Samstag, 25. Mai 2019

Rrahim Sadiku: VAJTIM PËR KOSOVËN

Rrahim Sadiku

VAJTIM PËR KOSOVËN

O, Ti kishe gjithë ato horizonte hapur,
O, Ti kishe liri pas shekuj robërie,
Nga duar miqësore përqafoheshe,
Po të agonin plot ditë mbarësie!

Mandej horizontet u errësuan,
Befas edhe liria e humbi kuptimin,
Plagët të reja nga brenda T’u shtuan,
Bota mbarë sërish Ta ndjeu gjëmimin!

Të morën në duar bij pa ndërgjegje,
Flasin në emrin Tënd bij pa vetëdie,
Grabisin në emër Tënd bij bastard,
T’pamendët Të lënë pa rrugë ardhmërie!

O, sa Të dhembin këto plagë nga vetja,
O, sa trishtueshëm Të vijnë dita e nata,
Mbi trupin Tënd krenohen me turpin,
Të shkurta T’i bënë synimet e gjata!

Dhe lotët Të rrjedhin, lotët e humbjes,
Të ikin ata që për Ty bënë aq shumë,
Secila pore Të është goditur dhimbshëm,
Mohuar Të është gjaku i derdhur lumë!

Robërues Të dolën shumë nga çlirimtarët,
Grabitës Të pangopur edhe të ashtit Tënd,
Ujq janë bërë, dhelpra, hijena, korba…
Gjymtyrët Të ndukin me thonj, sqepa, dhëmb!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen