Ahmet Selmani |
NE DUHET TË QAJMË
(ose lotët janë shenjtorë)
A të kam thënë
se për t’u dashur më shumë
ne duhet të qajmë
ndaj mos i fshij lotët me duar
as mos u turpëro
nga dhembja e madhe qe ndjen
se lotët që derdhim
janë shenjtorët tanë të mirë
që na e ushqejnë
shpirtin e mbytur nga lëngata
e moçme sa bota.
KRONIKË E ZEZË NË DITË FESTIVE
(ose urata me fytyrën e dhembjes)
Ka edhe ditë
kur urata shfaqet me fytyrën
e dhembjes
si ndonjë flamur i përlotur
që pret
të valëvitet mbi gërmadha
nga ca duar
që zgjaten për të shpëtuar
nga vdekja.
RRËFIMI I SHQIPONJËS
(ose gojëdhëna e dy kokave)
Zoti më krijoi për ty
më bëri me një kokë
pastaj u sulën
të ma këputin
kur pandehën se vdiqa
më dolën dy koka
seç u tmerruan
kur njëra kokë e ruante tjetrën
e të dyja
trupin
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen