Freitag, 29. November 2019

Hajdin Morina: KUR NDRYSHE E NDIEN DITËN

Hajdin Morina

KUR NDRYSHE E NDIEN DITËN E 28-ës
(ose bisedë nga larg me bijën time, Arblindën në Tetovë)

Dje ndryshe
njeriu i tokës sime
e ndjeu ditën e 28-ës,
ndryshe e ndjeva këtë ditë
edhe unë, babai yt, Arblindë,
sepse ende nuk dihet
edhe cili fëmijë
ka mbetur i vdekur në Durrës
nën gërmadhë,
edhe cila nënë në Thunamë.

Pë të parën herë,
prej se ti erdhe në jetë,
një gotë
për ditëlindjen tënde s'e çova,
vetëm përmes celularit
"Gëzuar!" të urova
dhe mbase pak me vonesë
dhe mbase pak vonë
të shkrova Arblindë,
ty atje n'Tetovë.

Por dita e 28-ës
duhej ribërë në shpirt,
aq sa mundet njeriu
kur brenda vetes prek tragjedinë.

Duhej ribërë 28 Nëntori,
sepse i treqind ushtarëve
të Gjergjit ndihej troku
tek hynin udhës së pazarit
në Krujë,
tek kalëronin
pllajave të shpirtit tim,
tek unë.

Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse shpirti ndiente
tek përqafonte
Isa Boletini flamurin
dhe Ismail Qemalin,
sepse Kosova ndiente
krismën dhe këngën
e Adem Jasharit.

Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse Atdheu ndiente
jehonën e UÇK-së
në varrimin
e mësuesit Halit Geci
në Llaushë atë ditë,
në atë 28 Nëntor
kur linde ti Arblindë.

Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse e tha poeti Fatos Arapi
në vitin 1968
kur Shqipërinë e goditi
si sot një tërmet:
"Tërmet.
Tërmet.
Tërmet.
Po ai lind,
vjen në jetë.
.....................
Tërmet.
Po ai klith,
do sisë."*

(Kosovë, 29 nëntor 2019)
_______________________
*vargje nga poezia "Episod" e Fatos Arapit, shkruar më 1968.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen