Nikollë Loka |
Flaka e shpirtit
Një re e zezë
ik prej perëndimit të diellit,
rritet perëndimi
në qiellin pakufi.
Nën këtë qiell vjeshtak
në prag të dimrit,
pritëm një shqipe të vijë.
Për pesëqind vjet
shpresa
na u kthye në gurë,
në gurin
që na rëndonte në votër.
Prushi i skuqur
u bë flamur
dhe flaka
shqipe me flatra.
U ngjit ajo flakë
në qiell me vetëtimat,
pastaj ra në tokë si rrufe.
Ndër beteja,
ku jetën e dhanë trimat,
shqipet i ngritën foletë.
Sa shumë rrufe
ranë mbi gurin e votrës,
po zjarri s’u shua kurrë.
E flaka e shpirtit
udhëtoi drejt Vlorës,
që të valonte madhërisht
në flamur.
Flakë e shpirtit
na u bënë
shqipet ndër male.
Në prush na u kthye mishi
dhe gjaku.
Nuk vdes Atdheu!
Nuk vritet guri!
Nuk shembet mali!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen