Sunday, September 19, 2010

REQUIEM PËR MURIN E BERLINIT nga PAL NDRECAJ

Photobucket

PAL NDRECAJ

Pal Ndrecaj u lind më 1960 në Moglicë (Gjakovë). Ka studiuar letersinë shqiptare në
Universitetin e Prishtinës. Është autor i tri vellilmeve poetike dhe i nje romani. Ka punuar mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare dhe gazetar në të përditshmet kosovare “Koha ditore” dhe “Zëri”. Jeton në New York.



REQUIEM PËR MURIN E BERLINIT

Pas gjithë atyre shirave përmbytjeve
në qiellin e ndërgjegjes
më në fund fluturoi një zog

Anomalia e një gjysmëshekulli
u copëtua në miliarda thërmija
u nxor nga ekzistenca
siç e heqim nga vjersha
një varg që s`është më me funksion

Në miliarda grimca
si në miliarda kokërrza kujtimesh t`idhëta
do të doja të copëtoja
çdo mur si ai

Muret
thika të harruara gjate operacionit
ne trupin e nje pacienti
që në interpejsazh
si lajtmotiv i keq rrinë...


Nga vellimi poetik "Lule mbi plagë" (1993)

LOJË NË KATËR AKTET (T)
AKTI I PARË
(Shek. XV,XVI)


Akti i parë nisi
me rrëshqitjen e idesë
nga ajo e Skenarit

Mbi plato u dëgjuan hapa të rëndë
që në prolog bëhej i ditur lloji –
Tragjedi


AKTI I DYTË
(Konferencat ndërkombëtare)

Në aktin e dytë
kërcitën dërrasat
dhe ranë
ranë
ranë
ku s`bihet
(ku na pat rrëshqitur koka)
boka dhe Toka


AKTI I TRETË
(Komunizmi)

Në aktin e tretë
ndërruan aktorët
dekori

Publiku rrahu shuplaka derisa u mpi
Dhe pikërisht kjo u mor si momenti i përshtatshëm
që loja të mund të rrëshqiste
nga rregullat e artit
që kishte premtuar të renë

Vonë dikur
publiku rrahu kokën me shuplaka
kukuuuuuu!
deri sa iu shpi


AKTI I KATËRT
(PASKOMUNIZMI)

Meqë ishte thënë që tragjedia
do mbetej sa më gjatë në skenë
qenë vënë rregullat që të mos bjerë

Ndërsa për rastin kur
edhe akti i tretë
do të mund t`ia lëshojë vendin

ndonjë akti tjetër
u ushtruan sa më shumë langonj
që mundësisht
në polifonitë e reja
të aktit vijues eventual
të shquhej sa më shumë lehja e tyre
në mënyrë që bashkë me perden

mundësisht
të bie edhe
ideja për
tjetër
lloj
!


(Nga vëllimi poetik “Akti i krijimit”, PR. 1998)


MUNDJA E ATDHEUT

Ç`hoqa me ty atdheu im
i vogël
ç`hoqa nga ti

të barta tërë jetën mbi supe
të ledhatoja të lavdëroja mbi gjithë të tjerët
e mbi gjithçka
Ty të shenjtin

Po ti kurrë nuk dole ai
kurrë nuk i mjaftove vrapit

Se ç`mundohem në dilemën e shenjtërisë sate
tash

Ndaj ke zënë të shkundesh të rrudhesh
nga madhështia
shumë të shenjtëve po u bien kurorat nga koka

I revoltuar në gjithçka
dua të dal jasht
të shpërthej

Ke zënë të rrudhesh tash shumë
je bërë ashtu si të ka hije
po ende nuk mund ta vë foton tënde në Ëall

miqtë në FB do më qortojnë
do më anatemojnë
do më quajnë tradhtar
se të kam rrudhur shume nga ajo madhështi
atdheu im i vogël
në synimin për të bërë atdhe timin
tërë Planetin


NJERIU MBI TË GJITHA

Zoti e bëri njeriun në një çast dashurie
pasi s`kishte kë të donte në vetmi

Pastaj njeriu krijoi njerëz të tjerë
tjera çaste, kritere, tjera dashuri

dhe në mes të njerëzve që i krjioi vetë
i futi ato: çastet, kriteret

Në zgripc të të qenurit e ka vënë tash vetin
kishte pak peshën njeri
pa i vënë barrë edhe shtetin!


PRISHJA E TRAKTATIT ME FRIKËN

Po i jap fund traktatit me ty
dhe nuk do të pranoj ftesë
për asnjë lloj renovimi
“Së paku një herë në jetë
njeriu duhet të marrë një vendim të guximshëm!”

Do bëj si e çka më teket
“Çdo ditë nga një gjë që më frikëson”
s`do çaj kokën për ata që ua masin dimensionet kuptimeve
sipas kallëpeve të tyre
(ata që thyen kallëpë
bënë kallëpë të ri)

Më pëlqen të provoj
si thyhen krandet e kritereve
si futet mendimi
aty ku shkruan: “Nuk guxon!”
dhe si hyhet pastaj pa trokitur fare
e dilet pa kërkuar falje

Më pëlqen t`i shoh të tjerët
të dyshojnë tmerrësisht në mua
dhe sipas masës së atij dyshimi
t`i shtojnë t`i heqin a t`i ndryshojnë nuansat
në portretin tim

Po i jap fund traktatit me ty
asaj paqeje të vdekur
që më kujtonte mëkatin e rrjedhshëm
sa herë ngrisja krye…

No comments:

Post a Comment