Freitag, 12. April 2013

Lirika nga Janaq Pani

 
Janaq PANI
Toronto-Kanada

Janaq Pani, një psikolog e shpirtolog i fëmijëve, që me krijimet e tij, jeton me ta, mëson me ta, luan me ta, rritet me ta dhe mbetet i paplakur… Por nuk rri dot pa shkruar edhe lirika…
Nase Jani
...
 

  BRINJA E ADAMIT

Adami - krijesa e Zotit
E fali bujarisht një brinjë
E u sendërtua një Evë,
Po hijeshia e saj e la pa frymë
E kyet ia shtiu në zgjedhë...
 
 

 PËRSIATJE

Me nipin një ditë tufën me pellumba
mbi bar e gostitëm me pakez ushqim,
gazmorë nga degët zbritën trumba-trumba
e zemrat të dyve na i mbushën gëzim.

M'u shkëput diçka brenda vetes time
në një cep dëshire ca çaste përhumba,
pse atdheu dorën me ca pak thërrime
s'na e zgjat të vijmë si këta pellumba.
 
 

 P L A G Ë T

E ku numurohen plagët që në mote janë mbjellë
Ky oaz i dhembur shpirti a nuk ngjan me një kështjellë,
Armatosur kështjellarët të ngujuar rrinë brenda
Jashtë muresh të mos dalin as të bëme as të thëna,
Çfarë zemra vetë i hoqi si tani edhe më herët
E ç'fitojmë në i nxorrëm t'i përcjellim te të tjerët.

Çdo dhuratë e bëj me zemër, por zemrën për vete mbaj
Në e fala veç te njeri me të tjerë çfarë të ndaj,
Edhe shpirti është një, ndaj te Zoti që është një
Kuturis t'i hapë portën ashtu truar e pa zë.

Eshtrat e të parëve larg s'gjejnë rehat poshtë dheut
Mbas na ndjekin me Emaile dhembshurisht që nga atdheu,
Dashuritë e dhembjet tona s'ecin dot me këmbë të veta
Ndaj na mbeti koka mbas ne të mundurve nga jeta,
Dhe kjo botë ngjan teatër e të gjithë jemi aktorë
Neve fati na blatoi vetëm role dytësorë.
 
 

 TË BUKURËS SIME

E bukura ime, e bukur
E ëmbla ime, e ëmbël
Krijesa që mote jam lutur
Si perlë e vyer rri strukur
Në zemrën time, o zemër.

O jeta ime, o jetë,
Tundimi im, o tundim
O shpresa që ngroh nje folezë
si rrezja që bie mëngjesë
Gëzimi im, o gëzim.

Kungata ime, kungatë
O shuma e gjith' dashurive
Më erdhe nga Zoti dhuratë
Të mbaj si ujë të pakë
Të kam në dritë të syve.





  "KAMINXHIU I FUNDIT"

E gjen mëngjesi në këmbë në krahë xhaketën e grisur,
çibukun e nxirë në dhëmbë si lodër fëmijësh kurdisur.

E shoh që këmbët i shtyn si kalë i lodhur ngarkuar,
inatin nga hojzat e shfryn me shpirt përherë i trazuar.

Gëzimet?- veç me thërrime, e brengat - plot trasta në krahë,
në gjoks një zemër, një trime guxon ditpërditë të rrahë.

Heq udhën veç me vetminë, një jetë mikeshë e heshtur,
dhe frymën e mban në kaminë, me shtatin rrufitur e tretur.

Dhe eshtrat i dhembin për dreq, me baltën që ndeshet përditë,
pa vite të tërë i bën pleq, u err vështrimin te sytë.

Kërcinjte në baltë e ujë, të ngjan si xhind i llangosur,
mposht veten pa zhurmë e bujë, çdo verë që s'paska të sosur.

Dhe bëri i ziu sa mundi i rriti, një vatër fëmijë,
ky ish kaminxhiu i fundit, një tjetër s'po duket të vijë...
 
 
Për "Sofra poetike":  Thanas Jani

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen