 |
| Nikollë Loka |
Flaka e shpirtit
Një re e zezë
ik prej perëndimit të diellit,
rritet perëndimi
në qiellin pakufi.
Nën këtë qiell vjeshtak
në prag të dimrit,
pritëm një shqipe të vijë.
Për pesëqind vjet
shpresa
na u kthye në gurë,
në gurin
që na rëndonte në votër.
Prushi i skuqur
u bë flamur
dhe flaka
shqipe me flatra.
U ngjit ajo flakë
në qiell me vetëtimat,
pastaj ra në tokë si rrufe.
Ndër beteja,
ku jetën e dhanë trimat,
shqipet i ngritën foletë.
Sa shumë rrufe
ranë mbi gurin e votrës,
po zjarri s’u shua kurrë.
E flaka e shpirtit
udhëtoi drejt Vlorës,
që të valonte madhërisht
në flamur.
Flakë e shpirtit
na u bënë
shqipet ndër male.
Në prush na u kthye mishi
dhe gjaku.
Nuk vdes Atdheu!
Nuk vritet guri!
Nuk shembet mali!
 |
| Adem Zaplluzha |
MOS U DORËZO NGA KY TËRMET
Sot përjetuam vdekjen e fluturave
Një krah i thyer
Kurrë më s’mund të fluturoj
Nëpër qiellin e mbetën peng
Dhembjeve dhe plagëve pa gojë
Ky tërmet i çmendur
Për së mbrapshti ia ka mësy atdheut
Por mbase ka harruar
Se kjo tokë
Asnjëherë nuk iu është dorëzuar askujt
Ishte nata ku nën rrënojat
E qytetit të pavdekshëm
I dëgjuam gjëmat
Edhe në Fushën e Mëllenjave
Ku shtatë ditë e shtatë net
S’do pushojnë kukamat
Nënë moj mbaje ison e guximit
Mos u dorëzo nga ky tërmet
Ani që u lindëm
Nga shpirti i mjerimit
Ne sërish jemi krenar si një mbret
 |
| Sabit Abdyli |
SHQIPËRI
Rrënjët të gërmonin në thellësi
trungu të rritej në lartësi
Shqipëri
Degët mundoheshin t’i prisnin
por rrënjët në thellësi
të mbanin të fortë
Shqipëri
Yll në jugperëndim të Evropës
çerek shekulli u bëre
Shqipëri
shtrive Bajlozin
riktheve flamurin
Shqipëri
Lamtumirën i dhe gjysmëshekullit të marrë
që të bëri të harroje Kosovë e Çamëri
që tek ti kishin zemrën shpresën
Shqipëri
Dhjetor 1999
 |
| Fran Tanushi |
TRANDJA E TRISHTË
E shoh se je lëndue
por nuk je rrëzue
Veç je mbështet
n’njërin krah
pak më pushue
Pas trandjës së trishtë
ke nevojë për një dorë
t'jep krah me u ngritë
Ty nuk të duhën lutje
dhe as lot dhimbje
As lecka të përdoruara lëmoshë
për ti mbulue plagët e shtatit
dhe dhimbjët që ke
Shqipëri
ti je sall dashni
që sduhët m´e fshehë
 |
| Naim Fetaj |
DY PALË LOTË... PËR TY...
Ra nata e zezë si qyqe mes qytetit
Përplasën njerëzia si valët e detit
Mes klithma zogjësh mbi një shkëmb
Dikund
Silueta jote si det i pafund...
Futej e zezë nata... si maca ndër sini
Ik prej njërit gju ...ik prej tjetrit sy
Në secilën stinë...dy palë lotë për ty
Ah ...Nënë Shqipëri...
MBAHU NËNTOR !
Mbahu Nëntor !
se s'jeni Flamur i vetmuar
as i përkulur në vetmi ,në gjysmështizë
sa të frymojë çdo shqiptar
dhembjen dhe dashurinë
do ta kemi të përbashkuar!
*
Mbahu Nëntor!
besimin në Zot dhe Njeri
prore do të jemi NJË!
 |
| Musa Dushica |
KËNGË E VAJ PËR NËNËN
Më lër të fshij sot djersën tënde të ballit,
Dhe lotin tënd të ngrohtë, që të pikon në sy...
O nëna ime e lodhur, e dhimbjes dhe hallit..!
Me sa fuqi që kam, dua t’përqafoj...
t’pëqafoj unë ty !!
Po, po të fshij lotin...lotin tënd të ngrirë !
Të freskoj dhe ballin...ballin rrudha shumë...
Vuajtja të la gjurmë, se s’pate një ditë të mirë...
Sot u sëmure rëndë, nga dhimbja s’bënë dot gjumë !!
Të fshij lotin nënë dhe ta pi atë lot...
Të ndihmoj të ngrihesh, të shohësh
pak rrotull...
Tërë këta djemë e vajza që t’kanë ardhur sot,
Për t’i shëruar plagët e ulur me ty, në sofër !
Duke shkruar fjalët, nënë, zemra më dhembë për ty !
Ti je nëna ime, unë jam biri yt,
Në të mira e të liga, jemi bashk të dy
Kemi veç një nënë, s’kemi një të dytë !
O e dashur dhe e shtrenjtë,Shqipëri o nënë !
O burrëreshë e vuajtur, e djegur,e pjekur...
Asnjëherë ti vetëm jo, nuk na ke lënë
Për ty derdhim lotë, por zemrën kemi hekur !
28 nëntor 2019