 |
| Faruk Tasholli |
DASHURIA IME LËVIZ KAH DETI
Dashuria ime me vrull i çan bjeshkët
Nuk fluturon nga kepi në kep si dikur
Mbi shpinën këngëve të moçme majekrahu
Ka ndërruar formën e lëvizjes
Udhëton përmes maleve që ikin kah qielli
Nga njëri cep në cepin tjetër të dhembjes
Dashuria ime udhëton dhe i dridh gurët
Ata gurë që hidhërohen e na zënë përfundi
Ata gurë pa të cilët nuk mund ta shenjojmë
Bukurinë e jetës kur zë vend trishtimi
Dashuria ime gjëmon si një lumë i rrëmbyeshëm
I mbushur nga lifqerët e syve të perënduar
Nën flatrimin e shqiponjës së vjetër
Dashuria ime rrëshqet butësisht anës së detit
Aty ku dhembja përfytet me bajlozin
Për t’ia këputur kokën që e nxjerr nga dheu
 |
| Hajdin Morina |
KUR NDRYSHE E NDIEN DITËN E 28-ës
(ose bisedë nga larg me bijën time, Arblindën në Tetovë)
Dje ndryshe
njeriu i tokës sime
e ndjeu ditën e 28-ës,
ndryshe e ndjeva këtë ditë
edhe unë, babai yt, Arblindë,
sepse ende nuk dihet
edhe cili fëmijë
ka mbetur i vdekur në Durrës
nën gërmadhë,
edhe cila nënë në Thunamë.
Pë të parën herë,
prej se ti erdhe në jetë,
një gotë
për ditëlindjen tënde s'e çova,
vetëm përmes celularit
"Gëzuar!" të urova
dhe mbase pak me vonesë
dhe mbase pak vonë
të shkrova Arblindë,
ty atje n'Tetovë.
Por dita e 28-ës
duhej ribërë në shpirt,
aq sa mundet njeriu
kur brenda vetes prek tragjedinë.
Duhej ribërë 28 Nëntori,
sepse i treqind ushtarëve
të Gjergjit ndihej troku
tek hynin udhës së pazarit
në Krujë,
tek kalëronin
pllajave të shpirtit tim,
tek unë.
Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse shpirti ndiente
tek përqafonte
Isa Boletini flamurin
dhe Ismail Qemalin,
sepse Kosova ndiente
krismën dhe këngën
e Adem Jasharit.
Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse Atdheu ndiente
jehonën e UÇK-së
në varrimin
e mësuesit Halit Geci
në Llaushë atë ditë,
në atë 28 Nëntor
kur linde ti Arblindë.
Tërmet,
por e 28-ta duhej bërë,
sepse e tha poeti Fatos Arapi
në vitin 1968
kur Shqipërinë e goditi
si sot një tërmet:
"Tërmet.
Tërmet.
Tërmet.
Po ai lind,
vjen në jetë.
.....................
Tërmet.
Po ai klith,
do sisë."*
(Kosovë, 29 nëntor 2019)
_______________________
*vargje nga poezia "Episod" e Fatos Arapit, shkruar më 1968.
 |
| Arif Molliqi |
TËRMETI
thellë u kollit toka
duke i përtyp vdekjet
nga kavermat lëshoj dhimbje
pas një copë herë
para diellit të vonuar
të gjallë dhe të vdekur heshten
shtëpitë shumëkatëshe
ulërinin
të zëna ngushtë nga tërmeti
Sa qava
kur nata e zeze i trazonte njerëzit
nëpër fole
në dhomat e plasaritura
tërmeti gëlltiti buzëqeshjen fëmijve
ua vodhi gjumin
ëndrrat
lojrat..,
nuk i dëgjonin as ninulat e nënës...
gërhamat e vdekjes
i mashtronin
(26.11.2019)
 |
| Xheladin Mjeku |
DOLLI ME NJË KUPË LOTI
Sot qava me lot zemre
Nga dhimbja kam qarë sot
Dashuria për njeriun nuk njeh kufinjë
Prandaj s’u përmbajta dot
Është njerëzore të dhurosh
Çoftë edhe një pikë loti
Në çaste të veçuara
Në ditë gëzimi a për mort
Sot pafundësisht do të dëshiroja
Të ngopem me ngushëllimin e dhimbjes
Dhe ta prek shpirtin e dashurisë
Për njeriun tim prej gjaku
Shumë mallë ndieva sot
Ta uroja në këtë ditë
Dhe të ngrisnim dolli feste
Po kupa loti ma mbushën shpirtin
Dhimbja ime prej zemre
Edhe të tjerët mund të kenë qarë
Në dhimbjen e tyre gjithësesi
Në mënyrën time edhe unë qava
Mbështjellur me zëra shpirti në përftim
Sot vaji kuptim tjetër kishte
Nga dhimbjet dhe dashuria njëkohësisht
Sot qava
Që me agimin e ditës
Se dhimbja ma rëndonte shpirtin
Përballje me dy histori
Festë në gjysmështize atdheu im
Mbështjellur me dhimbje në pafundësi
Në mënyrën habitore u zhgreha në vaj
Kur takova bashkë dhimbje e dashuri
Dolli me kupa lotësh rrëkëlleva
Mes shpirtërash që u ndanë në pabesi
Sot ishte ditë mbidurimi
Ku prekeshin vaj e dashuri
Sot qava nga dhimbja
Vërtetë qava edhe nga gëzimi
Për dashurinë që s’shterron përjetë
Kur takova bashkë vëllaun me vëlla
Në përballje me dhimbje e festë
Ndjenjë e turbullt sa më s’ka!
Sot shpikëm bashkë kupën e lotëve
Në festë e dhimbje
Or vëlla!
28.11.2019
 |
| Muhamet Mavraj |
KU PO TE DHEMB SHQIPNI
(Prishtine, 28 Nentor 2019)
Shpesh po dridhesh
Po djersitesh
Ku po te dhemb Shqipni
I shlirove lidhesat
Kepucet t'u zvogeluan
A kembet po te rriten
Reume nentoresh ndoshta
Ku po te dhemb Shqipni
Nuk je nena ime
As motra e vogel as vellai i madh
As kusherina, s'jemi gje ilake te genjejme çdo dite ty
Ku po te dhemb Shqipni
As gjysma ime as cereku
Dhe as e tera
Ke mbet veç sa nje kuti
Ku po te dhemb Shqipni
Ngado, ne cdo cep, ne cdo anije, ne cdo enderr
Na shpon na pershkon na terrqethe na çorodite
Dridhja jote,
Ku po te dhemb Shqipni
Gjithmone, gjithkund, gjithqysh
kthejme koken kah ti
Edhe ateistet bijne ne gjunj
Te falen ty
Ku po te dhemb Shqipni
Ne emer te Zotit
Je e denuar te mos biesh kurre
As te behesh germadhe
Veç fol Ti
Ku po te dhemb
Shqipni, loçka ime
Faltorja jone e madhe
 |
| Diamanta Zalta |
DASHURI
Dashuri do të thotë shpresë,
Dashuri do te thotë fillim,
Dashuri do të thotë te jetosh rrëmbyeshëm
Edhe çastin,
Dhe për çastin, të mos bësh durim.
Dashuri është drita,
Që ndan qiellin nga deti,
Dhimbja e sythit kur çahet,
Kur frutin do të çelë, diku aty në majë.
Diçka si meraku i nenes,
Që të ndjek kudo,
Të të mbajë.
Dashuri, eshte shërimi
Nga gjethja e zverdhur e shpirtit,
Holli, ku gjaku me i kuq eshte bere
Nga thyerja e zemres dhe mbulimi i ndryshkut.
Dashuri eshte të dish,
Të thuash "më fal"
Tek dikush që me dashje-padashje helmove.
Dashuri eshte gjithçka që i përket,
dhe të pret...
Eshte Dielli yt,
Që të ngroh frymën dhe fjalën,
Që e beson, të beson,
E ta qeteson dallgen.
Eshte ajo hija në të cilën,
Gjithmonë mund të mbështetesh,
Dhe me gonxhet që hapen
në ballkonin e kohës,
të mundesh të masësh,
sekondat e jetës.
SHKRUAJ ME SY, MBI NJE LETER
Tani jetojmë kohë moderne,
ku gjithçka ka shpejtësi, mençuri
por ndjenjë, gjithnjë e më pak.
Kohë,
që nje shpirt te bukur,
e zëne në lak!
A thua, dhe dashuria e cdo lloji,
do të shkruhet në konpjuter,
dhe mardhënia e saj me njeriun
do të jetë valë?!
Unë si them dot lamtumirë,
letrave të bardha,
mbi të cilat kam dashuruar,
edhe qarë.
E qartë ndjehem vetëm me veten,
me lëkurën diellore të natyrës,
aspak me nje monedhë te derdhur në bronx,
dhe me asnjë hipokrizi të njeriut.
Ndaj çdo kohe, kur nisem...
unë i them kam nevojë edhe të kthehem,
dhe sa herë aty ku dua të kthehem,
them erdha, tek ty të prehem.
Të çmosh kohën,
të duash kohën,
eshtë diçka që duhet ta bësh për veten.
Në pamundësi përshëmbull, per të qënë mal,
jam thjeshte, nene,
dhe... poete!
IF...
Sonte...
per ato 30 vjet te huaj, them:
Në se një ditë do të ulesha
mbi një fletë libri, diku aty në nje cep...,
përsëri do të thyhesha, prej syrit tënd,
JETË !
Do të filloja të mblidhja copat e vehtes,
të ndërtoja me to, më të bukurën strehë.
Jo nga të tjerë... por vetë,
që të ishte e vërtetë.
Me nje buzëqeshje krahëhapur zemre
do të të kërkoja të më duash më shumë ti.
E mërguar përjetësisht muzash,
kam dhe nje frikë, me shume ngjyra,
këtu në gji.
Rënkoj... e kendoj, mbi një urë.
për një Paqe me Zotin,
të jetë e butë...
Nata,
më mbulon me mellan.
durimi me gurë,
muza me nur...
NE FAKT...
Ne nje jete tjeter do kem qene një pulëbardhë,
që fluturon mbi det pafundësish të reja
te luftoj me erën, te bëhem njësh me të,
të kuptoj çështë liria.
Herë të tjera,
të mbyllem në një kafaz,
dhe çelësat ti hedh larg,
të mos mundem më ti gjej,
të fshihem në trupin tim e të bëhem heshtje,
e mbuluar me një cipë të lagësht ndjenje.
Në të dyja rastet kërkoj shpirtin,
Keshtu është krijuar njeriu,
për të kërkuar!
Herë mbi dhe, herë nën rrogoz’
Herë në një të vetëquajtur asgjë,
E herë në kufij që vetë i vendos.
E në se arrin të mbylli dritën brënda vetes,
Aty ka gjetur çelësin e së vërtetës.
Sepse jeta është e shkurtër,
Sa ç’zgjasin tre stinë,
(mua njeren ma perpine).
E unë kam kohë që kam bërë zakon
ta dëboj mërinë,
me dashurinë dhe mirësinë.
Vendos ëndrra shumë, i bëj zjarr
të më tregojnë rrugën që do marr.
Vendos dhe të qeshura shumë,
nga ato që bëjnë punë,
sepse me to e përze frikën,
afroj sigurinë.
Vendos pranë dhe dy miq të mirë,
të cilët i quaj far.
Në detin e trazuar të jetës kur notoj,
të më kujtojnë arsyen përse rroj.
Vendos pse jo dhe shumë improvizime,
nga ato që ngjisin copat e thyera,
me atë mënyrë të përsosur e te rralle
që e njeh, dhe e ben vetëm dashuria.
Nuk kam si të harroj atë heshtje,
Që ka përqafimi,
Me më të madhen zhurmë brënda nesh,
Ato pak sekonda që mbajnë brënda,
Aq sa për një jetë.
E në se diku dritat bien apo edhe shuhen,
Ne se e qeshura humbet dhe duart humbasin,
Ndaloj... Brenda vetes shikoj, kërkoj.
Kengen e shpirtit të dëgjoj.
Vetja është limani.
Vetja është stacioni.
Vetëm apo e shoqëruar,
E vogël apo e zmadhuar,
Një jetë do ta kërkoj se e di që më prêt,
Asgjë sa mua, më thotë,
Nuk të ngjet!
SA PAK...
Hapa nje dritare ne udhe qumeshti,
te perndritur.
Ne preher mu derdhen luledele,
papritur...
Thashe –
Sa pak ju dashka njeriut,
per te qene, i lumtur.
Zgjata gishtat te kap qiellin,
Nje yll qe e quaj timin ne heshtje,
thashe per pak, fare pak ta zbres,
dicka po ne heshtje t’i them.
Gishtat, mu veshen me serm.
Sa pak,
Sa pak u dashka, per te qene i lumtur,
perseri them.
Nje perde drite hapa, te vjeter,
si nje enderr te lashte.
Zogjte, moren ajrin e saj
për ta shperndarë...
U ndjeva e lire, me krahë.
Po kjo është lumturi ! – prapë thashë.
Nje Lumturi, perbehet nga pak, fare PAK !
Nje rreze, nje germe, një e thënë,
një e ngjarë, e paparë, s’ka rendesi
Dy mendime të njëjtë,
Qe emetojnë shpirt...
Dy zemra njerezish krejt te panjohur,
dy mendime, qe pelqejne te njejtat ngjyra,
dy thenie te paperkuara, të palexuara,
thjeshte balle per balle, si dy dije te reja,
si dy tinguj, vetem dy, nga dy cicerima,
arratisur papritur nga heshtja, dhe dhimbja.
Te gjitha keto jane e Jetes – Veshja... Bukuria.
Jane stine mbi stine, si diej me kurora
Sa pak, per te qene i lumtur!
Kuptova.
HAPA PRANVERË
Jashtë,
Hëna i është ngjitur qiellit,
Në bark si plaçentë,
Që sapo i shkërmoqi bebeyjet,
Aty-këtu nëpër muzë...
Puhiza nazike me durim nëne
Përkëdhel gjethefoshnjet,
Dhe u mëkon qumësht të gjelbër,
Pike-pikë në buzë.
Në cepin e ballkonit tim,
Dallëndyshja ka ndertuar folenë,
Pranë mëllagës së kuqe,
me hije Princeshe.
Aty tani, ka rënë hija e muzgut,
Vellore, si magjia e nje shprese.
Nesër zogjtë,
Do të rriten edhe një ditë,
dhe agimi,
me shumë cicërima do të ketë.
Ajri,
i ngopur do të jetë, me jetë.
Ajer i pastër, i dlirë.
Pranverës,
Hapat ja mas me fëshfërima,
Ditët, me klorofilë.
 |
| Zeqir Krasniqi |
ÇELTINË
Leri ëndërrat
E kanë shtekun hapur
Eja të bëjmë gjumin së bashku
Mos të zgjohemi me shekuj
Nuk na duan për së gjalli
Le të përflitët për ne
Për Atllantidën në dorë zoti
Nuk di nata për ditën
Më sa dita për vërbërinë
Ndaj nuk tregohen ëndërrat e pasditës
As vendkafshimi i morrit
Faqja e Zezë nuk rri gjithmonë - nën hije lisi
Çeltinë
Çili sytë ngjyrë lajthije
Së nga erërat e lehta
Gjethet bëhen lule - i thonë
Stinë e vjeshtesë së vonë
Prishtinë, Nëntor 2019
E HËNË ISHTE
Në ditën e parë
Zbriti nga mitet Shëmunigazia
Grunajave kalëronte lazdrimi
Vite më parë na që krimbur kripa
Në ditën e dytë
Nuk mbahet mend ç'furtunë
Zor për Lisin
Pastaj vërshuan përrenjtë
As zanat s'u dukën këtej pari
Amforat mbase i ikën helmimit
Në ditën e tretë
Mbaj mend të këtë pasur vesë
Diellit i rrodhi gjak nën vetulla
Në ditën e katërtë
Erdhi fjala e nusës erëpishe
Batare krismash vranë këngën
Dukagjini sogjetonte yjet e therur
Në telatinë veshur nata bënte roje
Në ditën e pestë
Patkoj në derën time pa numër
Rrugë pa emër
Shëmunigazia kosiste lule
Mespërmes Fushës së Paqes
Në ditën e gjashtë
Asnjë thërmi buke në magjen tonë
Mblodha ç'gjeta kantonjerëve të qytetit
Gjithnjë mendoja - ka Prishtina
Një litër qumësht për fëmijët gushëtharë
Në ditën e shtatë
I thash bilbilit - lum ti për këngën
Mjerë unë që s'ti kuptoj dhembjet
Prishtinë, 2017
E KAM GJETUR EMRIN TIM
E kam gjetur emrin tim
Mbi faqen e shkrumbsur të atdheut
Burim i bukurisë
Në kafshatën e përbuzur
Lot i shtrydhur deri në amshim
Emrin tim e kam gjetur
Mbi librin e grisur të lirisë
S'e kam ditur këtë
Ja kam puthur faqet
Edhe kur qaja
Për jetë të jetës më ka mundur
Dashuria e tij
Prishtinë, 1993
MËRGIMTARËT
Si dallëndyshët shkojnë, vijnë
Vijnë
Aty ku s'pari mbollën dashurinë
Si lejlekët vijnë, shkojnë
Shkojnë
Aty ku s'pari dashurojnë
Mërgimtarët për Zotin
Eliksir kanë lotin
O Zot, o i lumi Zot!
Sot e mot
Në atdhe gjak, në mërgim lot
Ç'dhembje në mu, për ne
Në mërgim jetë, vorr në atdhe
Prishtinë, 2017
LOJË NË PLOJË
Matanë perdes prej mëndafshi
Një dorë e maskuar
Me shpatë doli jashtë vetes
Zogjtë kafshohen në fluturim
Asgjë tjetër nuk merrte frymë
Fati të hedh fati të ha
Lojë në plojë
Kaherë rri aty mes lulesh
Diçka pamëshirë shtrëngon
Dallëndyshet kur larg ikin
Shijojnë aromën e fushave
Dhe kafshimin e gjarprit
Prishtinë, 1993
DHEMBJE NË IKJE
Sa herë ikën dhembja
E kam pagëzuar heshtjen
Me drojë rrëmbeja udhët
Ç'vrapim i çmendur
Për në Evropën e lodhur
Nuk i marr me hov motet
Të ha bukën pogaçe të lë gruan
Fëmijët pikëllohen pas gjumit
Buzëqeshja m'është ngrirë
Dhe në portë rri si i dehur
Tërë jetën time të rëndë
Në fund zor se më kuptojnë
Edhe kur takohemi sërish në atdhe
Prishtinë, 1993
KUR FLASIN ESHTRAT
Prapë kthehem në ty
Urëzall
Urëgur
Po heshta unë flasin eshtrat
Urë mbi mur
Tambël i Shqipës gjakvalë
Kthehem te ti
Ç'plagë në dheun tënd
Urëgjak
Urëndarje
Tre mijë vjet në murim
Prishtinë, 1992
ARBERI
Arbëri moj
A të qajë a të vajtojë
Gugashe - fytin lidhur me tojë
Që kur zbriti Smira në tokë
Dy të pa shpirt bëjnë - një pa kokë
Më e mirë është Natë e Varrit
Se dënesjët e Qyqarit
Eu Arbëri
Sa keq të rri
Pështjellaku trupit lidhur
Ai Pështjellci i Zi
Dil nga Kullë e Ngujimit
Unë Vëllai HASEM
Martoj djalin, eja në dasëm
Prishtinë, Korrik 2018