Ndue Ukaj |
Libri i zisë
Arbnit janë të fortë e tërmetet ua copëtojnë
një copë zemre në çdo stinë
por krejt zemrën e kanë më të madhe se toka.
Përditë shkruajnë në librin e zisë
një fatkeqësi të re.
Sepse ata janë një tregim përplot dhimbje
dhe një diell që buzëqesh në çdo mëngjes.
Në librin e zisë
kanë derdhë shumë gjak
kanë shkruar për motin e lig
e furtunat kur u mbytën në det.
Dhe sa herë kanë dashtë të dalin në fletën e bardhë
një termet i ri i ka trishtuar.
Ata i kanë shuar kufijtë mes dhimbjes e gëzimit
gjatë kanë shtegtuar neperë detin e pikëllimit
kanë parë tryezat e tyre të plasaritura
gotat e verës të thyera
e ullinjte e derdhur përtokë.
E nga Bjeshkët e Nemuna
shpesh kanë dëgjuar
gjamë
ulërimë.
E nga deti tërbimi kuçedrash.
Arbnit hartat e pikëllimit i kanë shqyer moti
nëpër orët e liga të fatit
nëpër dete të trazuara të historisë
kur lundruan me barka plot pikëllim.
Ata zemrat i kanë plot tërmete.
Është nëntor
muaji i arbnve.
Ata kanë dëshirë të shtrojnë tryezën e gostisë
dhe të vishen me madhështinë e Kryezotit
të cakërrojnë gotat për shëndet dhe një pranverë të re.
Prandaj lutën.
Në nëntor nuk duan të hidhërohen.
Por moti i lig ka çuar peshë dallgët e detit
e tërmetet kanë rrëzuar muret e pallateve
s kanë zanë plot njerëz brenda.
Por zemrat e tyre i kanë forcuar
sepse atyre as pesëqind tërmete nuk mund t’ua thyejnë zemrat.
28 nëntor 2019
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen