Mittwoch, 1. Juni 2011

Cikël poetik nga Agim Gjakova




MOTIVET E QYTETIT TIM

Janë gurët e lumit që kanë marrë ngjyrën e historisë
janë degët e manave ku janë thyer hovet e dashurisë
janë rrënjët e hardhive ku kanë rrjedhë pika djerse
janë kalldërmet dhe boshtet e grave tjerrëse
janë gjilpërat që kanë shpuar sytë e vajzave në gjergjef
janë lotët e derdhur dasmave me def
vetmia është gdhendur natën në ndonjë bankë
balli është gjakosur e ka mbetur me dangë
itarë janë mbështjellë qafe e plumbi vësh në kraharor
ka rënë shi, vetëtimë, kanë çelë lule edhe nëpër borë
ka dalë diell, kanë krisë këngë plot zjarr...
dhe unë kam mbetur një motiv në emrin e tij varë!



LETËR E PADËRGUAR

mos ma përbuz dashurinë
që ta dhuroj pa interes e pa kamatë
në daç kur dielli ta rrezit fytyrën
në daç në mesnatë,

mos m'iu përvish zemrës
që është e hapur e hapur përjetësisht
në daç ngjite tënden përgjithmonë
në daç miqësisht,

mos ma ftoh shpirtin
që të mbulon dymbëdhjet shekuj ngrohtësi,
se gjaku nuk bëhet ujë
e unë s'ndryshoj dot në tjetër njeri.


AKUAREL

Ndodhet ujë urë e rrëzuar me topa
pranë sajë një shtëpi e rrezbitur me gjoba
ndodhet një mur i shembur nga yrrfija
pranë tij një lis i prerë nga bashkia
ngrihet murana ku vranë një grua
pranë saj i argjendtë buron një krua
varë në trug të kohës nga nuk e rreh shiu
sharkisë i vringëllojnë telat kur fryn veriu.


THIRRJE

O zog, ma jep ëmbëlsinë e çerdhes maje peme
po të bëj roje syhapë kundër gjarpërinjve
po t'i tremb sqifterët, sorrat, gjeraqinat,
shkarpat po t'i lyej me dyll blete
po t'i vesh palë palë, me lesh të butë
rryezë trungu ditenatë po të rri zgjutë!...

Era tund degën e çerdhes së verdhë
ia lëkund dy fije kashtë,
ciu-ciu shpërndahet lugjeve të çabratit...
i buzëqesh jehonës me këtë dëshirë të lashtë.


HAKI TAHËS

Kur mundohem të zhbij të vërtetën e përfytyrimit
rrëmbehem, dridhem, shkrihem "krejt s'dlirtit",
po të më vënë një bashkë resh në plagën e shpirtit
nga sytë do të më rigojë shiu i përmallimit.


EDHE NJË HERË

Faleminderit, nënë,
më rrite të fortë përballë së vërtetës
nënë, faleminderit!

Ti ishe madhështia që më bëri burrë
më mësove të tëharr
gramin e jetës që ndërgjegjën të mos ma zërë,

nënë, faleminderit!

Dhe unë në piedestal
të vura më të fortin gur
një copë të zemrës.


ERDHE MOJ NËNË NGA GJAKOVA

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Rrudhat e tua
përrenjtë e lotëve dhe djersës
që rrodhën të rrëmbyer
nga malet e brengave
në lumin e jetës,
sytë e tu
burime të ngrohta të qëndresës
që gufuan pa u ndjerë
nga shpella e ngjarjeve
ende pa u rrëfyer.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Hapi yt
gjëmim i tokës që s'heshti
as para kërcënimit të trefishtë të vdekjes,
duart e tua
mjeshtre që përkëdhelën djem të epokave
që u dogjën në diell të mesditës,
zëri yt
përmbledhje jehonash në këmbanë të kohës
që tingëlloi gjatë
si inçizim i sakrificave
në peshën e dashurisë së tokës.

Erdhe moj nënë nga Gjakova!
Flokët e thinjur si rreshta të rrallë
tezash të kësaj jete
paralele që sosën e zhyten në hemisferën-ballë
ku jetojnë tërë gëzimet e hidhërimet
që shekujve ka peshuar Kosova.


KUR VALVITET FLAMURI

Kur valvitet flamuri
hedhin valle të gjithë dëshmorët
me gëzim të mallëngjyer nënat qeshin
vajzat mëkojnë dashurinë e fortë si guri,
kur valvitet flamuri
petkun e luftëtarit burrat veshin
nuset lidhin shaminë e kuqe në kokë
fëmijëve sytë u xixillojnë
nën hijen e ti djemtë matin burrërinë.

Marrë nga libri: I GJUAJ ËNDRRAT ME GURË




Poezia e ndaluar e Agim Gjakovës

1. Në kohën e diktaturës pothuajse çdo poet ka ndjerë trysninë e çensurës zyrtare dhe të metodës së realizmit socialist. Mirëpo disave që ishin futur në rreth të kuq, apo të tjerëve që guxonin më shumë se sa duhej, u refuzohej poezia herë indirekt, herë direkt, por edhe e pësonin prej saj, transferoheshin në një punë tjetër në vende të largëta, internoheshin, burgoseshin, ose viheshin në shënjestër dhe ndiqeshin sistematikisht, si të padëshirueshëm të regjimit. I tillë ka qenë edhe poeti Agim Gjakova, paçka se kishte provuar burgun serb, paçka se ishte arratisur prej skëterëës dhe kishte ardhur në tokën amë!

2. Duke lexuar një letër-përgjigje të Shtëpisë Botuese ”Naim Frashëri” me nr.366, dt.8.08.1979, dërguar poetit Agim Gjakova, për refuzimin e librit poetik ”Rrënjët po përtërihen”, të cilën autori e ka vënë në faqe të parë jo të këtij libri që nuk u botua atëhere, por që e pa dritën e botimit vetëm më 1995 me titullin “I gjuaj ëndrrat me gurë”; pra, duke lexuar këtë letër, nuk mund të mos vlerësosh faktin se poetët si Agim Gjakova që i kanë rrezistuar trysnive të ndryshme të diktaturës komuniste dhe të realizmit socialist, kanë qenë të talentuar, të guximshëm, të heshtur e të mençur, çka kanë shprehur vetveten, (relativisht) me një gjuhë dhe figuracion poetik sa realist aq dhe tropologjik.

2. Thelbi i mosbotimit, ose më saktë, i ndalimit të botimit të këtij libri sipas botuesve të indoktrinuar të asaj kohe ishte: ”Në vëllim nuk gjen asnjë poezi kushtuar realitetit tonë socialist, transformimeve të mëdha që ndodhin në vendin tonë. Trajtimi i temave të mëdha, i luftës së madhe të popullit për ndërtimin e socializmit dhe shpartallimin e bllokadës imperialisto-revizioniste, i rolit hegjemon të klasës punëtore në shoqëri etj., është në rend të ditës për krijuesit tanë”. Kjo është dëshmia më e fortë midis dhjetra argumenteve të tjerë se, në kohën e regjimit komunist, politizimi dhe ideologjizimi hynin me përdhunë në pronat e artit dhe e shkatërronin atë.

***
Këto kërkesa të botueseve, për të futur faktorët jashtëletrarë në poezinë shqipe dhe atë të A. Gjakovës, dhunonin lirinë krijuese të tij në veçanti dhe të poetëve të tjerë në tërësi, duke synuar që ata të tjetërsoheshin në poetë ideologjik, besnikë të partisë, ndryshe poezia e tyre jo vetëm nuk botohej, por mbahej edhe qëndrim ndaj poetëve.

3. Këtë realitet që vriste talentet, poeti Agim Gjakova e refuzoi duke heshtur, pa iu nënshtrua kërkesave të botuesve dhe dogmave të realizmit socialist, sidomos parimit të partishmërisë proletare, si demon i shkatërrimit të poezisë, letërsisë dhe artit në tërësi. Gjakova nuk e ripunoi librin sipas kërkesave të tyre dhe nuk e botoi gjatë periudhës së diktuaturës komuniste, por pas përmbysjes së saj, me titull “I gjuaj ëndrrat me gurë”, siç e evidentova më sipër.

***
Që në poezitë e para të këtij libri, ndjen urrejtje ndaj një çensure që do ta quaja antikombëtare, e cila refuzon poezinë me motivin e vendlindjes, të vatrës, rrënjëve historike, të mallit për nënën, për rrugicat, mjediset ku poeti kaloi fëmijërinë dhe rininë. Madje në këto poezi, të cilat për kohën mund t’i klasifikosh ndër më të mirat që trajtonin këto motive, jepej emocionalisht dashuria e madhe për vendlindjen, -Kosovën, si dhe urrejtja ndaj diktaturës së Serbisë shoviniste e fashiste, që poshtëronte, varfëronte dhe sklavëronte kosovarët, ca i burgoste vetëm pse ishin shqiptarë që donin Kosovën dhe Shqipërinë, ca të tjerë i detyronte të lënë trojet amëtare e të arratisen larg e larg rrugëve të botës në mërgim.

* * *
Tërë motivet e poezive të librit shprehin qëndresën, trimërinë, dashurinë, luftën për mbijetesë nën dhunën serbe dhe shpresat se një ditë Kosova do të bëhet më mirë, do do të shpëtojë nga diktatura dhe do ta fitojë lirinë. Është e pakuptueshme se pse nuk pëlqehej nga botuesit kjo tematikë?! U kishte hyrë lepuri në bark nga çensuruesit dogmatikë të diktuaturës, apo kishin porosi që të mos shkruhej asngjë për Kosovën?!...

4. Poeti Agim Gjakova duke jetuar këtu në Shqipëri, pasi kishte provuar burgun serb, mungesën e lirisë dhe dramën e dhunës në tërë qenien e tij, duke ndjerë edhe çensurën e egër dhe survejimin nga regjimi i Hoxhës, përzgjodhi ato tema e motive nga realiteti socialist këtu në Shqipëri, trajtimi artistik i të cilave kishte më pak rreziqe. Ndërsa motivet që i merrte nga Kosova, i trajtonte me një gjuhë poetike tropologjike, sidomos në temën e urrejtjes ndaj dhunuesve të lirisë së njeriut, ndaj diktaturës së të huajit, e cila shkatërronte moralin, dinjitetin dhe personalitetin e njeriut.

5. Qëndrimi ideoartistik i poetit akuzues e protestues ndaj historisë, ndaj shkaktarëve të të qenit i huaj në vatrën tënde, sidomos ndaj thundrës tiranike serbe, janë dhënë me një revoltë të brendëshme të përmbajtur, me një dramacitet të tillë, ku prej nënshtresave polisemike të poezisë, mund të marrësh kumtet e riprtëritjes shpirtërore për qëndresë e shpresë., si në librin poetik : “Edhe thonë se paqe ka në botë”.

Kjo frymë poetike, na mundëson ta shohim Agim Gjakovën si poet atdhetar dhe idealist, i përkushtuar ndaj lirisë, dashurisë për popullin dhe vendin e vet, i cili nuk e sheh portën e tunelit të mbyllur, përkundrazi sheh dritë përtej territ.

6. Kjo është një personale artistike që është përcaktuese e individualitetit poetik të tij. Ashtu siç janë edhe racionaliteti, prirja për përceptimin dramatik dhe shprehjen tropologjike të tij, detaji artistik, përodrimi i metaforave, metominisë, apostrofit, krahasimit dhe epitetit, simbolit dhe alegorisë. Karakteristikë e veçant e poezisë së Gjakovës është edhe ndjeshmëria, në dukuri të tilla si: dhimbja, shpresa, dashuria dhe urrejtja.

Shpresa për ta parë Kosovën të lirë dhe kosovarin zot në tokën e tij, është ajo forcë shpirtërore që i jep poezisë së Gjakovës, dinamizmin, ritmin dhe larminë e ideve të mishëruara artistikisht dhe estetikisht.

MEXHO PRENÇI - G55

Për "Sofra poetike": Agim Gashi

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen