Freitag, 27. September 2013

Namik Selmani: Këshillat e vetes


Këshillat e vetes
Pas një bisede të mbrame me poetin Azem Shkreli
 

Mos u bëj poet, nëse s’mund të vdesësh
Për secilën varg, të vdesësh për secilën fjalë
                                                   Azem Shkreli


1.
Frerët e erërave ...

S’qenkan fort të lehta të mbahen te pëllëmba
Po duhet, poet, duhet,
Se na mrrolen sytë e agimeve e të muzgjeve tanë
E na thahen
Belbëzimet e tingullshqipes kur nis të marrë udhë kënga
E nga varri
ngrihen Bacalokët e rreptë me plisa e na mallkojnë.
 

2.

E dashurisë
T’i japim të gjithë urimet si gjerdanë me margaritarë
Përtej tradhëtive
Pendimi të mos na bëhet si kocka që fytin e çan.
Hej, POET!
Do të donim të ishim të gjithë sot farkëtarë
Që me rrezet diellore
të shkrinim urrejtjet në një kudhër ku zemra asnjëherë nuk ndal
 

3
 

E vdekja për FJALËN
do t’u bëhet të gjithë bardëve më e embël se sa të gjithë vdekjet.
Dikur do hirëzohemi,
po pas duhet të lëmë Brir Kënge e mjaltë ninulle
Në Mbretërinë e Territ
Trupi i secilit poet butësisht do të tretet
Me dhimbjen
Se vargjet s’u bënë si duhet Thesarë për tokën e gjyshërve
 

4
 

Shtrëngojmë shpërgenjtë
në djepe ku gdhendim diej, zogj e kokat e shqiponjës
Duart
edhe mund ta na lodhen e syrin na e vidhka gjumi.
Po duhet Bacë,f
Fjalët e pathëna t’i vëmë heshturazi në Murin e Kohës
E lulet e fjalës
Të na ndizen bukurisht në zemra si ngjyrë flamuri.
 

5
 

Drejt Portës së Këshillës
Kurrë mos e humbshim Flugerin e rrugës së gjatë!
E përherë të jemi
Fytyrëskuqur mes rrëfimit më të ndershëm në botë.
Veç Këshilla e vetes
Mos na u bëftë çengel që fjalën të na vrasë
E kurrë
Fjala e mençur shqipe të mos futet në arkivolin e ftohtë.
 

6

Fjala jote, diell të na bëhet, Baca Azem!
Fjala ylber të na bëhet
Për të pritur ditën që vjen!!!


Shtator, 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen