuditëshme që mundesha të dyja i dëgjoja,
sikur përjetoja dy ndjenja e ndjesi të njëkohëshme! 
Kur vinte dita,mrekullohesha me tingujt e saj!
Gjithçka përreth e ndjeja si një sinfoni magjike!
Edhe hapat e njerëzve më bridhnin veshëve si tinguj të artë
dhe fëshfërima e gjetheve më ngjante si violinë virtuoze!
Fërfërimat e flladit më përkdhelnin kujtimet e ëmbla.
Në çdo gurgullimë ndjenjash freskoja aromën e shpirtit,
por prapë, nuk më mjaftonte të ndjeja se jetoja vërtetë
dhe se jetën se gjeja përtej zgjimit.
Sa dritë shpirtrash pashë të ndizen e shuhen pranë shpirtit tim!
Sa herë zhgënjimi më la aromë me shije hidhërimi!
Dhe prapë një dritë magjikshëm më tërhiqte drejt vetes,
vetëm symbyllur mundesha ta shikoja e ndjeja në shpirt.
Mendoj se ,ndoshta kjo jetë është ëndërra e pazgjuar
dhe ne endemi duke kërkuar dritë.
Ndoshta ajo dritë më tërheq edhe mua nga kjo botë e kalbur,
që vlerën e shpirtit rrallë e kuptoi njeri!
E di se atë çast do rilind...
________
Përzgjodhi: Ismet Tahiraj

Xhevdet Berisha: KUJTIMET E ZVERDHUTRA

Xhevdet Berisha


KUJTIMET E ZVERDHUTRA

As ëndrrat na ndanin dikur
bjeshkë e dete zvogloheshin
përball nesh... e dielli
na buzqeshte në vetull

Por... krejt papritmas
një rrufe e madhe zbriti nga qielli
dhe dogji të gjitha gjethet e rëna
rrugëve që ne ju dham emër

Tash... asgjë më s'ka mbetur
Edhe kujtimet janë zverdhur
E globin pushtuar e ka harresa

15.02.2019

Freitag, 1. Februar 2019

Hajdin Morina: ARBËRIA TË RRJEDH NGA SYTË

(Me rastin e vendosjes së bustit 
të Gjergj Kastriotit në Klinë)

Kemi dalë me t'pritë vonë,
mirë se erdhe Imzot.

Ishte kaq i gjatë
efekti i ilaçit të keq perandorak,
marramendje frynte, ikje.

Mirë se erdhe sot, Imzot.

Arbëria jote të rrjedh nga sytë,
siç rrjedh nga dielli dritë.

Kemi dalë me t'pritë vonë,
mirë se erdhe, Imzot.

Mikel Gojani: MBERRITI GJERGJI NË QYTETIN TIM

1.
Në qytetin tim
Sot ka mbërritur Gjergji!

Nuk ka munguar
As gjatë tërë shekujve;
Bartur është
Në thellësinë e urnës 
Së Lulekuqeve të Rrashtës
Së kësaj Toke Arbërore!

2.
Megjithatë,
Gjergji ka mbërritur sot,
Në vendin e Tij,
Pas një kaptimi të gjatë.

Kishte kaluar male,
Brigje të larta 
Kishte kaluar.

Ishte i lodhur
I molisur ishte,
Koha kishte rënduar 
Mbi shpirtin e tij të shenjtëruar.

Nuk kishte krenarinë,
Që kishte pasur dikur,
Shikimi i tij kahen mori,
Kah lartësitë qiellore
Pa horizontin e pafund
Kishte marrë ngjyrë të mugët.

​Edhe loti
Si një kristal 
Sikur pshëretinte në heshtje;
Heshtja, pra, 
Ishte britma e Tij
Më e thellë!

3.
Gjergji na u drejtua:
“Mbajeni një Kuvend,
Siç mbajta
575 –vjet më parë,
Diellin ta zëni në përqafim!

Hapeni qiellin
Koha 
Eshte armiku me i madh
Ajo nuk pret!"

Klinë, 1 shkurt 2019