Mittwoch, 20. Februar 2019

Poezi nga Danel Cana

Danel Cana


ILAÇ ZEMRE

Ah moj zemër e plagosur,
Bekimin e botës paç.
Për dashurin e dreqosur,
Fol e shkruaj s’ka ilaç.

Një e bukur kësaj ane,
Që i pëlqen poezia...
Më trazoi shpirtin ngadale,
Shakarat më tha t’i lija.

Njerëz janë edhe poetët,
Gjak në deje ata kanë...
Shpirtin e tyre si letër,
Mos e prek se bën hatanë !

Mëso të vërtetën mike.
Kush të bën një poezi...
Dashurin si rreze drite,
E ka hedhur veç për ty.

Ta marrësh si një dhuratë,
Merre dhe mbaje në gji.
Ilaç për zemrën e artë,
Burim jete Dashuri.




- NJË PERRI

Koha, thashethemet të lanë të ve,
Larg nga syt e botës që nuk të kuptonte,
Si fshihet dhe Hëna shpesh ndënë re,
E dënove zemrën që të dashuronte.

Kaluan shum vite e vetme në jetë,
Buza jote vishnje një puthje s’provonte.
Trupi yt i bukur kërkonte dikurë,
Dorën e një burri mbi të, të kalonte.

“Perrit” s’i besoja, nuk i kisha parë,
Thoshin me ca naze të bënin t’i doje!
Si lum ai burrë që u ndodhej pranë,
Ngjiteshin për buze si mjalti në hoje.

Mbrëmjeve të verës shtrirë mbi çarçafë,
Dhe perdet e holla era valëzonte,
Formëzat e trupit, hënëza e artë,
Me cepin e syrit t’i fotografonte.

Një prekje e lehtë mbi cipën e bardhë
Nga koka tek këmbët të elektrizonte.
Dy gishta mbi buzë, rrëshqitur ngadalë,
Sisët majëlartë terrin natës shponte.

Një natë dhjetori hënëza mbi dritare
E shveshur, e plotë ta bënte me sy...
Koha pak e ftohtë pa menduar fare,
Për inat të hënës u shveshe dhe ti.

Koha pak e ftohtë, prushi digjte brënda,
Trupi yt i bardhë si statuj mermeri.
Sytë të shkëlqenin nga lot të ergjënda,
Nëse ëndërr ishte, s’kuptova i mjeri !

Një natë të bukur si kjo uroj të jetë,
Në detin e ndienjave zhytur pa menduar!
Do të lutem mike më fto sa më shpejtë,
Mua që me ty jam i dashuruar.




- TRËNDAFIL NË KRUA

Tek kroi i fshatit me dy cyla,
Dy trëndafil ishin të mbjellë,
Njëri i bardhë si vajzëria,
E pastër e frekët si ujë që rrjedh.

I kuqi si gjaku në krah të tij,
Tërhiqte shum, çiftet lakmonin,
E merrnin vajzat e fusnin në gji,
E mbanin për djalin që dashuronin.

Mëngjeseve pa gdhirë një vajzë syzezë,
Me gjymin në dorë rendëte në krua.
Me nazet e moshës që shum ja pëlqejë,
Tek trëndafili më ftonte dhe mua.

Më fliste gjoja për t’a ndihmuar,
Se gjëmbat fustanin i kishin zënë
Dhe unë i gatshëm i pa përtuar,
Me dorë i prekja trupin të tërë.

Ajo shkëputej si një sorkadhe,
Me sytë mbyllur buzën kafshonte.
Nga fjalët e botës nuk pyesja fare,
S’ka forcë të ndalë një zemër që donte.




- AMANI MË THONI

Vajzat shqipëtare,
i gjen si i do!
Të mira, duarata, 
bel-këputur-o,
Lum’ kush i ka dhe 
lum’ kush i do,
Lum’ ata beqarë 
që lozin me ‘to!
* * *
Aman për merak 
me to pak të rrija!
Me sy t’i shikoja, 
me dorë t’i zija!
Në këmbët e tyre 
shpirtin do ta lija!
Të qetë më lini, 
vuajtje zdo të dija.
* * *
Amani për nazet, mëndjen
ku ta lija!
Për sy e për vetull tek 
lidhet shamija.
Për gushën e bardhë 
gjerdanin t’i vija.
Për belin e hollë tek 
lidhet “peshlija”.
* * *
Në valle kur lozin, vetëm 
t’i shikoni,
Dridhen e përdridhen si 
pllakë gramafoni.
Gjilpërë në zemër ngulet 
po të doni.
Kush u ngop së pari...
amani më thoni !




- PËR BE E RRUFE

Fustani me lule, mëngët allafrënga,
E kishe dhuratë ta kish qepur nëna.
Trupi yt i bukur, kur të shihja veshur,
- Prit! - i thoshje Hënës, me buzë të qeshur.

- Prit! I thoshje Hënës,- dola unë e para.
Mos mi prish të lutem ëndërrat e rralla!
Ëndërrat e tua me të mijat ngjajnë...
Ëndërrat duan dritë, mbyllur dot s’i mbajmë!

Fustanin e bukur mëngët “zhapone”,
Të rinj dhe të vjetër pa mëndje i le.
Përmbi gju dy gishta, si hëna mbi re,
Pika që s’u ra, ... pa mëndje i le.

Qëllimisht përpara shkoje si rrufe,
Flokët që të ndrinin, i lyeje me se?
Përmbi mes të binin për ‘ta bënin be,
Shqerrkë qumështore, për be e rrufe.




- SA TË RROJ DO KËNDOJ

Dashuris i kam kënduar,
Edhe sa të jem i gjallë,
Do t’i thurë këngë dhe vargje,
Diell, Borë e Det me valë.

Mos kurse njeri i mirë
Kupën gjer në fund ta kthejmë,
Mbushur fjalë, kokriza pjalmi,
Çfar ka zemra ta rrëfejmë.

Sikur lulja që shkund pjalmin,
Nënë natyra e ka bërë,
Me ndiesin e ngrohtë zemra, 
Pa pjalmuar mos t’i lërë.




- S’SHITET BUKURIA

Më thoni o shokë kush gjeti shërimin?
Kush gjeti ilaçin për gjith njerëzimin?
Nga ta pres të vijë, ti hedh syt më parë,
Nga qielli i kaltër a dielli me zjarrë?

Nga malet e larta, a pyjet me vesë?
Nga honet e thella, a zallit të presë?
Do ti lë të gjitha në dorë të fatit,
Ballin lar në djersë moll e artë e fshatit.

Gjëja më e shenjtë ilaçi kërkuar,
Buza ngjyrë vishnje, syri vajzës shkruar.
Këtë bukuri të qiellit e tokës,
Si ju bëri dora ta shisni Evropës!

Vajzat, dashurinë, bukurin me derte,
Nuk i shesim dotë i kemi për vete.
Ai sy i bukur, çmuar si rubini 
Trashëgim e kemi botës mos ja lini.




- SI DËBOR NË DUAR

Ti mblidhja retë në dorë,
A me shi a me dëborë,
Përpara mikes ti çoja
Si stuhi do ta rrethoja.

Si dëbor të mbaj në duar
Ti shkrihesh, unë duke vuar,
Dhe veriu të na ngrijë,
Ti dëbor e re kërthinjë.

Në gjumë lulet mbuluar,
Dëbora qilimin shtruar.
Ashtu të flë edhe unë,
Dëbor ti, unë në gjumë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen