Donnerstag, 7. März 2013

TRI POEZI NGA BRAHIM AVDYLI



SOFRA JONË

Sa bukur jemi mbledhur
rreth zjarrit të fjalës
në këtë natë,

zhishkë pas zhishke
këngë pas kënge
lidhni të gjitha hallkat e dashurisë

e plafin e errësirës
si dora perden
Rrezja
ka për të mbledhur-

sapo të fekset në zemra
Agu i Përjetshëm!


Prishtinë, 1986.





MBIJETESA E VARGJEVE

Më të bukurat
humbën nëpër ndjekje-
bukurinë ua vodhën lubitë!

Më të zjarrtat
s’munda t’i mbaj-
zjarri i tyre përvëllonte kohërat!

Më të shtrenjat
si t’i nxjerr nuk pata-
bota qe mbushur plot kusarë!

Megjithate,
me ngjyrën e shpirtit
nëpër fletë gjurmët i lashë-

që të mos na shuhet Emri!...





PËRTEJ AKERONTIT


E tërë jeta ime dënimit i ngjanë-
pranë syve kalon gëzimi dhe s`e mbërrij,
pranë gojës kalon jeta dhe s`e shijoj,
përpara shëtit e vërteta dhe s`më njeh,
anash gjallëron bota dhe s`më sheh,
prapa kurrizit bie fati, dhe s`më merr...

E tërë jeta ime një tmerri i ngjanë,
edhe pse kështu nuk vendosën hyjnitë
se vetë më dhanë ata brumin e zemrës,
demonët më vodhën një ditë pabesisht
e më shpien të lidhur përtej Akerontit...

Më lanë përherë në një vorbull deti-
as i mbytur isha, as i shpëtuar;
më lanë të vetmuar në një maje mali-
plot thirrje kisha, por i padëgjuar;
më mbyllën thellë në një shpellë guri-
pranë e kam zjarrin e dridhem vazhdimisht

i syrgjynuar së gjalli, ja kështu, në ferr-
shpirtin plot dritë e përrreth vetëm terr!



Marrë nga www.brahimavdyli.ch

Montag, 4. März 2013

NJOFTIM NGA GRIGOR JOVANI



 Në mirëkuptim me mikun tim të dashur, Haxhi Muhaxherin, themeluesin dhe ideatorin e Sofrës Poetike, kësaj vatre të ngrohtë krijuesish të pasionuar me Poezinë, pas një periudhe jo të shkurtër në krye të Stafit që drejtonte mbarëvajtjen e punës në të, vendosa të jap dorëheqjen nga detyra e Kryeredaktorit, për shkak të rëndimit të shëndetit tim, si pasojë e aksidentit, që më ndodhi përpara disa ditësh.
Do të desha të falenderoja gjithë kolegët e Sofrës Poetike për bashkëpunimin, t’i kërkoja sinqerisht ndjesë ndonjërit prej miqve, që mbase e kam rënduar me gjykimet dhe komentet e mia dhe t’u uroja të gjithëve nga zemmra shëndet dhe suksese të mëtejshme në këtë pasion të fismë, që kanë zgjedhur.
Do të desha të uroja, njëkohësisht, Kryeredaktoren e re, poeten e talentuar Klarita Selmani, e cila këtej e tutje do të kryesojë Redaksinë e Sofrës poetike dhe ta siguroj, që mbështetja ime modeste vetëkupotohet. 


 Me nderime për të gjithë ju,
GRIGOR JOVANI


03.03.2013

FALENDERIM PER Z. GRIGOR JOVANI

Per kontributin e dhene si kryeredaktor ne  „Sofra poetike“

 Poeti, kritiku, publicisti dhe miku yne i nderuar z. Grigor Jovani per disa vite radhazi e ka dhene kontibutin e tij te vleshem ne „Sofra poetike“, duke publikuar krijimetbe tij, duke komentuar krijimetbe kolegeve te vet dhe duke dhene keshilla per krijuesit e rinj dhe per mbarevajtjen e kesaj faqeje.  G. Jovani, perkunder angazhimeve tjera te shumet, gjithmone gjente kohe edhe per sofren tone. Fale kesaj, une mora guximin dhe i kerkova mikut tim qe ta themelonte Redaksine e Sofres me kusht qe aai te jete ne krye te saj. Pranoj. Jo se kishte nevoje te vihej ne krye te nje faqeje interneti, por nga dashuria dhe repekti qe kishte per koleget e vet krijues dhe nga vullneti i mire per ta dhene kontributin e vet ne sofren e poezise.

Keshtu, Grigor Jovani iu pervish menjehere punes dhe e themeloj Redaksine me emra te bashkepunetoreve te tij qe i benin nder edhe sofres. Filloj komunikimin profesional me publikuesit dhe anetaret e sofres. Angazhoj edhe anetaret tjere te redaksise qe ti percillnin publikimit qe beheshin ne sofer dhe here pas here te jepnin keshillat e tyre. Kjo i duhej sofres dhe kesisoj, faqja filloj ta marre te mbaren. Sofres iu bashkuan mbi 4000 krijues dhe lexues nga e gjithe hapsira shqiptare dhe nga mergata.

Dhe, pas nje pune bukur te gjate e shume te sukseshme ne sofer, ngjane nje dite qe miku yne ta kete nje aksident nga i cili i komplikohet edhe shendeti. Pasi e merr veten pak, me shkruan:

„I dashur Haxhi!

Lus Zotin të jesh mirë, me shëndet, me punët e tua dhe me hare familjare. U bë ca kohë që nuk kemi komunikuar, por unë të ndjej pranë, mik i dashur, me gjithë fisnikërinë dhe besën tënde të pashembullt shoqërore. Kohët e fundit kam pasur një aksident paksa të rëndë, shpëtova për fat dhe e gjithë kjo gjendje ka komplikuar shëndetin tim të rënduar edhe pa këtë fatkeqësi. Kësisoj, mik i dashur, më duhet detyrimisht të bëj çdo përpjekje për një jetë paksa më të liruar nga detyrimet. Kështu është gjendja, Bacë, dhe unë jam i detyruar të të kërkoj një nder: të më lirosh nga detyrimi i Kryeredaktorit të Sofrës, nga ky nder me të cilin ti kurorëzove miqësinë tonë. E kam obligim shpirtëror, të mos jem diku, ku nuk mund të jap kontributin tim. Kam besim të plotë, se ti do më kuptosh dhe miqësia jonë do të vazhdojë si përherë. Pres të më diktosh mënyrën, se si do të bëhet dorëzimi i detyrës sime në Sofër.

Përqafime vëllazërore,
Grigori“
 
E kuptova gjendejen e mikut tim te shtrenjte. Pasi i urova sherim sa me te shpejt, i propozova qe Redaksia te ciln ai e ka themeluar ta bej perzgjedhjen e kryeredaktorit te ri. Ai perkunder problemeve shendetesore qe kishte, e pranoj propozimin tim dhe pas nje kohe te shkurter me njofton se redaksia e kishte propozuar per kryeredaktore poeten Klarita Selmani. E falenderova mikun Grigor Jovani dhe vertete u gezova. U gezova, sepse e kisha lexuar poezine e krijueses Klatrita Selmani dhe isha bindur se kemi te bejme me nje poete te vyer qe e donte letersine dhe se procesin e krijimit e dinte si te shenjte.
Ndaj, s’me mbetei tjeter, veçse mikun tim dhe kreredaktorin e deritashem z Grigor Jovani ta falenderoja nga zemra per punen dhe kontributin e çmueshem ne „Sofra poetike“, duke i uruar njekohesisht edhe sherim sa me te shpejt. Kurse, kryeredaktores se re – suksese!
Per „Sofra poetike“, themeluesi:
Haxhi Muhaxheri
03.03.2013
_______________

Dienstag, 5. Februar 2013

Ese nga Fadil Curri


NGA FADIL CURRI

PËRGJIGJE MIKUT QË DËSHIRON TË BËHET POET

E lexova tufën e vargjeve që m' i kishe dërguar, bile me shumë vëmendje. Që në nismë po të them qe ndjej se ky organizëm vargërues i ngjan kokës së njeriut, të cilës ia ka falur Zoti shumë të bukur e që nuk mirëmbahet nga poseduesi i saj. Në të ka sy, hundë, faqe, ball, vesh, flokë, buzë, secilia pjesën e vendin gjegjës, ashtu si e ka krijuar Perëndia. Mrekulli më vete. Secila pjesë i kryen detyrat e veta, bile misionarisht bashkèvepron edhe me pjesët tjera të kokës, të trupit dhe të jashtëtrupit. Nëse njëra sëmuret, edhe pjesa ose pjesët tjera nuk e ndjejnë veten mirë, me permanencë ligështohen. Se po nuk ndjehet mirë njëra pjesë, bile edhe pengohet tjetra, e kuptojmë se kur verbohen syte, jo që nuk ndjehet mire pjesa fqinje balli ose veshi, por edhe këmba nuk shkon si duhet pa sytë. Nëse njëra shëmtohet nga pakujdesia jote, shëmtohert e tërë koka. Poezia jote i ngjante asaj.
Ti ke prirje për të shkruar, ke sensin e përjetimit, por nuk e ke shkathtësinë e përjetësimit përmes vargjeve. Poezia, ngjashëm si koka jote, është e bukur, por lëngon nga moskrehja dhe mospastrimi i saj, shëmti që e zmbrapsin simpatinë e të tjerëve ndaj teje. Mos u bëj përtac, një herë në ditë ose në javë kujdesu për kokën tënde të bukur, së paku pastroje e mos dil fytyrëndyrë ose flokëhapareshur, sepse e shëmton pamjen tënde. Edhe poezia juaj ka brumë, ka dhuntinë që e posedon autori, por disi nuk e ka aftësinë të kuptojë këshillat e të tjerëve(letërsidashës e letërsinjohës, si këto fjali) të duket më e bukur, më joshëse. Edhe poezia, mund të jete e mirë, të ketë subjektin e saj, të ketë ide, objektivin e tyre derdhur në vargje, por, ja që gjuhësisht çalon goxha shumë. Pra, ke harruar ose ke përtuar ta krehësh kokën, ashtu si ke përtuar t'i "krehësh" vargjet gjuhësisht dhe kjo sjell neveri te të panjohurit që të shohin rrugës, përkatësisht lexuesit që e lexojnë poezinë me deformime gjuhësore. Dhuntinë ose talentin që ta ka falur natyra nëse nuk e shfrytëzon pë arritje më të madhe me pak investim kohor e intelektual, ka rrezik ta zhbësh një arritje shume më të madhe dhe të krijohet në shprehi kanceroze që dëmton ecjen tënde letrare në stil, kuptueshmëri, pedantëri letrare, parcializim ideo-estetik, e që përfundimisht të bëhesh rob i identitetit e karakterit sharlatan të njeriut, i cili nuk dallon me identiteitin e vokacionit poetik.
Duke shkruar këta rreshta për ty, m'u kujtua një fletore poezie imja para më se 35 vjetësh, kur isha nxënës në gjimnaz, në të cilën fletore kisha shkruar se "Poezia është jetë për poetin". Më vonë pata mësuar nga një poezi të Azem Shkrelit se nuk është poet ai që nuk vdes për vargun e tij. Këto ditë lexova Artur Shopenhauerin, i cili shkruan se veprimi dhe vepra ndryshojnë, sepse e dyta ka jetë më të gjatë, kurse veprimi zbehet sa më shumë që ikën koha. I solla këta shembuj urtie që të të kujtoj se poeti veprimet e tij jetësore mund t'i ketë nga më të ndryshmet; nga tekanjozet deri te të qëndrueshmet, nga burrëroret deri te qyqaret. Mirëpo, me vdekjen biologjike të tij veset ose virtytet e tij mund të zbehen (pra veprimet e tija), kurse madhështia dhe fama e poezise nuk vdesin, ato mund të shtohen edhe më tjej, mbase edhe më shumë pas vdekjes së poetit. Pra, ndryshe nga veprimi që vdes, vepra nuk vdes, bile ajo mund të ribiologjizohet më tepër. Së këndejmi, mirë është të kesh rreth 30 % veprime dhe 70 % vepra gjatë jetës. Veprimet e jetës madhështojnë veprat e pasjetës. Ilustrativisht thënë, nga 15 vargjet vetëm gjashtë kishin poezi(pra, i përkasin veprës me rreth 30 përqind), të tjerat fjalë deklarative, që në fjalorin e gazetarisë njihet si stil administrativ(pra rreth 70 përqind i përkasin veprimit). Duhet së paku ta barazpeshosh veprën e veprimin, që e dyta të jetë me madhështi fame edhe pas vdekjes së autorit, kur veprimet nuk janë dhe aq të domosdoshme për frymëmarrësit poetikë.
Ato vargje duhet të pastrohen nga teprica "teknologjike" dhe të imunizohen me shëndet e shkëlqim fjalësh. Si u morëm vesh, e botove në një faqe interneti. Vetëm 2-3 veta kishin komente këshilldhënëse, sugjeruese e që e kuptonin poezinë. Të tjerët ishin parukeri përgëzimesh lazdrane, lëvdatash hiperbolizuese, që në frazeologjinë popullore kosovare i thonë ‘JA LYNIN KRYET ME AKULL’. Unë nuk do të dëshiroja të jem në klanin e këtillë, por edhe atë pjesë deklarative të poezisë do të bëj ta veshësh me petkun e mirëfilltë letrar. Kujdes, herët tjera mos shpenzo ‘plumba’(fjalë) pa nevojë, me secilën të qëllosh në cakun e vet, sepse krijohet kakofoni nga breshërima plangprishëse dhe më në fund e pëson vet poezia nga ndonjë plumb qorr i tepërt e vetëvrasës. Ose, më artistikisht thënë, mos e ço dëm ujin nga ibriku, por me atë mungestarin në verën zharritëse, ujiti veten, lulet e kopshtit, së paku të gjitha nga pak, se mund të përthahen e ta shëmtojnë tërë oborrin e shtëpinë, pastaj do të kundërmojë erë plehu.
Poezia nuk shkruhet hëpërhë, por është si frymëmarrja e përditshme, ushqim jetësor,madje poezia e peshuar mirë vepron e ndikon edhe pasi të pushojë së marri frymë autori i saj. Pasi të vdesë autori, shndërrohet në frymëdhënës i të tjerëve që janë gjallë edhe me shekuj e mileniume. Ka mileniume e shekuj që kanë vdekur Homeri, Dante, Naim Frashëri e shumë poetë, por vargjet e tyre ende i japin frymë e shpirt njerëzimit, i japin dije e shëndet emancipues. Prandaj, poezia në të gjallë të autorit të saj, si trupi i njeriut që shpesh kërkon ritrajtim nga mjeku, do riforcim nga autori. Mund të ndodhë që ndonjë poezi nuk arrin ta shkruash me vite, bile edhe tërë jetën, por mu ajo e ka vlerën edhe të përtej e të pasjetës. Një të vërtetë duhet ta dish, se më e rëndësishme është poezia se sa autori. Homeri, Dante, Rumi, Naimi e ndonjë tjetër mund të kenë ekzistuar biologjikisht, ose jeta e tyre ka përfunduar në anonimitet, por poezia e tyre ka mbetur në përjetësi, pavdekësi. Nuk ka vargje më të bukura e që u mungon autori, por që kanë fuqinë e fjalisë me artin e fjales, unike, se sa këngët popullore gojore, epike ose lirike qofshin. Përkundër faktit se autori nuk u dihet, as vendi e viti i saktë i krijimit të parë, u dihet cilësia e përsosmëria e tyre. Këtu është bindja e ritrajnimit permanent të poezisë e të letërsisë, të cilin e ka bërë poeti popullor anonim, populli përgjatë shekujve deri te përsosja e poezisë.
Poezi mos shkruaj të të lëvdojë ‘i hunit e i konopit’, por të të falenderojë vet poezia. Nga ti, pra nga veprimi yt, varet jetëgjatësia e madhështia e saj, pra e veprës. Nëse do t’ i japësh jetë poezisë, kujdesu për të si bujku për tokën gratçore para se të bëhet djerrinë nga përtacia. Nëse do ta mbysësh atë, bëje me fraza deklarative, nise me një fjalë gege e vazhdoje me një fjalë toske e ndonjë të rrallë të shqipes standarde, si po bëjnë disa këngëtarë "folklorikë" me refrenet e tyre jologjike e të bezdisshme joshqipe, nëse nuk dëshiron ta ketë jetën e gjatë poezia, as sa një natë shmalljeje në internet. Lexoji edhe njëherë vargjet që i veçova dhe krahasoji me të tjerat e do të shohësh se në të shumtën e tyre ka "shkart"(qëllimisht po e shkruaj këtë barbarizëm), e në të paktën art. Se shumësia numërore e vargjeve është bezdi e panevojshme, krahasoje poezinë tënde me elegjinë folklorike gege "Kanga e Rexhës". Në fjalitë e poezisë tënde ka shumë fjalë, por porosi letrare ka pak. Ti idetë i ke shkruar me transparencë, kurse te "Kanga e Rexhës" ka pak fjalë të thëna si në konfidencë, sikur vetëm për mendjet e zgjuara e besnike, bile me nëntekst tejet ideo-artistikisht të përforcuar. Poezia juaj nuk do të ketë mbresa jetëgjata as te ti për ndonjë javë e vit, kurse elegjia e tematizuar folklorike këtu nuk ka fund frymëzimi për letrarët, miuziktarët, filozofët me shekuj deri më sot e tutje.
Poezia nuk matet me shumësinë e vargjeve plot defekte drejtshkrimore e sintaklsore, me asemantikë, por me efektin e fuqisë, porosisë shumëzbërthyese edhe bukurisë antologjike. Nëse do të përvojësohesh letrarisht, vargjet e tua krahasoji me redakturën që ta bëra dhe merre si model pleqërimi me miqtë e tu krijues letrarë, (jo)shqiptarë, pastaj do të bindesh se të jesh poet, do të thotë të të duan edhe kur nuk të kuptojnë me herën e parë, por me nëntekstin, figurshmërinë, metaforën shumëkuptimshe. Po ta jap një shembull se si duhet letrarizuar ideja. Kur shkruan vargjet për luftën në Kosovë, vleresimin për Adem Jasharin se e çliroi Kosovën duhet ta bësh me një veshje poetike, bie fjala të shkruash se...

është kandil i syve me liri të uritur
hap i ecjeve miturakë drejt rritës
së emrit në pavdekësi të firmosur
drejt planetit të bekuar të shqiplirës.

Kësisoj do t'u ikësh fjalëve të përsëritura disa herë të politikanëve e gazetarëve, referatmbajtsve të orëve përkujtimore nëpër mitingje dhe të përjoshura nga mediat te populli, që me bezdinë mediokre të fjalësisë, shkaktojnë edhe defekte emocionale. Ashtu si ishte te ti, i ngjante nje referati(veprimi) të shkruar në vargje, pa sintaksë e pa leksik të qëlluar, e jo një poezie(vepre) me temë parapërjetimi me qëlim pavdekësimi. Në formën e redaktuar më shumë i bën nder frymëzimit, temës, poezisë. por edhe vetes si krijues. Mos u bëj shpresëhumbur, por vazhdo me këtë që ke nisur dhe, një ditë vetë do të bindesh se pjesa e poezisë së mëdyshur jotja ishte një ‘tallava’ poetike, jo e unit tënd shpirtëror e intelektual, por diçka lajkatare, euforike e kuazipoetike, e sajuar nga joidentitei yt, kuaziidentiteti i përbiruar në ty. Është e preferueshme të lexosh sa më shumë poezi, por jo të imazhit tënd vargshkrues, jo me deklarativizëm panegjerik të fjalamanisë mediatike të apoetizuar, por poezi që ideja vishet me art e ideshmëri.

Përshëndetje letrare.

Miho Gjini: DUKE U ULUR PERSERI NE SOFER


U kërkova anëtarë të Redaksisë së “Sofrës Poetike”, kolegëve dhe miqve të nderuar, poetë e kritikë të njohur e me përvojë në lëmin e krijimit, të jepnin herë pas here mendimet e tyre konkrete, për poezitë që afishohen në Faqen tonë Poetike.
Mendoj se vetëm dobi do të kishim të gjithë, nga rrahja e mendimeve. Doemos, nuk është e thënë që kritikët tanë të qëllojnë gjithmonë në shenjë. Sikurse edhe ne, krijuesit, nuk jemi gjithmonë të suksesshëm.Veçse asgjë të keqe nuk ka, që me mirësi dhe objektivitet, të kryqëzohem mendimet e krijuesve dhe atyre që i lexojnë, aq më mirë në qofshin ata kritikë dhe studiues të letërsisë.
Duke falenderuar kolegët e Redaksisë për gatishmërinë e tyre, ia japim fjalën Mjeshtrit të Madh, Miho Gjinit, kritik dhe shkrimtar, veteran i letrave shqipe. Faleminderit, Miho! Paçim të gjithë vullnetin, stoicizmin dhe dashurinë tënde sublime për artin!


 GRIGOR JOVANI
Kr/Redaktori




DUKE U ULUR PERSERI NE SOFER...

Çfarë t’i bëj mikut tim, Grigor Jovanit, që më ka ulur edhe mua në SOFREN E POETEVE, që hera-herës të them ndonjë fjalë, si mik e “armik” i tyre (se, të kuptohemi, askush nuk i do kritikët....!) Kështu, në mbremjen e 3 shkurtit u hodha një sy poezive të rradhës... Nuk u zhgënjeva.
Qazim Muska kishte hedhur poezinë e tij “Si malli i vjetër”, ku malli i dashurisë shkrifëtohet si flokët e borës ne palcën e dimrit dhe zemra e poetit regëtin: “Po shkrin kjo borë e rëndë pikë-pikë,/ Si malli im i vjetër veshur në acar,/ Nën syte e tu të zjarrtë, të trëndafiltë,/ Po shkon ky dimër tash si mëkatar..." )
Pak më poshtë, Dëshira Haxhi, po kaq e ndjeshme, ndofta me një finesë edhe më të hollë, e sheh botën e brendshme të njeriut përmes mjegullnajës së syve: “Në lagështin/ e syve të tu,/ shoh botën time si laget...”..S’ke ç’thua më tepër veç këtyre tre vargjeve...
Një emër krejt i panjohur, Carol Ina, ja ku të sjell e të befason me një poezi krejt fëminore, që shpreh aq bukur embrionin e dashurisë njerëzore, në trajtën më të pastër (“Dashuri pa prekje”), tek lodrimi i dy fëmijëve të vegjël, kur jeta sapo çel, në gurgullimat e saj te para: “E vajza kur rrinte mërzitur,/ djali e guduliste,/ në darkë në hënë do takoheshin,/ ose vajza nga yjet do zbriste,/ Ata me të vërtet dashuroheshin,/ me më të çiltrën dashuri, që mund të prisje...”
Mëngjesi i datës 4 do më gjente përsëri ulur rreth Sofrës, po, për fat te keq , kalova një mëngjes të trishtuar, pa gjëra serioze, vetëm proze… Dhe m’u kujtua Zhurdeni i Moljerit, që tha i mërzitur, se “…kam 40 vjet që flas në prozë dhe nuk e ditkam!” Kështu, K. Gushi, publikon “poezinë” “Revoltë për drejtësi”, të cilën, sikundër thotë, e ka nxjerë nga vëllimi 47 poetik i tij (!!!), poezi që nuk afron fare me gjininë në fjalë: “Dua të di, po dua, është vajza që ishte dje?!/ Sa tmerr në është e vërtetë, sdo ta besoja/ Ajo të jet tama një jane, jo s’më besohet,/ ndryshe bota s’do jetonte, është përmbysur” Monologu “hamletian” vazhdon edhe më i ngatëruar..
Trembem e shkoj më poshtë, ku F. Rushiti , ne një vargëzim pa titull, thotë: “Zemra është art në vete,/ Zemra është puthje në terr/ Drejt bardhësisë…” (!!!) Mendova se mos kam të bëj me ndonjë poezi moderne, po hoqa dorë shpejt…
Dhe rrëshqas te G. Jashari, e cila, me ngjit permbi retë: “Tundi mbi ret pambukse,/ Lundro me tej ne gjithesi,/ I hedh krahet ne jasteket e gjumit “ (!!!)...Më tej vazhdonin edhe ca “xhevaire” te tjera, ku u bëhrej thirrje djallit e perëndisë, me lutjen që “të mos lindëte njeriu”.
Por do më qetësonte një poezi e vërtetë e Kimete Mehmetit (“Pritmë”), e thjeshtë, intime e njerëzore dhe një poezi brilante për nënën e Naim Berishës (“Arome nëne”), ku pashë e ndjeva dhimbjen e poetit kur i iku nëna, “si një fëshfërimë, dalngadalë”, që ai, poeti e njeriu, të mos kuptonin asgjë, pa bërë asnjë renkim e duke lënë pas një aromë molle e ftoi, që s’duhej tjetërsuar me vdekjen… Më duhej të mos vazhdoja më. Poeti e kishte aritur misionin e vet të figurshëm, fare thjesht e njerëzisht.

MIHO GJINI
Mjeshtër i Madh

Naim Berisha: AROME NENE



 
AROME NENE

Ti ike, si një fëshfërimë, dalëngadalë
Ndoshta, që unë të mos kuptoja gjë
Eshtë vonë të të them një mijë herë: më fal

Sepse tani, fizikisht, ti nuk je më

Të të them më fal që vesh s’të mora
Kur ti po ikje pa një rënkim
Pa rënë në sy, siç shkrihet bora
A krejt papritur si vetëtimë

Por ti ke lënë shumëçka në mua
S’më mbyt trishtimi, loti a prekja
Aromën tënde gjithë mollë e ftua
Nuk kish sesi ta merrte vdekja.






POETI HAVZI NELA

( Ditiramb per poetin, te cilin diktatura e ekzekutoi ne litar
me 10.08.1988, ne mes te qytetit te tij, ne Kukes. )


Ti, vërtet, sfidove frikën
Kur gjysma e botës dridhej prej saj!
Koha e pakohë të mori frymën
Përmes Makbethit gjakatar ...!

Ah, sikur në rolin tënd të isha unë
E ti, ndoshta, në rolin tim!
Por jo, ti i pavdekshëm e diçka më shumë
E unë, thjesht, një anonim ...!

Kërkove qytetërimin e mëndjes
Në rrathët hoxhian të ferrit ...!
Ti, personifikim i pathyeshmërisë së jetës
Sfidant i lakut, antipod i tmerrit!

Në fillim të quajtën rebel
Të pabindur, të pasjellshëm ...
Dhe, më në fund, të varën në çengel
Pa e ditur se kështu të bënin të pavdekshëm!

Ti hapur dhe sheshit kërkove liri
Si pak poetë të tjerë në botë,
Jo veç me shkrime, prozë e poezi,
Por dhe me qendresë e kushtrim zëplotë!

Ti ishe vetë dashuria
Shkëmb shpërfillës i qeijve dhe deteve
Bilbil i bjeshkëve të mia, bilbil e shkuar bilbilenjve!

Ku je Promethe që këpute hekurat
E di, shpirti yt qiellit i bën dritë
Ikja jote, sikur na shtypi nervat
Na sëmuri thellë në shpirt!

Ti mposhte jehonat e idhujve pa vlerë
Litarë e zinxhirë, vargonj e çengela!
Porsi malet tona, krenari e nder
Shkëmb përmbi shkëmbinj, poeti Havzi Nela!

Freitag, 7. Dezember 2012

Buqetë poezish nga Sabit Rrustemi


 
ZOTI NUK THOTË HARROJE ( buqetë poezish)

 

 
LEGJENDË E HESHTUR

 

Një legjendë e fshehur
E harruar është Çepuri

Mes dy lumenjsh njomë buzët
Lanë faqet
E trupin me një rigë shi

Flokët i krehë e shkrehë
Për dritë  hëne

Rrobat i thahen
Me një paradite dielli
Vetëm hijes ngrinë dimrit

Nuk ofshanë as lëshon gjëmë
Kur ngusht e nxënë

Përmes gjethesh shushurinë
Qanë e k'non si shpend mali
Kur e shkundë jugu

Ushton prej malli
Për atë Zanë fushe
Që s'ju bë Orë mali.

 

(28.08.2009)

 

 

 

 
PIKOI

(variant)

 
Një diell pogaqeje 
Me mbrëmjen pikoi
Në këtë fushë të kaltërt e pambarim

S'di ishte faqja jote e zjarrtë
Apo ai lot zemre më kërkoi

Tërë natën prita e prita
Deri tek kjo Ditë e re

Ajo fushë e kaltërt
Vezulloi  lart
Universit
Skaj më skaj
Përmes dritës sate

E si mos të kthehem  kah Ti
Dashuri

Gjirin tënd kërkoj përsëri

 

(28.09.2009)

 

 

 
PRISTE SI NJË ËNDËRR


Ajo priste si një ëndërr
Skaj bebëzave të mia

E kapa për dore
Të tërën
Me krejt shpirtin tim
Në dhomën më të ngrohtë
Të qenies sime
E vendosa përjetësisht

Të plotë
Si hënën  në të pesëmbëdhjetë
Me atë fytyrë që shëndritë
E rri e çelur
Në sytë e mi

Aromën e saj
Edhe tash e thithë
Me afshin e zemrës e shijoj

Të lumin çast uroj
Që e gjeta

Këtu e kam

Pulson parreshtur
Ora ime e dashurisë

(9. 12. 2009)

 

 

 

REÇETË E PËRDITSHME

 
Me lotin e ftohtë të pritjes
Laji faqet
Sytë
E vish rrobat e shpirtit 

Shetitjen e mëngjesit
Bëje nëpër hartën e dashurisë

 Nëpër secilën gjymtyrë

Kur të merr etja
Për freski mali
Kthe kah buzët e mia

Po pate kokëdhembje
Ftoje pëllëmbën përkëdhelëse
Që me prekje shëron

Mungesash mos u streho
Aty ku nuk jam
Mos më kërko

Hapit tim
Fjalës që hap atë portë zemre
I beso

 

(1 mars 2010)

 


 

(V)ETJA IME

Shterre ate heshtje
Atë vapë që vyshkë
Atë akull që mërdhinë

Pije me fund
E mos u kënaq nga d(j)ergj(i)a ime
Në pritje

Hape atë gojë
Të eturat buzë
Që po shkrumohen rrëzë teje

Larg ajo hije
Ajo vetull jotja
Ajo palë bleroshe e flokut tënd
Që flladit

Më larg se shikimi im
Më e thellë se heshtja jote
Që vret

Më e zjarrtë
Se vapa që nuk pëlcet

Vetja ime
Po shumë më paske braktisur

(Gjilan, 17 Qershor 2010)


 

 

 

 

PËRTEJ NJË VETËTIME

 
Shiu vërshoi
Nëpër këpucët e mia të zeza

Qorapët e qullura
Më gostitën
Me ngjyra të mbyllura
Pjesëve të sipërme
Të këmbëve
Thembrave

E unë trupoja rrugën
Para makinave
Semaforëve të heshtur
Të lagur
Zebrave të fshira
Të harruara
Se Ti
Më prisje diku
Përtej një vetëtime
Syve përmallim

Këpucët po thahen
ballkon
Dhe ngjyra e fituar gratis
U shly tashmë

Mbete vetëm Ti
Qiell i kaltër dashurie

 

(29 qershor 2010)

 

 

 

Ç' MUND TË TË OFROJ MË SHUMË

Zoti nuk thotë
Harroje
As Zemra

Një det ndjenjash
Qepet Çepurit
Po rruga përpjetë
Deri në Kodër

Shtigjet zik - zake
I ka mbuluar dushku
Bari i ri
E paecura ime
Vonohet për pak
 
Ty të ruaj


Thellë në veten time
Edhe kur më ikën me mëngjes
Edhe kur më kthehesh
Rrallë e përmallë
Përmes ndonjë ëndrreje
 
E dashur
Po e deshe malin
Qe ku jam
Po e lype detin
Qe ku e ke
Në shpirtin tim

Dhe mua të tërin
Thellësive tua
Të paprekura

Ç' mund të të ofroj më shumë
Pos shpirtin tim
Të rinuar prej dashurie

(3 Korrik 2010)


 

 

 
 

MUND TË BËJ Ç’TË DOJË

 
Ajo mund të vijë me ditën
Mund të fshihet me natën
Mund të mos bëj zë
Me ditë e net

Mund të mbyllet si lulja
Nën petale të blertë
Me muaj me vjet

O
Ajo mund të sillet si të dojë
Dhe pa mua mund të jetojë

Unë do ta ndjej
Orë e çast
Në secilën sekondë
OrëZemra do ta kujtojë

Si tash

 
(17 shtaor 2010)

 

 

 



NDIZE SONTE

 
Çepuri flet përmes pamjes
Me fytyrë malli

Rri dhe sonte
Ta përzëmë këtë erë
Këto re përmbi
Që ikin tutje
Pa një pikë shi

Për muza s’ do kesh uri
Të ruaj nga cilado furi
Vetëm rri

Ta ndezim këtë natë
Asaj vashe pas kodre
Që ka humbë udhë
Dritë t’ i bëjmë

Të tharat gjethe
Këta rremba të tharë
Të qofshin falë
Sall ndize sonte
Ndize
Për atë hënëvashë

Çepuri nuk refuzohet

 

(4 tetor 2010)

 

 

 

 

 
TEK RRËNJA JOTE

 
Për dallim nga krimbi,
Dyshimi nuk e gërryen
Atë Zemër Molle
Po  Loçkën e Zemrës

Mos i jep rast
  të futet në brendi
Trupit jeshil
Qerpikëve të zi

Strehë e tij
Mos u bë
Moj peh’rri

Se ajo zemërrëmollë
Do gërryhet
Do bëhet zi

Ajo loçkëzemre
Do rrudhet
Do t’kurret
E do varet syve të mi
Plot mërzi

As dyshimit
As krimbit
Strehë
Nuk do t’i bëhesh ti

Verë e dimër
Tek rrënja jote do rri
Plagët të t’i mbyllë me dashuri
Nëpër sythat me lule
Të buloj përsëri
Me frut të ri

 
(Gjilan, 6 nëntor 2010)