Dienstag, 11. September 2012

Grigor Jovani: KU DO MË ÇOJË KJO DASHURI


“Ku do më çojë kjo dashuri?”


 
 ZOGJ TË PLAGOSUR

Nuk të them!
Mos më pyet ku isha!
Po të lë në duar këto vjersha.
Janë zogj të braktisur,
që s’gjetën folenë.
Ranë përtokë, thyen flatrat
dhe tani lëngojnë.
Shtrëngoji në gjoks,
si fëmijët e saj,
një grua lehonë.
Nëqoftëse, nga kontakti me ta
zemra s’të dridhet,
atëhere, besomë,
filli i zemrave tona,
më mirë të zgjidhet.



 


BALADE
PER NJE SHPIRT DHE NJE FLUTUR

Nënë,
të solla të njohësh këtë vajzë kaq të bukur,
të thjeshtë e të ëmbël.
Po pse të dridhet ajo zemër si flutur?
Ti vetë më thoje: “Të takon më e mira!”
Tani më qorton: “Të ma thoje më parë...”
M’u mërzite, o shpirt? Të dua kaq shumë!
Doje të veshje, një përparëse të larë,
mos të t’i shihte duart gjithë brumë...
Doje t’i fshihje thinjat nën shami.
Kanë turp nga bora majëmalet e larta?
Asaj i kam thënë: Rubinët e mi,
të nënës sime janë thinjat e arta!
Të ulemi pak mbi pragun me gurë,
ku më prisje dikur, të vija nga shkolla,
ndërsa flladi qëndiste mbi pëlhurë
të fustanit tënd, mbi këmbët e holla.
Të mbështesim kokën, të dy, si fëmijë,
kësaj ane unë, andej dashuria.
Nga prehëri yt erë molle të vijë,
të mësohet ajo me gëzimet e mia.
Ndaj dhe ta solla këtë vajzë kaq të bukur,
të thjeshtë e të ëmbël, si një peri.
Të nis të vallzojë shpirti yt, si një flutur,
dritë të të bëhet, terri i varrit të zi.
T’i thuash tim eti, tek kthehet mërzitur,
pasi unë, si gjithmonë, larg do kem shkarë:
“Biri ynë - e beson? - na solli një flutur!
I ziu ti! S’kishe fat për ta parë!”



 


MINARETE E GJIROKASTRES

Nuk mund të puqen
xhamitë e Gjirokastrës.
S’kanë fat të puthen
minaretë.
Veç Mali i Gjerë
Lunxhin përballë,
mbase e puth,
fshihen mbi retë.

Thua të shkojmë
përsipër reve,
të mos ngjasojmë
me minaretë?



 


PANAJIRI I TERRIT

Tej në horizont, në fund të fushës, nga
fillon të lartësohet mali, çdo buzëmbrëmje
nis Panajiri i Territ.
Vijnë të ftuar të gjitha llojet dhe speciet:
kafshëza të vogla, insekte fluturake dhe
zvarranikë, popuj të vegjël, të çuditshëm, që
falen përditë në Tempujt e Ferrit.
Ka ushqim për të gjithë. Copëza hëne të vrarë -
menu e pëzgjedhur për minjtë dhe
miqtë e përkushtuar të Djallit.
Insektet dhe zvarranikët e çdo lloji preferojnë
ëmbëlsirat prej balte. Pastaj dehen
me ujërat e pafiltruara të moçalit.
Me bimët dhe kafshët e egra ka problem. Nuk
ngopen. Përtypin me dhëmbët prej krimbash,
krahë shtojzovallesh, vrarë
një ditë më përpara.
Kurse lart, mbi degët e pemëve, orkestrat
e niqasura të zogjve, s’bëzajnë. Përshpërisin:
“Shyqyr që iku në kohë, dhe
i shpëtoi kësaj lukunie Pranvera!”

Nesër, do të fluturojnë tek krijuesi i tyre dhe
do t’i thonë: “Mos na sill këtu herët e tjera!”



 


NJE MIJE E NJE DRITARE

Shpirti yt -
një mijë e një dritare.
M’i mbylle të gjitha,
për fare.
Ku e ku,
lë të hapur diku
një kamare.

I hedh të mbyturit
një kamardare.



 


IMAZH I ERRET

Dërmuar vetë, me këto duar,
verbuar nga unë vetë,
përsillem territ duke të kërkuar,
nuk mund të flej.
Humnerës së ëndrrave, sakaq,
bie një mijë herë,
ngrihem po kaq,
por nuk të gjej.

Imazhi yt - ëngjëj të errët,
më zgjojnë qysh herët,
më përgojojnë guximin.

Le të më tallin. Hallin tënd
kam unë tani,
jo t’imin.



 


FRUTA TE NJEJTA

Do shpërfill ngricat e dimrit. Do
të bëhem pemë.
Nuk do kem acar në zemër. Pas
s’bëj dot, gjthësesi.
Kopshtet e varura të Babilonës,
mund t’i bënim tok. Mjafton
ta doje ti.

Është një problem: bëjmë fruta
të njëjta. Por kjo,
nuk ka rëndësi. 



 


DIELL I ZEMERUAR

I egri diell i mesditës,
heshtjen time përgjonte.
Tufa rrezesh,
si shtazë të etura,
lëshonte,
Një ëngjëll,
që e fshihja thellë brenda vetes,
të përcëllonte.

E nxirrte kokën, ëngjëllushi,
të merrte frymë,
ku e ku.
Të ikim, iu luta. Ku ka më pak dritë,
ku nuk na ndjek
zemërimi i diellit,
diku.

Ti je një ëngjëll drite,
s’mund të nxihesh!

E kotë të fshihesh!



 


VESA E MENGJESIT

Vesa e hershme e mëngjesit,
prej borisë së beftë të këndezit
brofi në këmbë, për të shtegtuar
në të tjera vënde.

Është qetësuar
në pëllëmbën tënde.



 


KU DO ME SHPJERE KJO DASHURI?

Ku do më shpjerë kjo dashuri?

U gjenda në këtë breg i vetëm,
përposhtë këtij dielli si tiran,
i pamëshirshëm për askënd.
Në këtë burg të tmerrshëm rëre,
erërat plugojnë trupin tim,
si me parmënd.

Çdo të më bëjë kjo dashuri?

Koha zvarritet si hijenë,
përdridhet frikshëm belit tim,
më zë krejt dritën në dritare.

Unë ekzistoj, ngaqë je ti.
Dhe mund të rri këtu për fare...



 GRIGOR JOVANI
(Gjirokastër, shtator 2012)

Mittwoch, 1. August 2012

Poezi nga Ramadan Asllani


HAJN I GJUMIT

Dua të vjedh...
Mos u çuditni!
Jam i papunë.
Nuk më duhen paratë,
As veturat luksoze,
As ndonjë ajfon (IPHONE).
Dua vetëm: 
-Të dashurës time,
T’ia vjedh gjumin!

Ferizaj, më 29 korrik 2012




EC ME LOTIN !...

Qerpiku majë pene,
Loti bojë lapsi,
Rrjedha vargu,
Puthja strofë.

Syri pikturë deti,
E nuhat dashurinë,
Në buzë vargu katërsh,
Me gjuhë lidh poezinë.

Ferizaj, më 27 korrik 2012




PRES !...

E gjeta vitin tetëdhjetë,
Pas Sharrit tatëpjetë.
Se edhe Tetova lidhet me tetë,
U takova kur bëri mbi tridhjetë.

Bardhokja zhvillohej në Emonë,
Thinja ime në Kosovë.

I lindur zeshkan,
Po bëhem bardhan.

Dhe nuk e di kur?
Do ta prek atë lëkurë...

Ferizaj, më 25 korrik 2012




TI VETËM TI !...

Dita më je Ti!
Ti më je edhe nata,
Njëzetekatër orë Ti!

Ku të shkoj nga Ti?!...
Pos te Ti!

Edhe mendja edhe këmba,
Kanë marrë udhë te Ti!...

Po edhe Ti ke një Ti!
Që mendon për Ty.

Tym e flakë si feniksi,
Më nuk jam ekuacioni iksi.

As i panjohuri ypsiloni,
Më lini te Ti – më rehatoni!...

Ferizaj, 25 korrik 2012-07-28




ME KLARINET

Secila vrimë e tij,
Është fryma ime!
Germat tuaja,
Emër me gjashtë tinguj!

Kur luaj gishtin e parë...
Kam dy R-të tona!
Të dytën vrimë marrim frymë: 
-Me zanoren e parë!...

Dhe për çudi, edhe në gishtin e tretë...
Me fuqinë MM!...
Prapë germat tona!
Gjëmo klarinet, gjëmo!...

Ferizaj, më 1 gusht 2012

Mittwoch, 11. Juli 2012

Tri poezi nga Nagjije Kastrati


KU TË TË GJEJ

Si të të gjej
Kot përpëlitem
Ti nuk je
As te dera
As në kopsht

St’ë shoh pranë furkës
S’të shoh pranë zjarrit
Ti nuk je
Në asnjë skutë të shtëpisë
Nuk je nënë

Kërkoje në varreza!
Thanë disa
Tmerr…
Fotografia jote
Në mermerin e ftohtë

Jo ti nuk je
Ti s’je nënë
Se unë të lash
Te dera e oborrit
Aq të bukur

Të të gjej desha
Se kisha për të thënë
Ma bëj “hallall”

1994

BËHU

Bëhu burrë- gjyko
Bëhu trim- fal
Bëhu ndjenjë – dashuro

Bëhu shi- rigo
Bëhu lum- rrjedh
Bëhu agim- zbardh.

Mos u bëj
Skëterrë e zezë
Mos nxij!

Shihe diellin
Qiellin e hënën
Lejo të bjerë shi!

Natyra do zverdhet
Kur të kujtohesh ti!

2003

KUSH MA DHA SHARRËN

Si të të shoh
E brishtë je
Shiton shpirtin tim
Të kam lënduar fort

Lënduar kam
Unin e shkrumuar kaherë
Nëse është mbetur diç
Nga gjaku
Jeta
Lënduar kam

Smund të të shoh
T’i shartova degët
T’i cungova nyjet
T’i këputa sythet
Që buloje në mua

Lënduar je
Gjithmonë labirintheve
Nëpër rrugë qorre pa krye
Vrarë të kam

Po ti, si bulon?!
T’i cungoj nyjet
T’i këpus sythet
T’i…
Kush ma dha këtë sharrë?!

2006
__________________________
Marrë nga "Sofra poetike" në FB

Montag, 2. Juli 2012

Nikollë Loka: RRON GURAKUQI

 
Rron Gurakuqi

Kur linde ti,
Shkodra ngriti perçen
e të pa djepin,
shtëpisë davaritej
malli për një bir,
në strehë
të shtëpisë sate
një pëllumb
e bëri çerdhen
dhe cicëriu:
ç'fat i mirë!

Rritu bir
të thoshte votra,
rritu bir
përsëriste Shkodra,
e nxirë krejtësisht
në fytyrë.

Shqipëria të rriti
në male,
me krisma pushkësh,
e me pak bukë,
Shqipëria të priste
për atë ditë të madhe.

Në Ditën e Flamurit,
Plakut të Vlorës,
ia shtrive
pëllëmbën e dorës.
U ngjitën bashkë ato duar,
si krahët e shqipes,
në Flamur.

Tradhëtia të vrau,
tokën e huaj e skuqi.
Vdiq Gurakuqi!

Ky lajm trishton Drinin,
me akuj mbush Bunën.

Nga larg vjen
një këngë majekrahu,
rron Gurakuqi!...
 
 

Donnerstag, 28. Juni 2012

Seveme Fetiqi: NË KUJTIM TË POETES


IN MEMORIAM

Fehime Selimi-Bajra,Preshevë

Fehime Selimi – Bajra u lind më 10 dhetor 1954 në Preshevë.Rjedh nga një familje me tradita arsimore dhe patriotike,shkollën fillore e kreu në vendlindje e me pas shkollën e mesme në Shkup,ndërsa studimet universitare,Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe,në Universitetin Filozofik të Prishtinës.
Me krijimtari letrare u mor që nga vitet e ’70-ta.Ka shkruar në shtypin e asaj kohe pandërprerë si në:”Rilindja”,”´Fjala”,”Bota e Re” etj. Kryesisht ka shkruar për të rritur,po gjejmë edhe disa poezi për më të vegjëlit .
“Në vetullën e Tanushës prehet harrimi
Arkeologët gërmojnë buzëqeshjet tua
Dhe ëndrrat e mia
Ulpianë “


Ka shkruar kryesisht poezi por ka diqka edhe në prozë por fatkeqësisht ato ekzistojnë vetëm në dorëshkrim. Ushtroi profesionin e gazetares në të përditshmen “Rilindja”,pastaj si përkthyese në Kuvendin Krahinor të Kosovës deri në shembjen e autonomisë së Kosovës.
E më pas në fillimin e viteve të ’90-ta për shkaqe sigurie pasi që bashkëshorti i poetës ishte i burgosur politik(Isa Bajra) u detyruan që të shpërngulën me familje në Istog, në vendlindjen e shokut duke e braktisur kështu jetën në “Prishtinën e saj” që aq shumë e deshi…Por edhe aty poetja jonë shpejt e gjenë vetën i përshtatet jetës dhe bën shoqëri që do ti zgjasin tërë jetës,kah filimi i vitit ’93 kyqet në radhët e “Forumit të Gruas të LDK-së” ku qëndroi me besnikëri dhe dha maksimumin e vet,deri në vitin ’99,vitin e tmerrshëm po edhe vitin e fitorës sonë të madhe.
Kështu në fillimin e vitit 2000 fillon punën në Shoqatën e Gruas “Arbëria” në Istog.Aty ajo boton për tre vite gazetën mujore “Arbëria” dhe njëkohësisht punon në biblotekën e po kësaj shoqate.
Jetoi një jetë te qetë me familjen e saj ishte shumë e lumtur dhe e donte natyrën e sidomos natyrën e bukur që ka Istogu,por nuk do të zgjasë shumë kjo lumturi-harmoni familjare ,sepse poetja jonë do të kur preket nga “sëmundja e shekullit”më 2004 dhe më pas më 2005 do të ndahet nga kjo jetë…
Për të lënë pas vetës një bagazh të madh në kulturën dhe historinë më të re të Kosovës,si një ndër thesaret e këtij brezi…
Përmbledhjën e parë letrare “Fjala ime ka etje” e botoi më 1980 në Shtëpinë Botuese “Flaka e vëllazërimit” në Shkup,
e pastaj “Lule në ethe” më 1982 në Prishtinë në “Rilindje”,”Dita e trembëdhjetë” më 1990 po ashtu në “Rilindje” dhe “Kohë shirash” u botua fatkeqësisht pas vdekjes së poetës sonë të dashur më 2007 nga Shtëpia Botuese “Vatra”.

Cikël poezish nga kjo autore e ndjerë





 ISHTE KOHË E PAKOHË
(legjendë)

Derisa shkiu binte
Mbi fushat tona

Historia shtrinte këmbët
Në legjendë

Grykave kriste pushkë, shpateve
Dëgjohej këngë e fyellit

Derisapërbotshëm binte shi
Mbi fushat tona

Fushat i linin shkret, maleve
Bënin dasma

Mes dasmave e vdekjeve
Legjenda shtrinte këmbët
Në histori





BUKURI E ZGJUAR

Unë në ty kthehesha përherë
Me një grusht dashuri
Më tepër
Shtëpia ime (pa numër)

Midis këngëve
Vargu im
Dhe malli i një moti

Çdo herë kur dita e re i jepete dritë
Dashurisë sime

Soditjet shpaloheshin para buzëqeshjes
E kënga ime e kishte ngjyrën
E blerimit

Çdoherë kur të rrihnin erërat
Të pagëzonin me të gjitha emrat
Shtëpia ime




PA TITULL

Emrat e mbiemrat ne ndërruan
Herë na thane Muhamed
Herë Krisht i besuam
Emra e mbiemra mbetën
E ne , në binarë të kohës
Kohën shaluam.

Montag, 25. Juni 2012

Lumo Kolleshi: Etimologji poetike me germen "Ç"



Çabej

Çfare bej i pamshem e i rende
Ne sinoret e hershem
Te gjuhes me te vjeter te Ballkanit.
 

 
 
Çameri

Ça
Meri
Dhe ende kullojne gjak bajonetat
Nga barku i grave shtatzene.
Foshnja qe nuk linden kurre ne token e vdekjes.

Donnerstag, 21. Juni 2012

Jorgo Telo: PËRBALLË TEJE, NAIM!


PËRBALLË TEJE, NAIM!

Or’ e çast, poet, të kam përballë.
Po të shoh të gdhendur në profil.
Dhe më vijnë vargjet radhë – radhë,
Dhe më vjen zëplotë, zëbilbil!

Më vjen me Ty “Bagëti e Bujqësia”
Më sillen ndërmend vargjet e saj.
Më hyn në shpirt krejt Shqipëria.
E vargjet nëpër buzë i bëzaj.

Ato çka the për gjuhën shqipe
Gjithkush i ka gdhëndur në shpirt.
Me veprën tënde majat ngjite.
Çdo fjalë jotja pareshtur shndrit.

Për fikjen tënde vajtoi Çajupi.
Sikur ta dije, si foli mes vargjesh...!
Të mban atdheu si pjesë trupi.
Më madhështor sot na përshfaqesh.

Duket sikur flet e të mbaj në dorë
Sikur mbaj vende edhe shekuj.
Sikur diellin mbaj në kraharor.
Para teje mbetemi dishepuj...

Teksa të shoh kaq pranë vetes,
Nuk ndihem i vetëm kurrsesi.
Idhull i artë për mua mbetesh.
Model atdhetarie – gjithsesi...