Avni Rudaku |
KLAJDI ÇUKËS
(djalit që vdiq nga tërmeti duke kërkuar cigare para vdekjes)
Klajd
nuk të kam njohur kurrë
as farë e fis
as nuk ishim fqinj: unë në Gjilan e ti në Thumanë
as kolegë në vendin e punës
as nuk kemi regjur së bashku lëkurën e bagëtive për rroba
as nuk ishim akënxhi të ndonjë trupe
ama emrin tënd e dëgjova
gjersa bëja sytë katër
se çfarë po çokitej me tërmetin e zi
në Shqipëri
ku nuk mbeti kungull a bërbjek të pabërë copë e copë
Kur toka u shkund
gjëmoi nga pesha e betonit mbi të
me një hakmarrje të poshtër
hijerëndë
kaloi në histeri
shembi pallatet edhe të barkmëdhenjve
a barkzhabëve me barkun e varur
të zuri nën rrënoja
ty Klajd të ri
një emër që do ta kujtoj me plot dhembje
pa e njohur kurrë
me një foto virale të Asoshiejtëd Pres
Dy këmbët t'u shtypën deri në eshtrat e fundit
për shtatëmbëdhjetë orë
ndave mendime e përjetime të çastit me heronjët e kërkim-shpëtimit
e në fund e pave teksa heronjët nuk janë si në filma
i kanë kufijtë e të mundshmes
(sa tragjedi kur sheh heroin tënd teksa është i pafuqishëm, pavarësisht se do deri në pafundësi të të shpëtojë!)
para vdekjes me sytë e tu
kërkove një cigare dhe buzëqeshe si disa dëshmorë luftërash
kur takohen me engjuj a me Zotin
Klajd nuk më hiqet nga mendja
Kur iu dorëzove vdekjes
duke kërkuar cigare dhe duke i buzëqeshur
fatit tënd
në fatkeqësi
Klajd
çasti yt kur kërkon cigare
në momentet e fundit
kur i kupton heronjët e tu
duke i buzëqeshur e të mos ndihen keq
se nuk janë si në filma për t'ju mbajtur gjallë gjer në fund
më ka lënë gjurmë të pashlyeshme
Klajd
nuk di si nuk e marrin dramën tënde
regjisorët e botës
nuk di si ka qindra shkrimtarë
e nuk kanë ndjeshmëri të të vënë në poezi
(a poetë i thonë vetes, e t'i qesin sytë prej mendjemadhësie e paditurisë?!)
Klajd
ti kur kërkove një cigare nga heronjët e tu
u buzëqeshe atyre
je vetë poezia
je vetë drama
je komedia
je tragjedia
je vetë jeta
paradoksi ynë
fati
fatkeqësia
jemi më të dobëta se një kandërr
por deri në çastin e fundit duhet varur në dru
në cërrik
një rresht me duhan
Klajd
kur e kërkove cigaren në teh të vdekjes
ta kuptova hidhërimin tënd ndaj tekeve të natyrës
që ta prishi ritualin e përditshmërisë
e ti një çast të lirë kur e gjete
e kërkove një cigare
doje ta vazhdoje përditshmërinë
deri sa të vdisnit
Klajd
prej të gjitha rrëfimeve
e shkrepjeve
fotografia jote
lajmi mbi ty
më mbeti në kokë
u bë varg
u bë dirë
Klajd
ti u ke dhënë dramë dramaturgëve
film, regjisorëve
poezi, poetëve
roman, romancierëve
pikturë, piktorëve
u ke dhënë dhallanik
por ata nuk kanë sy, vesh, gjuhë, duar e hundë
të shohin, të dëgjojnë, të shijojnë, të prekin e të nuhasin
dhembjen e njeriut
nga pafuqia mbi kapriçot e natyrës
interesat e pazarxhinjve
Klajd
vdekja duke buzëqeshur dhe duke kërkuar një cigare
me këmbët e zëna përfundi
do të mbesin si një vrimë
në shpirt
mbi fatin e njeriut në fatkeqësi
mbi dëshpërimin e pritjeve të mëdha nga heronjët e pafuqishëm
mbi rrebet e natyrës
mbi egot tona
Klajd
kam qarë për ty
pa të njohur kurrë
por të kam parë
si përfaqësues i njeriut mbi tokë e nën gërmadha
duke na rrëfyer pak para mbylljes përgjithmonë të syve tu
se njeriu është i pafuqishëm
se heronjët janë me limite e mite
edhe kur kanë qëllime shumë fisnike dhe duan
por kot:
aq munden
aq dinë
Klajd
të pashë të dëshpëruar
para heronjve tu
para vdekjes
prandaj buzëqeshe
dhe kërkove një cigare
ta marrësh fatin tënd në duart e tua
fatkeqësinë
vdekjen
Klajd
ti ma rrëfeve fatin e njeriut e të njerëzimit
kur kërkove cigaren e fundit
kur buzëqeshe kur nuk ishte për të buzëqeshur
Klajd
më ngelet para syve të mi
çasti yt i fundit
me gjymtyrët e poshtme përfundi
dhe kush po më pyet:
- A e pave bre në Shqipëri çfarë bëri tërmeti?!
Unë po e kam vetëm një fjali:
- Po bre, ai djali nën gërmadha
në pragun e vdekjes
e kërkoi një cigare të fundit dhe buzëqeshi
Klajd
ti na tregove në transmetim direkt dy porosi:
njeriu duhet ruajtur ritualet e përditshmërisë deri në çastin e fundit
njeriu duhet të pajtohet me heronjët e tij se janë po ashtu edhe ata të vdekshëm
aq munden
aq dinë
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen