Donnerstag, 13. Februar 2020

Buqetë poetike nga Hana Xhihani

Hana Xhihani

QËNDISMA E NËNËS SIME

Një drithërimë e zgjatur shpirti,
thurur me fije të gjyrmyshtë,
qëndisma e nënës sime
në këmishën e vjetër të babait.

Ju luta kohës
mos t’ ia humbë ngjyrat
kësaj qëndisme të moçme,
që frymon ethshëm
në sytë e mi të mallit
dhe zbraz kujtimet e tkurrura
mbi rrudhat e thella të ballit.

Një ujvarë dhimbjesh
në fijet e perit gjyrmysh,
malli i zjarrtë i gruas,
dashuria e dhembshur e nënës,
psherëtima e heshtur e zemrës,
lektisja e mekur e shpirtit,
trajta e mallit të patretur,
qёndisur me dashuri
në këmishën e vjetër.

Qëndisma e nënës sime,
poezi e pambaruar
vargje të stolisur,
dy zemra drithëruar.
Një pikturë e heshtur
me gjyrmysh shumëngjyrësh,
si pranvera me lulet e majit
në këmishën e vjetër të babait.

Ajo qëndismë e heshtur,
si këngë e engjëjve,
s’ më lë kurrë vetmuar,
mat rrezet e syve të mi,
kujtim i përmalluar…

***

Për ty vargje do të thur pa ngutje,
do të zgjedh pamjen e shiut në janar,
fshehur nën çadër do të vjedh plot puthje,
t’i vendos si data në kalendar!

***

Në qoftë se mund ta prekja qiellin,
përsëri, fjalën dashuri s’ di si do e shprehja,
shtëllungave të reve do t’ia gjeja vendin,
me shkëlqimin e yjeve këtë fjalë do ta dehja!

***

Qepallat në gjumë m’u bën’ kataraf
mendimet shkonin edhe më larg.
Nuk gjenin shteg, më mbytën si makth
ëndrrën ma zhveshën, ma vranë nëpër natë.




NJË NATË

Një natë i fola gjysmëhënës
për mallin e ngrirë të nënës.
Një natë tjetër gjysmës së saj,
mallin e ngrirë të një babai.
Kur hëna u shfaq tepër e plotë,
për vëllain ma zbuloi të zjarrtin lot.
Kur hëna po ikte, s’munda ta mbaj,
malli, loti, shuajti dritën e saj.




EJA

Eja,
shembi yjet në kalendarin e ri!
Shihi ëndrrat e mia në dorën e djathtë!
Magjia e jetës -vërtet një çmenduri,
me dhimbjen për ëngjëjt a për djajtë!

Eja,
të mbledhim shiun nëpër duar,
ta flakim këtë përrua në turbullim,
të ngrohemi me tjetër diell, si thua?
Plot copëza dashurie në vazhdim.

Eja,
të ulemi në verandën e kujtesës,
frutat e perimet le t’na e bëjnë me sy,
të shuajmë zjarrin që djeg venat e shpresës,
qetë, peshën e ëndrrave ta ndajmë të dy!

Eja,
le të na shohin skeptikët me mëdyshje,
loti i dhimbjes per ne, shok i vjetër,
ta kthejmë në buzëqeshje t’pathyeshme,
këtë shpresë që na dogji etur!

Eja,
të njëllojtë para fatit nuk jemi,
edhe pse dëshira kërkon të jetë,
Zoti do dikë ta dallojë nga të tjerë,
në mjeranë të shpresës i kthen vërtet!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen