Dienstag, 5. Februar 2013

Ese nga Fadil Curri


NGA FADIL CURRI

PËRGJIGJE MIKUT QË DËSHIRON TË BËHET POET

E lexova tufën e vargjeve që m' i kishe dërguar, bile me shumë vëmendje. Që në nismë po të them qe ndjej se ky organizëm vargërues i ngjan kokës së njeriut, të cilës ia ka falur Zoti shumë të bukur e që nuk mirëmbahet nga poseduesi i saj. Në të ka sy, hundë, faqe, ball, vesh, flokë, buzë, secilia pjesën e vendin gjegjës, ashtu si e ka krijuar Perëndia. Mrekulli më vete. Secila pjesë i kryen detyrat e veta, bile misionarisht bashkèvepron edhe me pjesët tjera të kokës, të trupit dhe të jashtëtrupit. Nëse njëra sëmuret, edhe pjesa ose pjesët tjera nuk e ndjejnë veten mirë, me permanencë ligështohen. Se po nuk ndjehet mirë njëra pjesë, bile edhe pengohet tjetra, e kuptojmë se kur verbohen syte, jo që nuk ndjehet mire pjesa fqinje balli ose veshi, por edhe këmba nuk shkon si duhet pa sytë. Nëse njëra shëmtohet nga pakujdesia jote, shëmtohert e tërë koka. Poezia jote i ngjante asaj.
Ti ke prirje për të shkruar, ke sensin e përjetimit, por nuk e ke shkathtësinë e përjetësimit përmes vargjeve. Poezia, ngjashëm si koka jote, është e bukur, por lëngon nga moskrehja dhe mospastrimi i saj, shëmti që e zmbrapsin simpatinë e të tjerëve ndaj teje. Mos u bëj përtac, një herë në ditë ose në javë kujdesu për kokën tënde të bukur, së paku pastroje e mos dil fytyrëndyrë ose flokëhapareshur, sepse e shëmton pamjen tënde. Edhe poezia juaj ka brumë, ka dhuntinë që e posedon autori, por disi nuk e ka aftësinë të kuptojë këshillat e të tjerëve(letërsidashës e letërsinjohës, si këto fjali) të duket më e bukur, më joshëse. Edhe poezia, mund të jete e mirë, të ketë subjektin e saj, të ketë ide, objektivin e tyre derdhur në vargje, por, ja që gjuhësisht çalon goxha shumë. Pra, ke harruar ose ke përtuar ta krehësh kokën, ashtu si ke përtuar t'i "krehësh" vargjet gjuhësisht dhe kjo sjell neveri te të panjohurit që të shohin rrugës, përkatësisht lexuesit që e lexojnë poezinë me deformime gjuhësore. Dhuntinë ose talentin që ta ka falur natyra nëse nuk e shfrytëzon pë arritje më të madhe me pak investim kohor e intelektual, ka rrezik ta zhbësh një arritje shume më të madhe dhe të krijohet në shprehi kanceroze që dëmton ecjen tënde letrare në stil, kuptueshmëri, pedantëri letrare, parcializim ideo-estetik, e që përfundimisht të bëhesh rob i identitetit e karakterit sharlatan të njeriut, i cili nuk dallon me identiteitin e vokacionit poetik.
Duke shkruar këta rreshta për ty, m'u kujtua një fletore poezie imja para më se 35 vjetësh, kur isha nxënës në gjimnaz, në të cilën fletore kisha shkruar se "Poezia është jetë për poetin". Më vonë pata mësuar nga një poezi të Azem Shkrelit se nuk është poet ai që nuk vdes për vargun e tij. Këto ditë lexova Artur Shopenhauerin, i cili shkruan se veprimi dhe vepra ndryshojnë, sepse e dyta ka jetë më të gjatë, kurse veprimi zbehet sa më shumë që ikën koha. I solla këta shembuj urtie që të të kujtoj se poeti veprimet e tij jetësore mund t'i ketë nga më të ndryshmet; nga tekanjozet deri te të qëndrueshmet, nga burrëroret deri te qyqaret. Mirëpo, me vdekjen biologjike të tij veset ose virtytet e tij mund të zbehen (pra veprimet e tija), kurse madhështia dhe fama e poezise nuk vdesin, ato mund të shtohen edhe më tjej, mbase edhe më shumë pas vdekjes së poetit. Pra, ndryshe nga veprimi që vdes, vepra nuk vdes, bile ajo mund të ribiologjizohet më tepër. Së këndejmi, mirë është të kesh rreth 30 % veprime dhe 70 % vepra gjatë jetës. Veprimet e jetës madhështojnë veprat e pasjetës. Ilustrativisht thënë, nga 15 vargjet vetëm gjashtë kishin poezi(pra, i përkasin veprës me rreth 30 përqind), të tjerat fjalë deklarative, që në fjalorin e gazetarisë njihet si stil administrativ(pra rreth 70 përqind i përkasin veprimit). Duhet së paku ta barazpeshosh veprën e veprimin, që e dyta të jetë me madhështi fame edhe pas vdekjes së autorit, kur veprimet nuk janë dhe aq të domosdoshme për frymëmarrësit poetikë.
Ato vargje duhet të pastrohen nga teprica "teknologjike" dhe të imunizohen me shëndet e shkëlqim fjalësh. Si u morëm vesh, e botove në një faqe interneti. Vetëm 2-3 veta kishin komente këshilldhënëse, sugjeruese e që e kuptonin poezinë. Të tjerët ishin parukeri përgëzimesh lazdrane, lëvdatash hiperbolizuese, që në frazeologjinë popullore kosovare i thonë ‘JA LYNIN KRYET ME AKULL’. Unë nuk do të dëshiroja të jem në klanin e këtillë, por edhe atë pjesë deklarative të poezisë do të bëj ta veshësh me petkun e mirëfilltë letrar. Kujdes, herët tjera mos shpenzo ‘plumba’(fjalë) pa nevojë, me secilën të qëllosh në cakun e vet, sepse krijohet kakofoni nga breshërima plangprishëse dhe më në fund e pëson vet poezia nga ndonjë plumb qorr i tepërt e vetëvrasës. Ose, më artistikisht thënë, mos e ço dëm ujin nga ibriku, por me atë mungestarin në verën zharritëse, ujiti veten, lulet e kopshtit, së paku të gjitha nga pak, se mund të përthahen e ta shëmtojnë tërë oborrin e shtëpinë, pastaj do të kundërmojë erë plehu.
Poezia nuk shkruhet hëpërhë, por është si frymëmarrja e përditshme, ushqim jetësor,madje poezia e peshuar mirë vepron e ndikon edhe pasi të pushojë së marri frymë autori i saj. Pasi të vdesë autori, shndërrohet në frymëdhënës i të tjerëve që janë gjallë edhe me shekuj e mileniume. Ka mileniume e shekuj që kanë vdekur Homeri, Dante, Naim Frashëri e shumë poetë, por vargjet e tyre ende i japin frymë e shpirt njerëzimit, i japin dije e shëndet emancipues. Prandaj, poezia në të gjallë të autorit të saj, si trupi i njeriut që shpesh kërkon ritrajtim nga mjeku, do riforcim nga autori. Mund të ndodhë që ndonjë poezi nuk arrin ta shkruash me vite, bile edhe tërë jetën, por mu ajo e ka vlerën edhe të përtej e të pasjetës. Një të vërtetë duhet ta dish, se më e rëndësishme është poezia se sa autori. Homeri, Dante, Rumi, Naimi e ndonjë tjetër mund të kenë ekzistuar biologjikisht, ose jeta e tyre ka përfunduar në anonimitet, por poezia e tyre ka mbetur në përjetësi, pavdekësi. Nuk ka vargje më të bukura e që u mungon autori, por që kanë fuqinë e fjalisë me artin e fjales, unike, se sa këngët popullore gojore, epike ose lirike qofshin. Përkundër faktit se autori nuk u dihet, as vendi e viti i saktë i krijimit të parë, u dihet cilësia e përsosmëria e tyre. Këtu është bindja e ritrajnimit permanent të poezisë e të letërsisë, të cilin e ka bërë poeti popullor anonim, populli përgjatë shekujve deri te përsosja e poezisë.
Poezi mos shkruaj të të lëvdojë ‘i hunit e i konopit’, por të të falenderojë vet poezia. Nga ti, pra nga veprimi yt, varet jetëgjatësia e madhështia e saj, pra e veprës. Nëse do t’ i japësh jetë poezisë, kujdesu për të si bujku për tokën gratçore para se të bëhet djerrinë nga përtacia. Nëse do ta mbysësh atë, bëje me fraza deklarative, nise me një fjalë gege e vazhdoje me një fjalë toske e ndonjë të rrallë të shqipes standarde, si po bëjnë disa këngëtarë "folklorikë" me refrenet e tyre jologjike e të bezdisshme joshqipe, nëse nuk dëshiron ta ketë jetën e gjatë poezia, as sa një natë shmalljeje në internet. Lexoji edhe njëherë vargjet që i veçova dhe krahasoji me të tjerat e do të shohësh se në të shumtën e tyre ka "shkart"(qëllimisht po e shkruaj këtë barbarizëm), e në të paktën art. Se shumësia numërore e vargjeve është bezdi e panevojshme, krahasoje poezinë tënde me elegjinë folklorike gege "Kanga e Rexhës". Në fjalitë e poezisë tënde ka shumë fjalë, por porosi letrare ka pak. Ti idetë i ke shkruar me transparencë, kurse te "Kanga e Rexhës" ka pak fjalë të thëna si në konfidencë, sikur vetëm për mendjet e zgjuara e besnike, bile me nëntekst tejet ideo-artistikisht të përforcuar. Poezia juaj nuk do të ketë mbresa jetëgjata as te ti për ndonjë javë e vit, kurse elegjia e tematizuar folklorike këtu nuk ka fund frymëzimi për letrarët, miuziktarët, filozofët me shekuj deri më sot e tutje.
Poezia nuk matet me shumësinë e vargjeve plot defekte drejtshkrimore e sintaklsore, me asemantikë, por me efektin e fuqisë, porosisë shumëzbërthyese edhe bukurisë antologjike. Nëse do të përvojësohesh letrarisht, vargjet e tua krahasoji me redakturën që ta bëra dhe merre si model pleqërimi me miqtë e tu krijues letrarë, (jo)shqiptarë, pastaj do të bindesh se të jesh poet, do të thotë të të duan edhe kur nuk të kuptojnë me herën e parë, por me nëntekstin, figurshmërinë, metaforën shumëkuptimshe. Po ta jap një shembull se si duhet letrarizuar ideja. Kur shkruan vargjet për luftën në Kosovë, vleresimin për Adem Jasharin se e çliroi Kosovën duhet ta bësh me një veshje poetike, bie fjala të shkruash se...

është kandil i syve me liri të uritur
hap i ecjeve miturakë drejt rritës
së emrit në pavdekësi të firmosur
drejt planetit të bekuar të shqiplirës.

Kësisoj do t'u ikësh fjalëve të përsëritura disa herë të politikanëve e gazetarëve, referatmbajtsve të orëve përkujtimore nëpër mitingje dhe të përjoshura nga mediat te populli, që me bezdinë mediokre të fjalësisë, shkaktojnë edhe defekte emocionale. Ashtu si ishte te ti, i ngjante nje referati(veprimi) të shkruar në vargje, pa sintaksë e pa leksik të qëlluar, e jo një poezie(vepre) me temë parapërjetimi me qëlim pavdekësimi. Në formën e redaktuar më shumë i bën nder frymëzimit, temës, poezisë. por edhe vetes si krijues. Mos u bëj shpresëhumbur, por vazhdo me këtë që ke nisur dhe, një ditë vetë do të bindesh se pjesa e poezisë së mëdyshur jotja ishte një ‘tallava’ poetike, jo e unit tënd shpirtëror e intelektual, por diçka lajkatare, euforike e kuazipoetike, e sajuar nga joidentitei yt, kuaziidentiteti i përbiruar në ty. Është e preferueshme të lexosh sa më shumë poezi, por jo të imazhit tënd vargshkrues, jo me deklarativizëm panegjerik të fjalamanisë mediatike të apoetizuar, por poezi që ideja vishet me art e ideshmëri.

Përshëndetje letrare.

Miho Gjini: DUKE U ULUR PERSERI NE SOFER


U kërkova anëtarë të Redaksisë së “Sofrës Poetike”, kolegëve dhe miqve të nderuar, poetë e kritikë të njohur e me përvojë në lëmin e krijimit, të jepnin herë pas here mendimet e tyre konkrete, për poezitë që afishohen në Faqen tonë Poetike.
Mendoj se vetëm dobi do të kishim të gjithë, nga rrahja e mendimeve. Doemos, nuk është e thënë që kritikët tanë të qëllojnë gjithmonë në shenjë. Sikurse edhe ne, krijuesit, nuk jemi gjithmonë të suksesshëm.Veçse asgjë të keqe nuk ka, që me mirësi dhe objektivitet, të kryqëzohem mendimet e krijuesve dhe atyre që i lexojnë, aq më mirë në qofshin ata kritikë dhe studiues të letërsisë.
Duke falenderuar kolegët e Redaksisë për gatishmërinë e tyre, ia japim fjalën Mjeshtrit të Madh, Miho Gjinit, kritik dhe shkrimtar, veteran i letrave shqipe. Faleminderit, Miho! Paçim të gjithë vullnetin, stoicizmin dhe dashurinë tënde sublime për artin!


 GRIGOR JOVANI
Kr/Redaktori




DUKE U ULUR PERSERI NE SOFER...

Çfarë t’i bëj mikut tim, Grigor Jovanit, që më ka ulur edhe mua në SOFREN E POETEVE, që hera-herës të them ndonjë fjalë, si mik e “armik” i tyre (se, të kuptohemi, askush nuk i do kritikët....!) Kështu, në mbremjen e 3 shkurtit u hodha një sy poezive të rradhës... Nuk u zhgënjeva.
Qazim Muska kishte hedhur poezinë e tij “Si malli i vjetër”, ku malli i dashurisë shkrifëtohet si flokët e borës ne palcën e dimrit dhe zemra e poetit regëtin: “Po shkrin kjo borë e rëndë pikë-pikë,/ Si malli im i vjetër veshur në acar,/ Nën syte e tu të zjarrtë, të trëndafiltë,/ Po shkon ky dimër tash si mëkatar..." )
Pak më poshtë, Dëshira Haxhi, po kaq e ndjeshme, ndofta me një finesë edhe më të hollë, e sheh botën e brendshme të njeriut përmes mjegullnajës së syve: “Në lagështin/ e syve të tu,/ shoh botën time si laget...”..S’ke ç’thua më tepër veç këtyre tre vargjeve...
Një emër krejt i panjohur, Carol Ina, ja ku të sjell e të befason me një poezi krejt fëminore, që shpreh aq bukur embrionin e dashurisë njerëzore, në trajtën më të pastër (“Dashuri pa prekje”), tek lodrimi i dy fëmijëve të vegjël, kur jeta sapo çel, në gurgullimat e saj te para: “E vajza kur rrinte mërzitur,/ djali e guduliste,/ në darkë në hënë do takoheshin,/ ose vajza nga yjet do zbriste,/ Ata me të vërtet dashuroheshin,/ me më të çiltrën dashuri, që mund të prisje...”
Mëngjesi i datës 4 do më gjente përsëri ulur rreth Sofrës, po, për fat te keq , kalova një mëngjes të trishtuar, pa gjëra serioze, vetëm proze… Dhe m’u kujtua Zhurdeni i Moljerit, që tha i mërzitur, se “…kam 40 vjet që flas në prozë dhe nuk e ditkam!” Kështu, K. Gushi, publikon “poezinë” “Revoltë për drejtësi”, të cilën, sikundër thotë, e ka nxjerë nga vëllimi 47 poetik i tij (!!!), poezi që nuk afron fare me gjininë në fjalë: “Dua të di, po dua, është vajza që ishte dje?!/ Sa tmerr në është e vërtetë, sdo ta besoja/ Ajo të jet tama një jane, jo s’më besohet,/ ndryshe bota s’do jetonte, është përmbysur” Monologu “hamletian” vazhdon edhe më i ngatëruar..
Trembem e shkoj më poshtë, ku F. Rushiti , ne një vargëzim pa titull, thotë: “Zemra është art në vete,/ Zemra është puthje në terr/ Drejt bardhësisë…” (!!!) Mendova se mos kam të bëj me ndonjë poezi moderne, po hoqa dorë shpejt…
Dhe rrëshqas te G. Jashari, e cila, me ngjit permbi retë: “Tundi mbi ret pambukse,/ Lundro me tej ne gjithesi,/ I hedh krahet ne jasteket e gjumit “ (!!!)...Më tej vazhdonin edhe ca “xhevaire” te tjera, ku u bëhrej thirrje djallit e perëndisë, me lutjen që “të mos lindëte njeriu”.
Por do më qetësonte një poezi e vërtetë e Kimete Mehmetit (“Pritmë”), e thjeshtë, intime e njerëzore dhe një poezi brilante për nënën e Naim Berishës (“Arome nëne”), ku pashë e ndjeva dhimbjen e poetit kur i iku nëna, “si një fëshfërimë, dalngadalë”, që ai, poeti e njeriu, të mos kuptonin asgjë, pa bërë asnjë renkim e duke lënë pas një aromë molle e ftoi, që s’duhej tjetërsuar me vdekjen… Më duhej të mos vazhdoja më. Poeti e kishte aritur misionin e vet të figurshëm, fare thjesht e njerëzisht.

MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh

Naim Berisha: AROME NENE



 
AROME NENE

Ti ike, si një fëshfërimë, dalëngadalë
Ndoshta, që unë të mos kuptoja gjë
Eshtë vonë të të them një mijë herë: më fal

Sepse tani, fizikisht, ti nuk je më

Të të them më fal që vesh s’të mora
Kur ti po ikje pa një rënkim
Pa rënë në sy, siç shkrihet bora
A krejt papritur si vetëtimë

Por ti ke lënë shumëçka në mua
S’më mbyt trishtimi, loti a prekja
Aromën tënde gjithë mollë e ftua
Nuk kish sesi ta merrte vdekja.






POETI HAVZI NELA

( Ditiramb per poetin, te cilin diktatura e ekzekutoi ne litar
me 10.08.1988, ne mes te qytetit te tij, ne Kukes. )


Ti, vërtet, sfidove frikën
Kur gjysma e botës dridhej prej saj!
Koha e pakohë të mori frymën
Përmes Makbethit gjakatar ...!

Ah, sikur në rolin tënd të isha unë
E ti, ndoshta, në rolin tim!
Por jo, ti i pavdekshëm e diçka më shumë
E unë, thjesht, një anonim ...!

Kërkove qytetërimin e mëndjes
Në rrathët hoxhian të ferrit ...!
Ti, personifikim i pathyeshmërisë së jetës
Sfidant i lakut, antipod i tmerrit!

Në fillim të quajtën rebel
Të pabindur, të pasjellshëm ...
Dhe, më në fund, të varën në çengel
Pa e ditur se kështu të bënin të pavdekshëm!

Ti hapur dhe sheshit kërkove liri
Si pak poetë të tjerë në botë,
Jo veç me shkrime, prozë e poezi,
Por dhe me qendresë e kushtrim zëplotë!

Ti ishe vetë dashuria
Shkëmb shpërfillës i qeijve dhe deteve
Bilbil i bjeshkëve të mia, bilbil e shkuar bilbilenjve!

Ku je Promethe që këpute hekurat
E di, shpirti yt qiellit i bën dritë
Ikja jote, sikur na shtypi nervat
Na sëmuri thellë në shpirt!

Ti mposhte jehonat e idhujve pa vlerë
Litarë e zinxhirë, vargonj e çengela!
Porsi malet tona, krenari e nder
Shkëmb përmbi shkëmbinj, poeti Havzi Nela!