Sunday, March 27, 2011

Cikel poetik nga Kozeta Zylo


Mjelmat po të vijnë!

Nuk e di,
Në më ke harruar liqeni i bukur i Tiranës,
Nuk e di?
Fëshfërimën e mëndafshit vishnje, veshur dikur,
Dhe fërshëllimën e te dashurit tim,
Nga kënaqësia e puthjes,
Kur loznim kukamfshehtësi,
Dhe në gjethet e bardha,
Të lule deleve, kërkonim fatin,
Më do apo s'më do?
Nën ëmbëlsinë e cicërrimes së zogjve,
Ne ecnim te dy të përqafuar,
Rreth trungut të pishave,
Aty ku lulet bënin pjalmimin.
Unë nuk e kam harruar liqenin tim,
Prapë dua të vij pas kaq vitesh,
Edhe pse mund të jesh zemëruar,
Nga mosardhja ime aty,
Por druhem se mos pishat jane tharë,
Dhe liqenit po i humbet shtrati,
Oh, nuk dua ta besoj kurrë këtë marrëzi,
Pritmë liqeni i bukur, pritme si dikur…
Se mjelmat po të vijnë!





The Swans are Coming to You!


I don’t know,
If you have forgotten me beautiful Tirana lake,
I don’t know?
The whisp of my silk, walking sometime,
And the rustling of my lover,
From the pleasure of a kiss,
When we played hide and seek,
And in the white petals,
Of the daisies, we asked fate
‘Does he love me, or love me not?’
Under the sweet chirping of the birds
The two of us walked holding each other
Around the trunks of the pines
There where the flowers pollinated.
I have not forgotten my lake,
Again, I need to return after so many years,
Even though you may be upset,
From my absence there,
But I am daunted that pines might be withered,
And that the lakebed is gone
Oh, I don’t ever want to believe this foolishness,
Beautiful lake, wait for me, wait for me as then…
Because the swans are coming to you!


2008






Tungjatjeta Kosovë!

Tungjatjeta Kosove!
Tungjatjeta Princesha ime,
Sot po udhëtoj kudo,
Me medalionin e Lirisë në gjoks,
Medalion që s'do ndryshket kurrë!
Në kujtesën e dhimbjes shkulmëzon shpirti,
Për rrëmbimin e të artit medalion,
Nga zotat e heshtun të Olimpit...!
Lamtumirë ju Zota të heshtun, lamtumirë!
Lamtumirë ju që ma gërryet kockën,
Me molën e hipokrizisë!
Princesha ime Kosovë,
Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë,
E me ju të bashkohem ne simfoninë e këngëve,
Të miliona shqiptarëve, që këndojnë shqip,
Aty, në tokën e lirë!
Sythet e Lirisë kanë buisur,
Janë harbuar sot, në degët e Shkurtit,
Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere!
Mëngjesin e burgosur zgjoi,
Duke hapur kufirin e shpirtit,
Me vezullim rrezesh nga bjeshkë Kosove!
Më fal Kosovë që s'të vij dot atje, më fal,
Por, edhe pse larg teje sot,
Unë po e shijoj këtu lotin e gezimit,
Te ngrirë kallkan, acareve,
Tashme të shkrirë nga Ju, por edhe nga kjo tokë,
Ku u vesit gonxhja e Lirise, dikur si manushaqe kokëulur!
Nuk do dëgjoj më krokatje korbash,
Ato kanë kohë që u shkrumbuan në harkun vetëtimë të Lirisë!
Në trungun e tokës tënde, dhimbjet lëshonin rrënjë,
Sot ato u groposën në dheun e Prizrenit, Prishtinës…
E në gjithë tokën e Dardanisë!
Unë kam kohë që jam larg teje, kam kohë…
Por dhe pse larg, vetëm tek ty përkundem me ninulla,
Në të vetmin djep me shqiponjë gdhendur,
Me emrin Kosovë, me emrin Shqipëri!
Eja, Liri Kosove, eja dhe tek unë,
Më kap prej dore, se sonte dua të hedh vallen e Rugovës,
Me xhamadanë sokolash e me plisin e bardhë në kokë,
Të trand botën e cmendur, që shekuj me radhë,
Ta përtypën Lirinë!

New York, 17 Shkurt, 2008






Ta dije ti...

Tutje në park është kredhur vjeshta,
Me leshra të verdha përmbi degë,
Një shi i butë më bie mbi supe,
Si me magji thur një gërshetë.

Dhe heshtur vjen kujtimi i tij,
Porsi hënëz fshehur nën gjeth,
Më mbushet shpirti, ëmbëlsi,
Ah ëmbëlsi, veç ty të ndjej...!

Është zjarri i shpirtit, që përvëlon,
Dhe thellë gjumit djeg mbi të,
Një drithërimë trupin përshkon,
Në se si hiri bëhet çdo gjë!

O dashuri e ëmbla ime,
Që luajmë bashkë mijëra herë,
Ta dije ti çmendurinë time,
Do bashkoje tokë e qiell...!

Manhattan, 1998






Një pikë hëne

Erdhe mbrëmë në kalë shaluar,
Në ca shtigje që s’i di,
Një pikë hëne shtrydhe duarsh,
Si Sadiu re në gji.

Kishja veshur fustan dielli,
Terrin e muzgut more peng,
Brenda buzëve, mjaltë lëshove,
Bilbil prilli që më çmend!

Me lotë shpirti njome shtratin,
Nga dritarja Hëna qeshte,
Të mos mbyteshim të dy,
Unë i piva, gjithë për vehte!

2009





Cipa e shpirtit


Më prekin cipën e shpirtit të ëmblat fjalë,
Dhe timbri i zërit më vjen butësisht tani,
Dridhet zemra ime nëpër fantazi,
Për puthjen e zjarrtë mbetur tek ti!
Unë po shkoj të fle nën kupën e qiellit,
Dhe yjet do më lajnë me lotin e florinjtë,
Do të gdhihem me mëngjesin e artë të diellit,
Një ylber me ëndrra mbi shtrat do jenë shtrirë!
Korrik, 2008





Monumenti i Lotit

Sa lot është derdhur,
Për ty nënokja ime Shqipëri!
Në qoftë se do të kishim mundësi për t'i mbledhur
Me siguri do të krijohej një oqean i tërë,
Ndoshta oqeani më i madh kohor,
Në gjithë rruzullin tokësor.
Është lot i brezave, që pushtuesit panë me sy,
Është lot i vashave, për të dashurit,
Që u arratisën nga aty,
Është lot i pleqve,
Për fëmijët që i lanë në vetmi,
Është lot i bijës,
Që s'u ndodh pranë në vdekjen e nënës
Është lot i fëmijës,
Që rritet pa parë baba me sy.
Janë varret e prindërve,
Që u mbuluan pa një grusht dhe të burrit,
Eshtë lot im që çan palcën e gurit.
E si kalë i hazdisur, vrapoj nëpër shekuj,
Për të qëmtuar brengat të qendisur në shpirtra,
Që pena ime bashkë me skulptorin,
Të ngrenë madhërishëm, Monumentin e Lotit.

Washington, Shkurt 2001




Këze (Kozeta) Zylo

Ka lindur në Tepelenë, nga prindërit Brahim dhe Liri Gjoni, një familje Mezhgoranase, me tradita patriotike dhe arsimdashëse.
Pasi diplomohet në Universitetin e Elbasanit “Aleksander Xhuvani” për Gjuhë dhe Letërsi (1979), punoi si mësuese e Letërsisë Shqipe dhe botërore në disa gjimnaze të Tiranës, ndërkohë kryen dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës.
E spikatur që në vitet 80-të për prirjet dhe qëndrimet e saj jokonformiste, K.Zylo u përfshi energjikisht në proceset demokratike që çuan në rënien e komunizmit.
Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë dhe që nga themelimi ishte në kryesinë e Partisë Demokristiane të Shqipërisë.
Në vitet 1994-1995, u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e saj dhe drejtonte gazeten “Ora e Shqipërise” organ i Partisë Demokristiane të Shqipërisë.
Në këtë gazetë botoi një sërë artikujsh publicistikë.
Është dalluar si një mësuese e apasionuar në Tiranë dhe mjaft aktive në shtypin e përditshëm e periodik, organizatore dhe regjisore spektaklesh të rinisë, etj.
Në gjimnazin “Çajupi” së bashku me një grup nxënesish drejtonte gazetën “E Ardhmja”
Në shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e trazirave social-politike në Shqipëri, emigron në ShBA (New York), ku integrohet në shoqërinë e atjeshme, vazhdon kualifikimet në kolegj, emërohet Këshilltare e studentëve në BramsonORT College (2000-2004).
Punoi si pedagoge disa vite në “Globe Institute of Technology” në Manhattan, dhe tani është e punësuar nga Bordi i Edukimit të New Yorkut.
Shquhet ndër veprimtaret më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan.
Është zgjedhur sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në USA. 2007-2010.
Rreth poezive të saj u zhvillua një orë mësimi e rregullt në shkollën e mesme Susan E. Wagner në Staten Island, New York, udhëhequr nga Prof.Helen Decker.
Gjithashtu poezitë e saj u përzgjodhen dhe u interpretuan në një mjedis amerikan, gjatë një aktiviteti letraro-artistik, në një nga qendrat e mëdha kulturore “Staten Island Greenbelt center, udhëhequr nga znj.Sheree Sobel, shkrimtare dhe psikologe.
Eshtë korrespodente dhe analiste e gazetës “Illyria” në USA, bashkëpunëtore në TV “Kultura Shqiptare” dhe në disa media.
Narratore në TV Alba Life në Staten Island, New York, ku së bashku me bashkëshortin e saj z.Qemal Zylo Ph.D kandidate dhe familjen, janë pronarë të TV Alba Life New York dhe themelues të shkollës shqipe. Për kontributin në TV, mund të klikni në një nga emisionet e saj ne youtube:
http://www.youtube.com/watch?v=hrKOMZaGcwQ&feature=related

Zv/Presidente e Org.së Gruas Shqiptaro-Amerikane “Zëri Ynë” në New York.
Përfaqësuese e medias pranë Shkolles Shqipe “Alba Life” në New York.
Ka organizuar për vite radhazi, së bashku me bashkëshortin e saj z.Qemal Zylo, ditën e Flamurit si dhe veprimtari të tjera atdhetare, kulturore dhe patriotike për Shqiperinë, si dhe simpoziume për çështjen e Kosovës.
Përmes veprimtarisë së saj të dendur, si dhe krijimtarisë së kahershme publicistike, letraro-artistike, veçanërisht në poezi, K.Zylo ka fituar respektin e studentëve shqiptarë në New York, të komunitetit shqiptar në SHBA, Diasporë dhe në Mëmëdhe.
Është e martuar me z.Qemal Zylo dhe ka dy vajza, Dr.Valbona Zylo Watkins dhe Klodiana Zylo Halsted.



Çmimet

Libri “Mjellmat po të vijnë” u shpall libri më i mirë i vitit, në Panairin e librit me shkrimtarët e Diasporës në New York, 2009, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Çertifikatë mirënjohjeje për bamirësi dhe punën udhëzuese tek studentët e saj në mjedieset e një Qendre Shëndetësore, të cilët për shumë kohë punuan vullnetarisht për të ndihmuar njerëz të moshës së vjetër dhe me probleme shëndetësore. Kjo çertifikatë u dha nga Shkolla e Mesme "Wagner" dhe Qendra e Rehabilitimit “Eger", ne SI, New York, në ceremoninë e gradimit të nxënësve, të cilët u pajisën me diplomat e shkollës së mesme. Maj, 2010

Mirenjohje nga Shoqata “Ana e Malit”, New York, 28 Nentor, 2010

I jepet titulli: “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare”

nga Shoqata Mbarëkombëtare I.Qemali Vlorë, 28.11.2009

U shpall gruaja e vitit 2008, në New York.

Çmim nga revista “Fotjon Art”, 2007 – 2008

Çertifkatë mirënjohjeje nga TV “Albanian Culture” në New York, për një bashkëpunim të ngushtë me TV dhe mirënjohje për Komunitetin, 2007

Çertifikatë nga Lidhja e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane për një kontribut të shquar në Letërsi, 2007

Çertifkatë “Mirënjohjeje” nga Shoqata “Dibra” në Amerikë për ditën e Mësuesit, 2006

Çertifikatë nga Akademia e Shkencave në NY, për një punë të palodhur në Media, 2006





Libra të botuar

1. Monumenti i Lotit (me poezi) (2005)

2. Pranverë pa Mimoza (me poezi) (2006)

3. Mjellmat po të vijne (me poezi) (2008

3. Nje fjongo dielli nga New Yorku ( me poezi) (2010)

4. Refleksione shpirterore (kritike, esse, reportazhe) (2010)

5. Bashkautore në Antologjinë “Perëndim i malluar”

7. Bashkautore në librin: “Kur e lë zogu folene”

8. Bashkautore në librin: “Itaka e fjalës”

9. Redaktore në antologjine “Zemra Prindërore”

10. Bashkautore në librin: “Antologie de poezie”

Ka gati për botim dhe dy libra të tjerë.

No comments:

Post a Comment