Dienstag, 26. März 2019

Vargje satirike nga Sadik Përvetica

Sadik Përvetica

Eni ta luajmë lojën e shtetit
E t’ia mbushim xhepat vetit
Thanë kalorësit e shtetit

* * *
Për tenderët nën tavolina
Grabitçarë e zhvatës të Atdheut
Pshurren në tlina

* * *
Trimat shkuan te vorret 
E shtetin mbet ta ndreqin
Krimbat dhe Gaforret

* * *
Qajnë të vdekurit për të gjallët
Tek shohin pangopësi e tmerr
Nga ata që blejnë vota për në ferr

* * *
Mes mishit e ashtit shqiptar
Bëri kërdi
Gangrena

* * *
Të ndarë e të përçarë
Nga Gjarpri
Me shumë KRENA

* * *
Varret e dëshmorëve
Vjellin vner
Nga korrupcioni

* * *
Veteranët e luftës
Me shpresa të thyera e 
Me gjymtyrë të këputura

* * *
Invalidë të luftës të harruar 
Dëshmorë e heronj kombëtarë:
Heronjtë e partive

* * *
Heronj e tradhtarë
Një lëmsh i madh në mjegull
Për popullin mbarë

* * *
E nënat shqiptare vajtojnë
Për të zhdukurit
Që ende s’ua dinë as varret!

* * *
Munafiku na fiku
Tha Faiku
Dhe iku

* * *
Rrugë dhe institucione
Xhami e kisha
Mbushur me grajzi e bisha

* * *
Në Kuvendin Këngëtar
Nga shumë e nga pak
Shkelën të huaj dhe – halabakë

* * *
U mbulua Toka
Nga ujqër, arinj e derra
Arat e bukës me therra

* * *
Kryeneçësia individuale
Na i përziente zorrët
Trurin na e qitte fare
* * *
Xhurulldi me këta tendera
Nën rrogoz
Digjet heshtaku

* * *
Në kuvend vend e pa vend
Marrin turr flasin pa rend
Vajton varfanjaku

* * *
Deputetët tanë or tungjatjeta
Nxherrin ligje 
Për rroga të majme e pensione t’veta!

* * *
Derisa me 70% të papunë
Ata atje lart
Morën rroga të 13-ta!!!

* * *
Thuase buxheti kombëtar
U bëka
Veç për deputetë e qeveritarë!!!

* * *
Qan qielli dheu Atdheu
Nga pafytyrësia
Merr erë kuzhina dhe Çatia

* * *
A ka kund ndonjë shtet
Ku ata që akuzohen … 
Zgjidhen deputetë ?!!!

* * *
Mençuria e çmenduria
Shtyhen keq 
Nga pasuria e lakmia

* * *
Kur vendorë e ndërskombcëtarë
Tregojnë hoka
Pushteti udhëhiqet nga nëntoka

* * *
E kur qeveritarë e deputetë
Rrjedhin nga truri
Shteti udhëhiqet nga stupci e huri

* * *
Diku nëpër gypa kanalizimesh
Djersa e popullit
Rrjedh e zhduket

* * *
Derisa varfanjakë miliona
Si milingona
Në rrugë NUK DUKEN

* * *
Krimi e krimbi – simbiozë
Krijojnë – si dozë
Lidhjet farefisnore

* * *
Me lugën në kos
E me bythën sos
Poltronët nuk flasin por pordhnin 

* * *
(E harrojnë të shkretët
Se edhe ata duhet të vdesin
Jo të ngordhin)

* * *
Në një shtet kadet
Peshkaqenë llaskucë
Bëhen deputetë

* * *
Pret populli Kosovës 
E drejtësi e ligje
Në bisht të sorrës
* * *
Ata që shkelën në pushtet
S’çanë kokën fare
Për popull as për shtet
* * *
Ne pshurrshtetarët jemi mirë
E sa për varfanjakët
Në p. të samës

* * *
Dëshmorët e kombit
Treten në harresë
Tiranët u bien me fshesë

* * *
Akademikë e shkrimtarë
Mblidhen në një konferencë
Votojnë: për indiferencë !!!

* * *
Sheh rrushi rrushin
E kalbet molla
Nën pjergull

* * *
Kur deputetë popullorë
Merrnin rroga të majme
E shesin mjegull

* * *
Vlerën e shkel antivlera
Kur njeriut të pangopshëm
I vjen vera kah dera

* * *
Hesht Toka dhe Qielli
Anipse pësaj pune
Ka kohë që i vjen era

* * *
Njerëz të devotshëm
Të çuditur të habitur
Vetëm rrinë përlotshëm

* * *
Kur shohin se si u del prore
Shteti Toka e Atdheu
Kaq lehtësisht - dore

* * *
Për të hyrë në Librin e Ginisit
Me anë të rrenve
Mes nesh luhet Loja e Qenve

* * *
Me bukë nëpër kontejnerë
Jeton edhe vitet e pasluftës
Varfanjaku i mjerë 

* * *
Mbi kurmin e shtetit
Prapë korba të zi
Korbat kombëtarë !!!

* * *
Zvarriten ende zvarr
Nëpër dhera të huaja
Eshtrat që duhet të ishin - LAPIDARË

* * *
Krerë e liderë shtyhen
Keq për parti
E për pushtet

* * *
E ne kur do të kemi shtet
Shtet me dinjitet
Pyet populli i shkretë

* * *
Për tenderët nën tavolina
Grabitçarë të Atdheut
Ende pshurren në tlina

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen