Samstag, 26. März 2011

Poezi nga Miftar Dragidella

Miftar Dragidella


TI QË NUK HARROHESH

(Patriotit e arsimtarit tim të ndjerë Isa Demaj)

Mirë më kujtohet:
„E hënë, ora e parë,
Gjuhë shqipe,
shkruante në orar”.

Një arsimtar i ri ka ardhë,
degjohej refreni,
se do të jesh një trim
ne fëmijtë, ditë s´e kemi.

Seç të shndëriste balli,
seç të shkrepte goja:
Duani Kosovën - thoshe,
ështe gjithmonë e jona

Nuk kaloi shumë,
u pa «udha» jote,
për ata përherë na thoje:
„Nuk i takojnë kësaj toke“.

O Isa, zotëri mësues,
nuk të harrojmë kurrë,
në zemrat tona,
ke mbetur - BURRË.




NUK DI TË LEXOJ SHQIP

Ditën e merkurë,
në orën e tretë,
me orar: Gjuhë shqipe,
kishte klasa e tetë.

Kush del në tabelë?
pyeti mësues Petriti,
Të shkruajë një fjali. 
Si gjithmonë - i pari Astriti.

„Kosova është tokë e shqiptarëve“.
Të lumtë, Astrit, - mësuesi i tha
Kush e analizon,
vullnetar a ka?

Drin, çka mendon për këtë fjali?
Wie bitte? - zotëri mësues,
unë nuk e kuptoj,
shqip, të lexoj nuk di.

Oh, gjëmoi mësuesi 
sikur t´ishte rrëzuar nga lisi,
Jo, jo, - ti nuk ke faj,
po ai, që i pari këtë udhë nisi.




NËNË TEREZA

Në këtë botën tonë të re,
është një nënë me zemër të madhe,
nga Kalkuta nis misionet,
është Gonxheja, bijë shkupjane.

Toka shqiptare këtë nënë e lindi,
e botës bëmirëse atë ia fali,
ruan ajo shumë dashuri,
e ndanë për të botës shumë fëmijë,
zëri i sajë në çdo anë jehonë,
ajo është motra, është nëna jonë.




NË TOKËN E TIJ DESHI TË JETË ZOT

(Kushtuar Ferat Mujës nga Samadrexha
 i cili në vitin 1982 që dënuar me vdekje 
dhe që ekzekutuar nga gjykata serbo-shqiptare e kohës.)

Cili është hero?
Ai që ik, ai që flet?
Apo ai që pushkën ngreh
dhe një armik n´Kosovë e vret.

Nuk foli shumë
as para gjyqtarit.
Nuk mundi të durojë,
nuk ish rrënjë e qyqarit

Në tokën e tij,
deshi të jetë zot,
edhe në këtë kohë,
sikur për jetë e mot.




KËTU NUK RRIHET

Këto pallate të bukura,
këto rrugë të gjëra,
nuk janë për mua,
se nuk m´i do zemra.

Kemi lënë oxhakun,
në ballë të shtëpisë,
u mbyllëm në këto kafaze,
sikur ikëm prej perendisë.

Unë jetën luksoze,
jo, nuk e dua,
kur atdheu i shtrenjtë,
po më mungon mua.

Do të ik që nesër,
mbrëmjen nuk do ta pres,
do të kthehen nga kam ardhur,
këtu nuk dua të vdes.

Do të shkoj të lumi im,
ku notin mësova.
Të gjithë gurët do t´i puth,
çudi - deri tash si u durova.

Do të shkoj në shkollë,
do të hyj në klasë,
ndoshta takoj mësuesin,
duke shkruar në dërrasë.

Duke i dhënë,
detyrat e shtëpisë,
Zotëri mësues, - do t´i them
unë erdha, mësimit do t´ia nis.

Po, more Drin trimi,
Mirëseerdhe në shkollën e re,
shokët i ka marrë malli,
ja, vendin ku e ke.

Zotëri mësues, - thanë nxënësit si në kor
Ne duam të propozojmë,
nga gëzimi që ndiejmë sot,
kthimin e Drinit ta festojmë.




BABAI IM PËR ANTON ÇETËN

U thosha shokëve,
pa shaka,
si babai im,
tjetër s´ka.

Më blente bombone,
edhe çokollata,
më tregonte përralla,
deri sa ikte nata.

Heronj të tij ishin,
trimat shqiptarë,
në beteja me armiqë,
përherë fitimtarë.

Pos përrallave,
tregonte për historinë,
si populli im,
e donte lirinë.

Gjergj Kastrioti - më i madhi,
më trimi më bujari, 
gjithmonë në beteja,
në ballë të ushtrisë - i pari.

Për Shaban Polluzhën,
për Ymer Berishën,
për Ndue Përlleshin,
për Shotë Galicën.

Pak para vdekjes,
e donte shumë Rugovën,
nuk urrente askënd,
sepse e donte Kosovën.

Por, shiko biri im,
më tha pak ditë pa u ndarë,
Kosova ka një burrë,
që s´e ka bota mbarë.

Është Anton Çetta, bir,
trim i çmuar si ari,
burrë i shkuar burrave,
kurrë s´e harron shqiptari.

Sikur sot në jetë të ishte,
shumë do të derdhte lotë,
për Anton Çettën,
që na mungon sot.




PËRRALLA PËR LEPUROSHIN

Pse veshët e gjatë,
mustaqet e rralla,
i kam më të vërtetë,
apo kështu thotë përralla.

Pse vrapoj shpejt?
Pse fle aq pak?
Pse urrej gjuetarin?
Pse jam frikacak?

A ka edhe tjerë,
që më ngjajnë mua,
apo jam i vetmi,
përse nuk më thua?

Mikesha ime bretkoca,
është më frikacake se unë,
posa t´i afrohem,
hudhet në lumë.

U bind lepuroshi,
se ka shokë në këtë botë,
prandaj jetën e tij,
më s´e quajti të kotë.




Lidhshmëria e botës fëmijërore me atdheun

Myftar Dragidella: „Kur një ditë të kthehem”, botoi SHKSSH "Besa" 1998

Në nëntorin e vitit 1998 doli nga shtypi përmbledhja e parë me vjersha për fëmijë e aktorit, poetit dhe gazetarit Myftar Dragidella. Edhepse ky autor shumë vonë u prezantohet lexueve të vegjël me këtë përmbledhje, për ata që përcjellin krijimtarinë për fëmijë autori nuk është i panjohur edhe në këtë lloj të krijimtarisë letrare. 
Një periudhë prej 12 vjetesh (1982 - 1993) ai u ndërpre nga krijimtaria letrare dhe punoi gazetar në të përditshmen "Rilindja". Nga viti 1998 deri ne vitin 2010 punoi gazetar dhe redaktor në gazetën e përditshme "Bota sot".
Ky krijues në këtë përmbledhje futi edhe disa vjersha të shkruara gjatë kohës sa jeton dhe vepron në Gjermani. Kjo përmbledhje me të vërtetë është një "tufë" vjersha që jo vetëm nga fëmijtë por edhe nga të rriturit lexohen edhe nga disa herë. Tema kryesore e vjershave të përmbledhura në këtë libër të titulluar "Kur një ditë të kthehem", është atdheu dhe jeta në kurbet. Pothuaj shumicën e vjershave e përshkon kjo frymë, jo vetëm tek ato që drejtëpërsedrejti shtjellojnë këtë temë, porse edhe atëherë kur autori shkruan për heronjtë e fytyrat e dashura kombëtare të popullit tonë, por edhe atëherë kur i shkruan fshatit, qytezës, Dukagjinit, lumit etj.
Vlen të theksojmë se autori Myftar Dragidella me disa vjersha të kësaj përmbledhje ishte pjesëmarrës i shumë takimeve të krijuesve jo vetëm në Kosovë por edhe në viset tjera në ish-Jugosllavi. Njëri prej tyre që meriton të përmendet ishte „Festivali i poetëve të rinj“ në Ohër në vitin 1976 ku edhe u shpërblye.
Myftar Dragidella u lind më 8 maj 1957, në Gremnik të Klinës. Shkollimin fillor e kreu në Dollc, Drenoc e Klinë, kurse të mesmin (gjimnazin) poashtu në Klinë. Në vitin 1981 u diplomua në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Prej vitit 1982 - 1993 punoi gazetar në të përditshmen „Rilindja“. Gjatë vitit 1994 ishte kryeredaktor i gazetës javore „Jehona“ që u botua në Gjermani. Nga korriku i vitit 1998 deri në korrik të vitit 2010 punoi gazetar e redaktor në “Bota sot”.
Me krijimtari letrare u mor që nga shkolla fillore. Vjersha e parë iu botua në vitin 1974, në „Rilindja për fëmijë“. Botoi edhe në „Pionieri“, „Flaka e vëllazërimit“, „Shëndeti“ etj. Nga veprimtaria humoristike botoi në „Zëri i rinisë“ dhe në „Bota e re“. Pos krijimtarisë letrare u mor edhe me artin skenik si aktor dhe regjisor amator. 
Jeton dhe vepron në Frankfurt të Gjermanisë.

Për "Sofra poetike", Haxhi Muhaxheri

Cikel poetik nga Qerim Raqi

Qerim Raqi

 SONET SHEKSPIRIAN I FUNDSHEKULLIT


Gjaku do t´na mallkojë na përfshiu zezona
qielli do t´ mërrolet nxihet në t`ziun mot
varret do t `qohen peshë thirravajeve tona
si fantazmë Hamleti o Zot
në konak të huaj do t´i bëjmë jetëvdekjet
gjuha do na lidhet nyje malli të na mbytë
tej Urës së Qabesë ashti do na mbetet
derisa vetveten ta hamë të na mbesë në fyt
i akullt këtu dielli buka shumë e kripur
ankthi s´na lë të qetë shpirti na kjason
kur emri t´ na tretet qenia t´na ketë ikur
ndërgjegje e vrarë dilemën tonë shalon:
në atdhe të vriteshim në betejë nga një plumb
a këtu të vdesim nga malli të bëhemi shkrumb?




PRAP KOLLI I KEQ

në qiellin e hirtë, në pejsazhin gri
qentë pas shpinës kafshojnë emrin tonë
në lëkurën e ethëshme, në t´thyerën bri
prap një koll i keq me vjeshtën e vonë
gjaku pëlcet në revoltë zë e ngrihet
se një natë një shekull kishte fjetur
nga ashti pikon loti rrënja mpihet
në herbarium lulëkuqja e etur
një fetus me mjekërr pjellë në fund të verës
don të përbijë globin si një kokërr rrush
e korbi i zi flatron mbi prag të derës
gacë e m`buluar n`mes hirit me prush
dicka po na e zë frymën në rrënjë në farë
t`ía vëmë njëherë durimit litarin në fyt
t´mos na pëlcasë emri si kripa në zjarr
që vetvetës mos t`ia nxjerrim sytë.

(janar, 1992)




SIMFONIA E GJAKUT

kur valle e vdekjes
përfshin atdheun Prekazin
jasharajt
me breshëri plumbash
shkruajnë
alfabetin e qëndresës
vdekja bëhet lirikë gjaku
në cifteli këputen telat e durimit
njëri tel akordohet në dhembje
tjetri në krenari
gjaku ngrihet në këmbë
kacakqe jasharqe krisin krismat
isove partiturave atdheut
epika ikën nga librat fjalët
”shumë po ndrin ky diell e pak po nxen”
këndon Hamza
yjet zbresin poshtë
në kullën e jasharajve
këmbëkryq ulet epika vetë Shabani
legjenda nxjerr flakë nga goja
dhe hynë drejt në histori
dhjetë dymbëdhjetë njëzetedy yje bien
shkrumb sofrës së atdheut
pëllumbat e gjakut
në mur epika
merr sharkinë e Hamzës
gjysmëdjegur këputen telat e dhembjes
njëri tel i akorduar në krenari
tjetri në dhembje këputur
Ademi për një oktavë më lart
shtrëngon telat e qëndresës akordit të gjakut
në flakë kënga në flakë vdekja
ndërgjegjës sonë i japin shkollë
shkruajnë me plumba në flakë
alfabetin e qëndresës
dhe këndojnë
jasharajt
kur vdesin në këmbë
vdesin bukur
lindin kur vdesin
duke kënduar
simfoninë e gjakut




FËMIJËT E FLAKËS

S´dinë asgjë për Prometheun
e janë gjysmëPromethe
vrapojnë portave të qytetit tim të djegur
kryeneq varfënjak luajnë lojën e zjarrit
(kohë zjarri është tani)
ja si u bëka jeta në flakë
lindja si u bëka në flakë vdekja
koha ua vjedh qeshjen
dhe s´dinë gjë për Prometheun
krejt jeta në flakë në flakë vdekja
para pragut të shtëpisë ngrin buzëqeshja
fëmijët ikin prej kohës sfidojnë të mëdhenjtë
struken thellë në prehrin e historisë
natës së shekullit sogje i bëjnë




VITET PA TY

vitet, padiktueshëm
hanë vetveten, hyjnë
në vrimën e zezë
universi im tkurret
në një pikë
vetmia
thika të dhembjes
më hyjnë në asht
kthetrat e mungesës sate
gati sa nuk vdes
nga malli
pëlcas




GJEOGRAFIA E MUNGESËS

po e fshin vetveten nga harta, e dashur
lumin po ndal, burimit
ia mbyll derdhjen
po e gërryen dheun nën këmbë
rrëshqitja jonë shtratin si po e shtron
dalëngadalë fundos Kepin
e Shpresës së Mirë
po e fshin
nga harta ime, vetveten
e dashur po më del nga kufinjtë
përtej mallit po më rrëshqet
gropëzave të zhgënjimit
po merr thua,
gjak po më merr në krua
e dashur
po fshin vetvetën
nga harta gjeografinë tonë




NË SYTË E TU

në sytë e tu
kam lexuar më shumë
se në tërë letërsinë botërore
në shpirtin tënd
luftrat e të gjitha luftërave
i kam ndjerë
në heshtjen tënde
të gjitha heshtjet e botës
kanë rënë si perandorët
në fjalën tënde
të gjitha shpresat…




ALFABETI I SHPIRTIT
po t´i lë të gjitha, e dashur
ja ku i ke
të gjitha
fletët, librin, lapsin,
ditët
gjithcka
që shkruhet dhe më shkruan
merri e lexo në mua
ja gjuha ime,
shkronjat e lodhura
shpirtit tim lexo
hieroglifet, alfabetin tim
më lexo e dashur
merr sytë e së vërtetës
vendosi në zemër lexo hapur
nga e majta në të djathtë
nga e djathëta në të majtë
v
e
r
t
i
k
a
l
i
sh
t
më bëjë fjalë-kryq
më shumëzo në katror fjalën
e shpirtin, gjeometrinë time
jam faqe libri, kapitull i vjedhur
fytyrës sate, syve të tu
ja ku më ke, të tërin
shtypur në shenja, pergamenë
nëse di të lexosh shpirtin tim
dhe më gjyko pastaj pa fjalë
lexo në daq digje gjuhën time
alfabetin tim kapitull i grisur
i prozës sime absurde
dhe më gjyko…




DITA E GJYKIMIT

po ekspandon
a po tkurret
universi?
kohëhapësira
në vezën e vet kozmike
shkojmë para a prapa
në tkurrje a expansion?
me hapa gaforresh
në guacën tonë
a me shpejtësi drite
në shpërbërje?
do takohemi të gjithë
në një pikë vlimi
në vrimën e zezë
Ditën e Gjykimit
Po ekspandon
a po tkurret
Universi im?




PUTHJA E JUDËS

merreni
ja ku e keni
prejani kryet mashtrimit
këputjani kryet Pilatëve e Mojsiut
prejani
me sharrë dhëmbët kafshimit
tradhëtisë ngulni thikat
kopilave të mohimit
jepni helm
hudhjani qenëve
kockat e tradhëtisë
kuajve të harlisur të Judës
prejani trojat
shurdhoni trokun
kobit e Korbit
të Alan Poe-së
qiellit të përflakur tokës së djegur
hidhni farën jepni gji e gjak
pëllumbave pelikanë
a Feniks bëhuni
të gjakut




LOJË TEATRALE
Si një top i shqelmuar,
u rrokullis jeta ime
dhe hyri në jetën e saj.
Ajo e pranoi pa hezitim
dhe tërë qenien time
e shndërroi në lojë,
tash e dhjetë vjet lojë- lojë
dhe plojë;
herë bëhesha Orfeo,
herë Romeo
në lojën e çuditshme
të Euridikës sime,
lojë kukullash
e përrallash magjepsëse
në Teatrin Absurd
të Dashurisë,
derisa ra perdja.

(Varberg, 27 mars 2000)




KUR BËJMË DASHURI

Toka nuk sillet,
rrotullohemi ne.
Bota
Rrudhet, mblidhet në çast
kohëhapësira
(në vdekjen e vogël
sytë tanë
Diell);
fluturojmë
si Ikari afër diellit
dhe s´digjemi.
Në ballin tim shkruhet
kujtesë e ofshamës sate,
gjuha jote vizaton
harta të pista gojës sime,
Gjeografia e shpirtit zgjerohet
në nivel qelizash,
kënaqësia kënaqet,
kur bëjmë dashuri.





NË SYTË E TU

Në sytë e tu
kam lexuar më shumë
se në tërë letërsinë botërore,
Në shpirtin tënd
luftërat e të gjitha luftërave
i kam ndjerë
në heshtjen tënde,
të gjitha heshtjet e botës
kanë rënë, si perandorët
në fjalën tënde.
të gjitha shpresat…





GJEOGRAFIA E MUNGESËS

Po e fshin vetveten nga harta, e dashur,
lumin po ndal, burimit
ia mbyll derdhjen,
po e gërryen dheun nën këmbë,
rrëshqitja jonë shtratin si po e shtron,
dalëngadalë fundos Kepin
e Shpresës së Mirë,
po e fshin
nga harta ime, vetveten...
E dashur, po më del nga kufijtë,
përtej mallit po më rrëshqet,
gropëzave të zhgënjimit
po merr thua,
gjak po më merr në krua.
E dashur,
po fshin vetveten
nga harta gjeografinë tonë.





KUR THYHEN ZEMRAT

Nuk bëhet asfar zhurme,
nuk kërcet dyshemeja;
kur thyhen zemrat, asgjë nuk kërcet,
thyerja kryhet në heshtje varri,
nuk të qorton kush,
as kërkohet shpagim;
kur thyhen zemrat,
askush nuk mbledh pjesët e thyera,
s´flitet për asimetri copëzash,
krisma bëhet nga brenda.
në qeliza pëlcet diçka ndër vena.
gjaku ngrihet në cast, akullohet,
thyerje e çuditshme
thyerja nga largësia.



NDEZJA E VARGUT

Jam unë
apo fryma jote
që më dehën
frymëzimin?
Merr trajtë vargut im,
nuk po shkruaj unë,
vetëm ndjenjën paksa po e shtrydh,
po e ndez.
Ti
në vargun tim
rritesh,
nuk kanë vend fjalët
tërë hapësirën ke zënë,
vargu merr zjarr.
digjet vargu im,
aromë jotja puthja shkruan.
fjala nuk më bindet,
Ti më djeg
Vargun,
Shkronjat…
Do të më djegësh të tërin?
Jam unë a ti
që më shkruan
vargun tim?




EURIDIKA

Sonte qielli im është Orfe…
Në dhembjen time thika, malli a zjarri?
Euridikë- kërkim i amshueshëm, lira ime e
këputur
dymijëvjet pritje, njëzet vjet durim Penelope,
fragmente ditësh kujtimesh…
Zëri im ka diç orfeike sonte…
Ç´rëndësi ka frymëmarrja pa ty?
Jam bërë zë i shterur, fytyrë jotja
para portës, ku ndahet mbretëri e jetës dhe
vdekjes,
ta humbas kushtin, me zotat të përballem;
të mësoj alfabetin e durimit,
sot këtu do të kisha prania ime, unë ti
s´do ekzistonte joekzistenca,
kryqëzim në hapësirën e vdekjes
sonte,
qielli im - Orfe...





ZOGJTË E QYQES

Mbetët
të mbeturit e botës,
qyqe,
pa çerdhe, mbetët
zogj të qyqes, të plagosur
pa flatrim,
do të bini klluq,
deri në kthimin tuaj,
pikë e pesë nëpër botë
mbetët,
zogj të qyqes...




KTHEHUNI PËLLUMBAT E MI

Nisuni pëllumbat e mi, kthehuni
në kafazin tuaj të përjetshëm,
nisuni me dritën e diellit,
me këngën e gjelit tim, nisuni,
përgjakni flatrat në flatrim.
Sa vite u bënë
dhe unë i shurdhër po vdes
nga krrokamë e çmendur korbash të zinj...
Sa vite e kënga e pëllumbave të mi askund...
Kush u ndolli, kush u mikloi, kush
ua trazoi folenë?
Nisuni, or të bekuar, nisuni
me flatrimin e qetë të mallit,
përgjakini flatrat me këto Laraska të Verdha,
që i bien vërdallë qiellit tim të trazuar,
ejani, të bardhë, kthehuni
rrugës së gjakut tim...

Nuk dija ç´tu jap për mëngjes
dhe u dhashë pika të gjakut tim,
për drekë s´kisha tjetër veçse gjak.
Me gjakun tim ju ushqeva pambarimisht
dhe qeshja si fëmijë
tek i shihja korbat në ikje.
Me erërat e veriut më ikët
u zhvendosët nga trungu shekullor
një togë barbarësh ndiqnin, digjnin
dhe ju ikët ndajnatës së heshtur,
pikë e pesë shtigjeve të huaja
në mjegullnaja kah Akullnaja
Eldoradon askund s´e patë,
fluturuat mbi qiej të verdhë
qiej të ftohtë,
qiej të
panjohur,
...
I zi qe flatrimi juaj
rrathëve të qiellferrit dantesk.
Atë ndajnatë diçka krisi brenda gjakut
e lehjet e qenve tërë natën s´pushuan,
tani po zverdhohet qielli, pëllumbat e mi,
e dielli rrudhet i padukshëm në mjegullnajë,
ca re të zeza po më rëndojnë kafkën,
nën hijen e blirëve heshtja
hedh vallen me korbat gjykatës,
as këngë, as zog, as fjalë
togje-togje rrugëtimi juaj i pafund;
nga krrokamë korbash u shurdhua Zoti.
Kthehuni rrugës së gjakut,
përgjakni flatrat në gjakim të Diellit,
kthehuni, o pëllumbat e mi,
gjurmët e gjakut gjeni
kreshtave të historisë,
(gurët që ju goditën aty janë skuqur)
kthehuni rrugës së gjakut,
përmbi Bjeshkët e Nemuna fluturoni
(foleja tragjike e dashurisë dymijëvjeçare)
Kthehuni, o pëllumbat e mi,
pëllumbat e mi të mirë,
pëllumbat e mi të bardhë,
se ky qiell po vdes prej pikëllimit,
kthehuni ngjyrës suaj,
o pëllumbat e mi,
të gjakut tim.




KUR UDHËTOJ 

PËRMES ZEMRËS

Digjem,
kur lundroj i heshtur
nëpër detin e shpirtit tim
anije e Katonit,
pika malli valë vetmie
më gllabërojnë,
dallgët deti gjak
pikoj,
më orfeizohet malli,
kallet,
kur
udhëton
në mua
malli përmes zemrës
në heshtje,
kur udhëtoj,
nëpër shpirtin tim,
përmes zemrës,…
nga malli
i papërmbajtur
digjem.




SONET SHEKSPIRIAN 

I FUNDSHEKULLIT

Gjaku do të na mallkojë, na përfshiu zezona,
qielli do të mërrolet, nxihet në të ziun mot,
varret do të çohen peshë thirravajeve tona,
si fantazmë Hamleti, o Zot!
Në konak të huaj do t´i bëjmë jetëvdekjet,
gjuha do të na lidhet nyje malli, të na mbytë,
tej “Urës së Qabesë” ashti do të na mbetet,
derisa vetveten ta hamë, të na mbesë në fyt,
i akullt këtu dielli, buka shumë e kripur,
ankthi s´na lë të qetë, shpirti na kjason,
kur emri të na tretet qenia, të na ketë ikur,
ndërgjegje e vrarë dilemën tonë shalon.
Në atdhe të vriteshim në betejë nga një
plumb,
a këtu të vdesim nga malli të bëhemi
shkrumb?

(Vänersborg, tetor 1992)




RILEXIM NË ANTIKË

Mos lexo Homerin, motër,
ti di vetëm të presësh, të presësh verbërishtm
shfleton kohën e humbur, verbohesh
hyn në botën qorre,
lexon verbërisht Homerin beson,
di gjithçka përmendësh, motër,
për Itakën, mëritë e Perëndive i sheh, i ndjen,
hapëron në rrugën e gjatë
tmerrësisht të mundimshme
dhe ti Homerin e verbon prapë,
Ti di vetëm të presësh verbërisht të presësh
kthimin njëzetvjetë, njëqindvjet, medet,
dhe asgjë nuk ndodh me mua asgjë.

Ti mund ta hash krejt pritjen tënde,
për njëzet vjet të bjerë borë në Itakë,
dhe unë dhjetë shpirtra t´i ndërroj, motër,
njëqind,
e rrugën ta humbas përsëri;
gjysmëOdise përherë në udhëtim, o Zot.
Motër, mos lexo Homerin…




VALLËZO, MBI VARIN TIM

Kur stuhia të kalojë, rrëmeti
uragani i çmendur
ti këngën mos e ndal, biri im,
vallëzo mbi varrin tim,
kur ikjet të kthehen nëpër shtëpitë e
djegura,
në pluhurin e librave të shkrumbuar,
në copëzat e eshtrave tanë të mbetur të
djegur,
shkruaje fjalën “Kosovë, biri im,...
vallëzo mbi varrin tim,
kur copëzat t´i bësh bashkë, eshtrat tanë,
s´ka rëndësi në janë të tërë, syri i nxjerrë
a kafka e shkëputur, nofulla e dalë jashtë a
fytyra e shprishur,
s´ka rëndësi a e gjen një kokë në Raçak
a zemrën në Bajgorë,
një këmbë në Likoshan a duart në Llaushë,
mblidhi me kujdes,
bëji bashkë si idealin, si atdheun,
biri im, vallëzo mbi varrin tim
kafkën time mund ta gjesh kudo
afër një bombe, tutje një cepi,
ti ruaju, kujdes!
Në puse mund të më gjesh,
në pluhurin e arës së shkrumbuar
ti gjurmo, o i gjallë, kudo gjurmo,
gjurmët e barbarisë të pashlyera
në faqen e zezë të historisë...
Vallëzo mbi varrin tim!





TË RËNËT

Asnjë pikë loti, asnjë
fjalë dhembjeje,
asnjë gjamë burri, vajtim
gruaje, britmë fëmije,
mos u vishni në zi,
asnjë kurorë, lule
mbi barkun e tokës, trupat
tanë të njomë
ne vetëm sa hymë
në thellësinë e kësaj toke,
mbi supe për ta mbajtur
mosrënien tuaj.




RRUGËT E MIA

I kam mbledhur të gjitha rrugët e mia
në ndarjen time rreth vetes,
si në sofër jemi ulur,
unë dhe rrugët e mia...,
ju flas, i pyes, më pyesin
për Rrugën time të madhe:
“Kah do të më çojnë kah?
“(në parantezë
i kam vënë
rrugët e jetës sime).
Këmbëkryqas jemi ulur
unë e rrugët e mia,
bukë t’i japim kuvendojmë
e qajmë e qeshim bashkë
si fëmijë,
rreth sofrës së fatit

pikëllimit a shpresës…,
i kam mbledhur rrugët e mia,
si pëllumbat në njërën dorë,
i pyes, më pyesin
për rrugën time të panisur
për krye-rrugën.

(Varberg shkurt, 2006)




SHENIME PER AUTORIN

Qerim Raqi është lindur më 22.mars 1965 në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq). Ka studjuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë. Në halmstad të Suedisë ka studjuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi , me orientim të ngushtë Letërsi komparative. Ka botuar librin me poezi ”Gjak në mallin tim”, ”Era ” Prishtinë, 2010. jeton përkohësisht në Varberg të Suedisë. Punon mësimdhënës.



Përgatiti: Haxhi Muhaxheri





Poezi nga Fran Ukcama


                                                          Fran Ukcama

 
 
PËR TË BLERË,
A KA NDOKUND PRANVERË ?!


Syri s’ma kapi
As zemra s’e pa,
Më humbi rrugëtimit, kaherë
Se ku më ra…
Qysh se kam le?!
Një stinë më mungon, s’më del.
- O pelegrin, njerëz bestarë
A ka shitore në udhnajë, të patharë…
Në mujsha për ta blerë,
A ka ndokund Pranverë?!



KUR FLASIM PËR LISAT


Kur flasim për lisat
Fjala rrjedh te ama
Ku zogjtë projektojnë
Folezat e rënda…
Kur flasim me zogjtë
Zemra deh te kënga
Mëngjeset rindezin
Elegjitë e ëmbla!




ZJARR NË ACAR



Era vuuu!
Gjoksi bam!
Faqja flakë,
Dielli kallkan,
Ec kaprolle, mos u ndal!
Burr’ i dheut,
Pse po qan?!
Ngrica lotin, s’po ta than
Për askund,
Për askënd,
Ah, rini, që më s’të kam!




KËLTHASIN PULËBARDHAT…



Zemrës së ndezur,
Pse këlthasin sot pulëbardhat?
Në det motivesh, varkat ngecën.
Në faltoren e shenjtërimit
Lus një zot:
Shëro Gërdecin!




ROB



Sot, tash, sot
Bëhem zog,
Valltar në skenat qiellore,
Pëllumba, fëmijë,
Engjëj, prore,
I përpij prej dore.
Mos mundoni
S’u përgjigjemi
Ëndrra – hëna e plotë
Jam alieni i braktisur
Rob, në tjetër botë!




VLON E VUAN



Mos m’i nguc trojet e vjetra
Shenjat e mendimit!
Mos ujit grëmra e ferrat
Në log fluturimi!
…Se jam krua, bëhem lumë!
Kodër jam e ngrihem mal!
Në kraterin e një shpirti
Vlon e vuan një vullkan!




GJIMNAZIST



Dua sot
Të mos zgjatem,
As shkurtim
Qoftë një gisht
S’desha qiell,
As parajsën
Veç të kthehem
Gjimnazist!
Thjesht fare
Për një fakt
Që ta kap zogun në ajër,
Dashurinë…
Oh, ç’mëkat!
Si një vjollcë petaletharë
Ku ka mbet?!
Diku… në shpat!


PLAGA


Një thëllëzë pendëshkruar
Dhe një gotë raki,
Kujtojnë kohën e pashkuar
Grackë në gjueti…
Kujtojnë çastin e plagosur
Diku, lidhur peng…
Nën qershizën e lotuar
Plagë e vjetër… dhemb!




PUTHJA E TANUSHES



Bornajave të mjela,
Mjaltë prej lules së verdhme
Gatuar nga bleta.
Esencë boronice
Në gjoks të rudinës,
Shtrydhë prej manaferrës
Ballin e rakisë…
Çfarë më mungon mua
Në shtratin e qiellit?!
Shtroj për ty moj zemër,
Basmore ylberi!
Sot mrizi më dehu,
Gurrës së papirë,
Mbi buzë të Tanushës
Zana më paska ngrirë!


PËRMBYSJE


Lulet po na vdesin,
Po ringjallen plehrat,
Veniten visaret,
Blerojnë antivlerat!
Bota çakërdiset,
Vërshojnë të vjellat,
Në tymnajë brigjet
Gromësijnë derrat!
Humbur ekuilibri,
Boshtit magnetik
Kafshët ngrejnë motele
Në kopshtin zoologjik!


ZONJË E MADHE


Myzeqe, gjerë e gjatë,
Statujë antike,
Gjokset nxjerr pa marre,
Pimë e hamë,
Hamë e pimë,
Ti përherë bujare!
Fluturova nëpër ëndrra,
Erdha bujtës,
Më the "dhëndërr".
Ulem në gjunjë përfare!
Ndez qirinj në zemër flakur,
Të falemnderës
ZONJË E MADHE!


KAFSHATA


Tellall, siklet
Poshtë, përpjetë
Thërret, thërret…
Në gojë një byrek
U mbyt,
Pak ujë,
Kafshatë në fyt
Medet…
Për deputet!
Shteti gërhet!


PASAPORTA


Pasaportën falja qenit
Me të shkon në kazan të plehut
Jam qenia e të paqenit
Qytetari i mosshtetit!



NË UDHËN " EGNATIA"


Mos m’i hiq sofrat
Sa të zbresë nata pa hënë
Do vijnë milingonat.
Çajnë mure
Tulla, gurë; tunele në pallat
Vijnë punojnë pak tek unë
Pastaj venë lart.
Kokë më kokë, sup më sup
Vargan, fatngrata
Ato ikin, unë nga pas
Në udhën " Egnatia"!



VETVETJA


Kënga e parë
Dhe një letër
E pafjalë
Sot më kandet me patjetër.
Eposet e plakura,
Koha mbi valë,
Në stanin e vjetër,
Muzeum vetvetja.
Gërma ngrënë mole,
Varë në pe merimangash,
Humnerave të epra,
Muzeum vetvetja!



SA?!
 

Sa lumenj humbën
Mbetën zall e gur?
Sa pemë u thanë
Kokërr s’dhanë kurrë?
Sa valë u fashitën
S’puthën asnjë breg?!
Sa varka na ikën
Pa krye, pa shteg?!
Sa lule u vyshkën,
Në orët e para?!
Sa dashuri ranë,
Mbetën të pavrara?!



MBRO!


Padija tej
Të lodh kujtesën,
Djallëzia tej, virus mendjeje
Ndryn subkoshiencën.
Mbro drejtpeshimin
Monument kulture!



NJË FLETORE


S’më hyn në punë noti,
Troftat dikur ma mësuan
Në ujëvara Valbone
Sot më rrëmbyen valët e kaltra
Joniane, të kojme…
Si dre i vjetër,
Sylotuar në gjyqin e kohës
Në peng mos’harrimi
E kam…
Në fletore!



KATARAKTET
Kataraktet e trurit
Guralecat i lëmojnë,
Shkëmbinjtë i trandin,
Thëllimet i freskojnë.
Ai ?! Qëndron!



DREJT


Shpinën mbështes te
Cungu…
Hurb vesën te ama,
Diellin kap prej flokësh,
Në gjoks të tokës këmba
Drejtpeshimin,
Mbaj!
Zog i hapësirës
Viset rrok… prej kohës.


RROJ TË MOS VDES!


Në qiellin e kthellët i ndezën rrufetë,
Prijësin e prijësave po na godasin.
Në pritën pabese dolën çakejtë,
Ne rrisim filiza,
Kohës t’i qasemi!
Hordhitë sulmojnë, si do t’i zmbrapsim
në sheshbetejë?!
Kohës moderne, mesjetë e errët!
Kaq frikë,
Kaq tmerr në palcë u kallim! Medet!
Shqipen ne mbollëm;
Shqip hodhëm farën,
Kur ishim ne, ata ku qenë?!
Gdhend gurët e shpirtit
Me shenja arbri
Mbush tokë e qiej…
Dhe në gurrë rilindase, në gjunjë,
Hurb amën.
Thërras Kryekombin,
Se rroj të mos vdes!!!



PIKËPJEKJE 


Cila m’i ujit lulet e zemrës
Në syrin e gurit ?!
Mas fjalën e kohës
Me kutin e burrit...
E dal në pikëpjekje
Kah muzgu i shekullit
Për të rikapur agimin
Që nuk po më vjen?!





THIRRJE


Një eshkë, një uror
Nga galaktika e yjeve
Ndez zjarrin e kohës,
Thirrje për shpirtrat!
- NJË RIT!
Në mëngjes përkthej natën
Përshtas fjalën, ëndrrën,
I marr zogut nota, tinguj,
Nis e ndërtoj këngën…
E përditë më vjen ky rit
Kod, prehistorik.
Zjarri në oxhak s’u shua
Drita nuk u fik!





STINA E QERSHIVE 


Ajo vjel qershiza
Të ajthshme, të pjekura,
Unë, në hulumtisje
Kap, soje, të tjera…
Plasin kokrra të hijshme,
Gufur nga pranvera
Dy në buzën time
Plot me lëng e erëza...
Kjo stinëz qershie
Oreks i pashuar
Si tespi brilante
Dy,i los në duar!




KUJTOJ FILOZOFËT 


Kujtoj filozofë
Grekë, mendjehollë
Sot!
Pushtetarë
Të shtirur
Llomotisin
Kot!
Ne poshtë duartrokasim,
E buzagazim
Me lot!





UJKU


Kaccavirrem sot te yjet,
në puje të thella,kërkoj Trojën,
luaj me fëmijërinë time,
në gurra po flladis krahrorin.
për çudi,në shtrg rrënoje,
ujku më lyp pasaportën!!




LOTI 


U ça pragu i shtepisë,
u tha lulja e bari,
njëzet vjet pikon një lot,
loti, lumë malli!





IKU


Na iku jeta pa e shijuar,
si një fëmijë që s`mori gji,
ide e ndjenja ,konservuar,
liri pa shpirt,
shpirt pa liri!!




Fran Ukcama u lind në Tropojë më 25 mars 1946.Pak kulloshtër bjeshke,
Ka mbaruar gjimnazin në qytetin e Bajram Currit më 1964 dhe me provime plotësuese një vit më vonë, më 1965, mbaron shkollën e mesme pedagogjike në Shkodër.
Nga viti 1964 deri më 1973 ka punuar në Tropojë si mësues dhe drejtues në institucionet kulturore.
Në vitin 1975 u diplomua në Universitetin e Tiranës si mësues për shkollat e mesme në degën Histori-Gjeografi.
Ka kryer specializimin pasuniversitar për histori dhe disa specializime në fushën e artit dhe kulturës.
Qysh nga viti 1973 e në vijim jeton e punon në qytetin e Fierit si mësues e së shumti si drejtues në institucionet kulturore e artistike.
Nga viti 1997 deri në vitin 2002 ka jetuar në Athinë, ku ka marrë pjesë si bashkëpunëtor te "Gazeta e Athinës" me artikuj e krijime letrare.
Aktualisht kryen detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë Fier.
Krahas kësaj jep kontributin e tij në letërsinë për fëmijë, fushë në të cilën është nderuar dhe me çmime kombëtare.
Është anëtar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe i Akademisë së Arteve dhe Letërsisë Europiane në Bruksel.
Kete vit ka marre nga kjo akademi medaljen e arte per ciklin poetik nga libri "Kulla ne qerpik te diellit".
Qysh nga viti 1973 ka botuar në revista dhe gazeta cikle me poezi.
 
Ka botuar 7 vëllime me poezi për fëmijë:

"Fëshfërijnë kallinjtë e grurit"-1986
"Shqiponjat e bjeshkës" – 1996
"Engjëjt luajnë me mua" 2000
"Vallja e Bukurezeve" 2003
"Dielli luan kukafshehtas" 2004
"Ejani të vjelim yjet" 2004
"Ujëvarë në sytë e marsit" 2006
"Zemra shkruan kartoline" 2009
Është autor i shumë pjesëve teatrore që janë vënë në skenë në Teatrin e Kukullave të Fierit dhe qindra tekste këngësh për fëmijë, me një prej të cilave është nderuar me çmim edhe vitin e kaluar.
Romanet për fëmijë:
Postieri i zemrave 2002
Gjurmët e lotit 2004
Vjosana, bija e delfinit 2007
Pulëbardhat e shpirtit vikasin 2009
Bobi 2010

Dramaturgji për fëmijë:

• Armiku i rremë
• Gjuha e kafshëve
• Genti në fshat
• Gomari harraq
• Mosnjohja
• Beni Alieni
• Loni Pokemoni
• Mjalti i mjaltit
• Luajmë SMS
• Bobi, djali i Biznesmen Beut

Monografitë:

• "Çetnikët e qejfit"
• "A doni më për…?" Kushtuar aktorit Fuat Boçi 2006
• "Udhëtoj në visaret e këngëve", Kushtuar këngëtares Sofika Hodo"• "Në majat e humorit popullor" Kushtuar aktorit Ndreke Beltoja

Vëllimin poetik për të rritur:

"Kulla në qerpik të diellit"- 2008


Freitag, 25. März 2011

CIKËL POETIK nga Ilir Magjistari


ILIR MAGJISTARI


SI TY.......
Ithare...
I etur...
Kerkoj pak uje
Ne zheg i tretur.
E rrugen marr
Ne te shtratit lume.

Por ah...
Ky shtrat
Nga lumi braktisur
I thare,
I djegur si une
Me s'ka;
Gurgullime zallishtes,
Vec melodi ne miniature
Guraleceve mbetur
Si endera haruar
Ne kujtese mbetur.

Kembet qe me vriten
Thellesisht shpirtit
Me dhembin
Dhe shtrati i thate
Gjarperon
Deri lart tek burimi
Qe ...




A s'me thua?O Zot...:ti mos qesh,
Mos qesh,a s'me thua
Si ndenjur kam kaq vjet
Ne nje ombrelle grisur
E s'paskam kuptuar

Ne mbrojtjen tende isha
Ylli vrapnxituar
Uji shpirtralagur
Me paska ''perveluar''

E s'paskam kuptuat
Ah ....une kokektisur
Se qull qenkam bere
Nga ombrelle e grisur

06.03.2011



Une,yti dre....
Mes gishtave te tu
Briret perkedhel
Ti.....vizitorja ime
Me buzeqesh
E ....miser me hedh.

Tunduar ndihem
Nga pas te ndjek
Ti iken
Vrapon
Nga ndjekja ime
Gezon e qesh.....

Une iki...vij
Ti shkon e vjen
E lozim mes kopshit
Ti lozonjare
Une i yti dre....

07.03.2011





Peng...
Pas trungje pemesh
Krasitur funddimrsh
Si buste njerezish
Hija jote
Kukafshehtin loz
Pa tinguj....

Ne diten gri
Pa diell
Ti,
Buzeqeshur do jesh
Imazhe te ndrojtura
Te brishta
Ku s'ka as lindje
As perendim.
Ti loz
Loz me Shen Valentinin
Qe neper zemra trokitur ka
Tremb vetmine.

Bashkuar me turma dashurish
Syndritur
Buzeqeshur
Per te vazhduar jeten
Po po...
Jeten qe pas ke lene.

12.02.2011






Ishte kohe fishkellimash
Ishte kohe fishkellimash
S'kishte celular,
Janari ne dritaren tende
Gjurme te bardha
Kish lene mbi parmak.
Nen te
Une fishkelleja
I ngrire si ne sarkofag.

Ishte kohe fishkellimash
Ti.....
Fshehur zbrisje te me ngrohje.
Perqafimi,
Jete me jepte
S'isha me ne sarkofag
Ndizej drita,
Pershendesje,
Shkrinte bryma mbi parmak.

Ishte kohe fishkellimash...
S'kishte celular...

Ilir 23.01.2011






Kur mbremja te vije
Kur mbremja te vije
E yjet te ndrijne,
Lehte
Do trokas ne deren tende,
Me Henen perdore....
Buzeqeshur do puthemi,
Si engjejt do zhvishemi,
Do rrime perqafuar,
Per ti thene nates
Se vetem nuk jemi...

Kur diellii majave
Tingujt e dites
Te nis e kendoje
Ofshamat e nates
Me nuk do ndihen,
Ti....
Endera ime do thuash,
''Te lutem rri dhe pak...''
Por ti e di
Po me pa dielli,
Une kthehem ne djall

E lotet e tu per ikjen time
Nuk do ti fshij,
Do ti le pa thare,
Ne gjoks do ti mbaj,
Per sa kohe serish
Nata do vije,
E une tek ty
Prape do trokas...
Se naten vijne yjet
Me Henen nga pas

17.01.2011






Ne gjumin tend
Ti tani me siguri fle,
Mbeshtjelle
Ne endera carcafbardha
Buzqesh...
Pastaj vetullngritur
Kenaqur,
Buzeqeshur e habitur
Si ne perralla
Ku mes xhuxhash
Ti je Borebardha.

Gjumi trishtueshem
Ne vetmi te ka zene
Me ke pritur
Ah...kushedi se sa
Tenden ngrohtesi
Se largu ndjeja
Ti...
Princeshe e enderave te mia

13.11.2010






Mbi grine tende...
Mbi grine qe ti pas e le
Zhvirgjeruar mbeten buzeqeshjet
Ne goje te padhemba shtrigane
Nga vyshkja e enderave....
Mbiu trishtimi
Mbi plehun e premtimeve te pambajtura
E.....
Sokellime perbindeshash me krahe
Qe aq shume u ngjajne djajve


Mere pra me vete
Tymnajen tende gri
Ti....
Yll qe kaq lehtesisht
Vrimat e zeza te perpine
Me tymin ...
Djegje enderimesh
Dhe ler.....
Nje kohe e re
E nje yll i ri te ndrije....

04.09.2010





Mbreme kam fjetur me Kleopatren
Mbreme....
Ah...mbreme kam fjetur me Kleopatren
Si skllav i zgjedhur per dashuri
Dhe e dija qe sot...
Kokeprere do gdhija
Domozdo,i hyre ne histori.

Mbreme...
Ah....mbreme kam fjetur me Kleopatren
Ne carcafe mendafshi sperkatur eremire
Arome e trendafilte perhapur
Shandane e qirinj...
Ne shtrat mbreterish,zgjatur e shtrire....

Mbreme....
Ah....mbreme kam fjetur me Kleopatren
Ne mengjes
Kleopatra ime qeshte si e marre
-Qe te flesh me te,e koka mos te iki...
Me thosh,
Duhet te jesh nje ...Jul Cezar

Po....
Sot,me koke mbi supe jam
Jul Cezari yt kete mengjes frikerime
Dhe ti mbretereshe e bukur
E brishte e lozonjare
Je...Kleopatra ime....

04.08,2010





Vdiq Odiseu(Kushtuar aktorit Bekim Femiu)

Mbi kuaj legjendash kaleruar
Lundruar mes egersi detesh
Ndonse kaq larg Itakes tende
Odise per se dyti mbetesh.

Po....!

Vdiq serish dinaku Odise
Rrethuar kurora mbreterish madheshti
Dhe prap e prap meritueshem
Mbetesh legjendar ne pavdekesi

17.06.2010





Zemer çapkene...
Eh....zemer capkene
Ze, me ke dhene vargjeve
Sa here mesrrugesh lene me ke
Heshtur...
Memec para vajzave...

Eh...zemer capkene....
Ke qeshur...
Me trishtimin tim tallur je
Ne dhomezat e barkushet e tua
Rob dashurie sa dite me le...

Eh...zemer capkene....
Kemi qeshur,
Sa here bashke kemi qeshur
Dhe lutem:Nga gazi
Bashke kemi per te vdekur...

12.06.2010



Për "Sofra poetike",  Haxhi Muhaxheri

Donnerstag, 24. März 2011

CIKËL POETIK Nga Agim Desku


LOTËT QË FLASIN

...Për ditë
u grinda me perenditë
kafshoja veten
thitha gjak gjarpri
Atdheun e mora më vete
herë në tokë
e herë në qiell
zbrita Purgatorit të Dantës
u ngita legjendave të Mujës e Halilit
aty ku zanat i dhanë gji të pijë
bacë Ademit.
Në Rozafat u grinda edhe me Zeusin
kur e gjeta shpatën e Skënderbeut
e shkruar me shkronja shqipe
dymijë vjet para Krishtit.
Kalova andej Durrahut
të takoja Homerin ditën me fenerë,
edhe pak verë të pi në Çamëri,
t`i puthi mbesat e nipat e mi
më lotë më flasin,
buzëqeshjet vrasin
zemrën time
për ditë ngapak
pse s’kam liri për ta
pse s’kam dashuri
as në vargun tim,
as një fjalë të vetme
nuk e di ku ta marr për ata
që nuk dinë të thërrasin liri shqip
as të vrasin shqip,
as të dashurojnë shqip
Çamëria
Për çfarë të shkruaj
mbrëmjeve me zjarrr lirie
Çka i duhet pranverës ky zjarr
që vërbon sytë e nënave
më thuaj Ti, Atdhe
ç`të shkruaj sonte
për lirinë time
pa Çamërinë.
Nuk e nënshkruaj kurrë pasaportën
pa miken çame
nuk e dua lirinë i vetmuar
pa flamurin kuq e zi
të valvitur me shqiponjë
në Çamëri
as kokën pa tokën denbabaden iliro-dardane
që ma vodhën zotat e huaj
kur fjala kishte heshtur diku në dhe e diku mbi të
Sonte
jam zgjuar të shkruaj vargje që ngacmojnë heshtjen
e njeriun tonë ta zgjojnë nga ëndrrat për pak liri
që na shtrohet pallateve ngjyrë blu
gjysmëgotash herë të zbrazura metropoleve evropiane
të dehur ngrenë dolli për fjalën tonë të heshtur
sikur edhe unë i dehur me shekuj
edhe pse i robëruar me fjalë e me shpirt
Sonte
kam të drejtë të jetoj e të kërkoj liri për Iliri
ku denbabaden isha zot vetë, isha iliro-dardan
isha Çamëri, isha Kosovë e Tetovë
isha Preshevë e Malësi
isha vetë Iliri
isha Shqipëri.
Sonte
jam vetë zot e Kastriot
jam Mic Sokol e Adem Jashar
jam Kosovë e Rugovë
Sonte
jam Preshevë e Tetovë
jam Malësi e Çamëri
Sonte
jam shqiptar e jam Shqipëri




LIRI E KRYQËZUAR SHQIP
(Më rastin e vdekjës tragjike të poetit Tahir Desku, te Kroni i Mbretit)

Të paktën
të erdha
liri,
bashkë me agimet e mia.
Ëndërrimet më rikthyen sërish
ta mundja vdekjen,
se pak para teje
erdha.
Ti
na gjete këtu,
liri
si çlirimtar
apo kryeneç.
Për Ty
të vetmit ishim
Atdhe
Për Ty
jam më i kryqëzuari
shqip,
më i buzëqeshuri
për emrin tënd
e tim eti
dhe tokës besë
e shpresë.
Erdha të prehëm
për pak
edhe me ty
gjeneral.
E dija
së në shpirtin tënd
ka vend
edhe për vargun
e poetit gjeneral.


Dhjetor,2005



DIELLI
Me diellin
lartësohet liria.
Lulet
prap marrin aromë.
Këngët
këthejnë tek unë,
bashkë me mikën
pimë ujë Prekazi.



TIVARI
Në Tivar
nata mbeti
pa ditë e dritë.
si të kërkonim
liri,
kur humbëm
edhe fjalën.
Në ditarin
Arnold Von Harfi
numërojmë
deri në 4700
Detit
ia vodhen ëndërrat
për të Bukurën e Dheut.
Kur të vie
si nuse
në Prishtinë,
Ilir
më shkruan
në flamur,
falë Zotit
liria
është fjala ime
e fundit
për të Bukurën e Dheut.




PORTRET NË FUND TË BURGUT

Ditën
e matja më natë.
Në zemër
shikoja emrin tim,
kur më mungonin sytë
e kafshoja tokën
herë kokën,
të dyja
ia falja ëndërrës
vetëm për pak liri,
së si e vizatoja
atdheun
në çelinë
e zemrës sime.
Nuk e dija
cili ishim njeri,
unë
zoti
apo djalli,
nuk e dija
as çka kafshoja
dhëmbët e mi
apo atdheun.

(Dubravë, 1999)




PSE FJALË

Nuk e dua
fjalën
as dashurinë
pa atdhe,
as njërën
pa tjetrën/
Më jetën
bëj ç’të dua
herë e fali,
herë e vras.
Nëse nuk e do Kosovën
me Shqipërinë,
kurrë nuk i dua fjalët
pa vargjet çame,
që m’i çmendin kujtimet
për mikën
e këngës labe.



 PASAPORTA E FLAMURIT

Emri
Ismajli, Isa, Iliri
edhe unë
Agim Desku,
shteti
-Jetoj,
që nëntëdhjetë e nëntë vite
në shtetin e coptuar
shqiptar,
me prindërit e farefisin tim,
të njëjtën bukë
e ndajmë më Shqiponjat e Butrintit.
-Jetoj dhe vdes
me të njëjtin flamur
kudo në Iliri,
nëse jetohet
jeto me të njëjtin flamur,
nëse vdiset
vdis me të njëjtin flamur
edhe në Çamëri
me të njëjtin flamur
Kuq e Zi.




ARZANA
Arzanës ,arkeologës së parë IlireMe kalorësit Dardanë
Me kalorësit Dardanë
kaleroje Ilirinë
Butrint
Rozafat
Dardani
Ç`vazo më solle
Arzan
për fisin tim
Ilir
ma mësove arkeologjinë
dhe me emrin shqip
vajzën ta pagëzoj.



ORË HISTORIE

Alfabetin
kohërat ma mësun
im zot
kur mes rreshtash
lexoja historinë
Ilirisht.



NË LAPIDAR
( Sh. Gjeçovit)

Kohë për mendje
kohë
në gur
kohë
në dhembje
kohë
për burrë.





DRITIM VARGUN QË E RUAJ ME VITE

Sonte e kam pёr zemёr tё shkruaj vargjёt e rrugёve tё krisura
qё i ruaj me vite pёr ty Evropё
tё luftёrave tua pёr tokё e nam e mё netёt pa gjumё,
tё luftёtarёve tё lirisё qё ёndёrra e kujtime i lanё nё shoqёri mё hёnёn
si dikur unё nё Siqevёn time tё fёmijёrisё
kur as lutjet nuk mё pranoheshin nёpёr udhёtime tё pafund
atёherё mё duhej tё notoja detit mes valёve e mes furtunash
ku vinin edhe pulёbardhat mё ne qё tё na pёrcjellin fluturimin tonё
sё bashku ndeznim qirinj e mbanim zi pёr Titanikun
nё Tivar ngritnim dy gishtёrinj dhe i shkruajmё lutje mikut
tek shetisja rrugёve tё Evropёs çdo ditё bёhem mё i ri pёr atdheun tim
flas mё tё e çmallёm nga ajo tokё e huaj dhe çdo natё ёndёrrat sikur mё flasin
tё kthehёm aty ku isha fёmijё ,ku lozja me gurёt e murёt
ku ndёrtoja Kalanё time prej Kosove, nёpёr secilin cep atdheu
pёr sa herё e mё ç`mall e lexoja Bagёti...tё Naimit
ato male nёn hijen e mrizeve kullotja edhe unё bagёtitё e mia ,sa bukuri,ç`farё idile
por ,sa mё mungonte diçka mё e bukur, diçka qё e ёndёrronim brez pas brezi
denbabaden ,gjysh e stёrgjysh ,e vetmja fjalё e dashur qё mё bёn dritё,
tё cilёn fshehurazi ma thoshte nёna edhe babai e thoshte mё dashuri
sa ёmbёl ma mёsonte edhe mёsuesi atё fjalё tё bukur e tё dashur
ajo, ishte vetё Liria , qё me shekuj e prtnim ,e donim si tim bir
e pritnim pёr ta puthur sёcili pёr vete,kush mё shumё sё sa unё nё dheun e huaj,
e puthja me lotёt e mi, mё sytё e mi ,mё zemrёn time ,me trupin tim
tё lёnё kujtim, tek sa i thyenim gurёt e Kosharёs,
aty ku e thyem edhe kufirin e emrit tim Agim,
ku shqipet tani fluturojnё tё lira ,nёpёr sёcilin cep te atdheut tim.
Falma njё lule prilli
Eh...
Sonte….
sikur e vodha lotin e asaj nate
kujtim i lёnё buzёve tё puthitura
tё kalorsit tё burgosur
nё dyluftimin me sёcilin bajloz
qё i afrohet hёnёs dhe diellit
apo ёndёrrёs sё priellit.
Sonte
nё Takimin me ty
mblodha ca lule
qё dikur kishin aromё dashurie
ti solla sikur pёrherё pranverave
kur dilnim me duar tё bashkuara
sikur qё nuk dinim q`tё bёnim me puthjet
atyre e takimeve tё asaj nate plot me hёnё
pёr ato puthje tё pambarim
buzёt janё dёshmitarё.
Sonte
e kam vetem lotin
kujtim.
Sonte
s`di si ta ruej zemrёn nga vdekja e hershme
e kalorsit te burgosur
nё dylyftimin me sёcilin bajloz
qё i afrohet hёnёs dhe diellit
dhe ёndrrёs sё prillit.
Sonte e luta kalorёsin tё ma falё njё ёndёrr
apo njё lule prilli pёr pёr buzёt e mikёs
si aromё tё puthjeve si zjarr lirie.
Sonte edhe unё u bёra lule e sёcilёs aromё
u bёra kalorёs i atdheut tim.
Sonte
mё sёcilin bajloz jam nё dyluftim
edhe pёr dashurinё edhe pёr puthjet e mikёs,
pёr atdheun bёhёm ushtarё i tij.
Cilёn buzёqeshje ma fali pranvera
Cilёn buzёqeshje ma fale atdhe
pёr cilin lapidar t`ia shkruej epitafin
mikut tim diku i zhdukur nga lufta nё numrin 1820
edhe nё njёmbёdhjetё vite pritje
nё dorёn time tё lёnё kujtim ca gurё tё thyer tё Kosharёs
mbeshtjellur me aroma lulesh.
mё shumё dashuri e fjalё.
Pёr cilёn buzёqeshje u bёra baladё
herё u bёra kalorёs i saj
buzёdrinasja ime si u tretё nё vajё
si zog kanarine fluturoj
dritare e botёs u bё
bashkё nё pёrqafimin tim
pёr lirinё erdhi e na pёrgёzoj
dhe iku e u bё zjarr
tokё e nёnё
u bё edhe dashuri
buzёdrinasja ime
u bё  l i r i.




DRITIM

I gjason gurit
vaji im
dhe këngëa
shqipe
që nëna ma mësoi
të flë emir
në mua
e fjala n`besflijim.




UDHA E SHQIPEVE

Në mbretërinë e Teutëa
qyteti Butrint
njëmijë e njëqind drejtime
numri 001
apartamenti Evropa
është udha e Shqipeve.




 EMRIN E KAM POEZI

Emri im
mё ngjan nё varg
e vargu
nё emёr.
Nё liri erdhёm
si ushtarё e gjeneralë
pёr tokё e kokё
e plis tё bardhё
denbabaden
se shqipet na rritёn
nёpёr secilёn kala
duke valëvitur flamurin
kuq e zi
me emrin Shqipёri
e Çamёri.





 FLAS ME VARGUN

Me vargun flas
shqip
e nuk zihemi asnjёherё.
Flasim mё shumё
pёr atdheun
dje e sot
me gjuhё zemre
flasim deri nё agim.
Fjalёt i marrim
aty ku ka liri
ka edhe pak vend
nё secilin varg
pёr miken time, Valerinë.
Me vargun flasim
pse jo edhe pёr dashuri.
Pёr luftёn shkruajmё epitafe
martirёt i ndritim nё gjeneralë
me vargun kemi çka flasim
çdo ditё nga pak
fjalёt kurrё nuk pёrfundojnё.



SHENIME PER AUTORIN


Agim Desku hyn në radhën e atyre krijusëve që veprimtarinë e vet poetike e kultivon me sukses për të rritur dhe për fëmijë. Ai, duke shkruar vjersha të bukura, në mënyrë simbolike këndon për njërëzit e shquar të kombit dhe për ata të penës, këndon për shpesët, por edhe për jetën plot të papritura me tema e motive të llojllojshme, të cilat kanë karakter edukativ. Përmes një perceptimi të qartë poetik, ai na orfon një pikturë të gjallë për jetën në përgjithësi. Me imagjinatën e tij Desku, në mënyr specifike i përjeton dhe i vulos motivet reale, të cilat trajtojnë aspekte të ndryshme dhe ofrojnë njohuri për shumë anë të jetës. Pra, ai derdh frymëzimet duke folur me zërin e tij dhe duke thirrur me plagën si përkatësi shpirtërore .Fokusi poetik i përqendrohet në një objekt poetik: qenia,qenia si objekt thelbësor i idesë dhe mësazhit.Kështu, nëpërmjet vargut autori Desku arrin të paraqet kompleksivitetin e qenies ,relacionet të saj me gjithësinë ,me vetveten;shfaqjet e ndryshme të saj dhe vendndodhjen në kohë e hapësirë .Në vargun e tij arrihet të shkrihet biografia e autorit me biografinë e qenies.Qenia që paraqitet nuk është e përcaktuar dhe kjo është një e arritur tjetër e tij ,sepse ka lënë mundësinë e identifikimit të secilit lexues me atë poezi.Brenda këtij subjekti ngërthehen edhe shpresa,edhe zhgenjimi,edhe qëndresa,edhe përkujtimi,edhe reagimi i një shpirti,i cili gjen prehje vetëm në synimet e poetit,i cili shquhet për kah vargu dhe poezia e shkutër,të cilat sot janë edhe shumë të preferuara.Mirëpo ,duke pasur parasysh se vargu dhe poezia e tillë do përgjegjësi të veçantë,ai kësaj çeshtje ia del dhe krijimtaria e tij na servohet si shumë e qëlluar dhe me fuqinë e mesazhit shumëdimensional.
Agim Desku u lind në fshatin Siqevë të Klinës në vitin 1957. Shkollën fillore e kreu në Ujmirë, gjimnazin në Klinë, kurse SH.L-në (gjuhën dhe letërsinë shqipe) në Gjakovë.
Deri më tash ka botuar tri vëllime me poezi . "Pëshpëritje drite" 1995 (Për të rritur), "Kënga e pranverës" 1996 (vjersha për fëmijë) dhe "Në cilin varg mbes" 2007
Është antarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i klubit letrar "Karagaçi" të Pejës.
Agim Desku jeton dhe punon (mësimdhënës në SH.F "XH.Kada") në Pejë.


Për "Sofra poetike":  Haxhi Muhaxheri