Tuesday, May 31, 2011

CIKËL POETIK NGA RAMADAN MUSLIU




ZEMRA E GJËRAVE


Vendi ku shpërthen shpirti
ka formë eliptike
në një thjerrëz
prej nga pikon kristali
dhe drita astrale
aty është pika
ku drita kalon në akull

Gjërat materiale
nëpër vrimën e zezë në bebëz
treten në pafundësi
nga fuqia e ëmbël e gravitacionit
Dhe qenia ime
nëpër një gjandër të padukshme
bie e lirë në zemrën e gjërave



KOMETA E HALEJIT

Fluturoi kometa e H.alejit
fluturoi e shkreta
duke lënë bishtin plot pluhur
në qiellin e vizatuar në letër

Nuk e di në cilën koordinatë
u rrëzua hija e saj
se u përplas te këmbët e mia
që ngarendin nëpër vite

Edhe sot e tërheq këmbën zvarrë
nëpër oborrin mbushur me gropa
mbase e tërheq fatin
me shtatëqind dreqën përmbrapa

Po erdhi edhe një herë
do ta kap për bishti
e ta tërheq zvarrë
si Rexha kalin e vet
para se të hyjë në gjerdek

Shih si po më rreh zemra nga gëzimi
si uzengjia në timpanin e veshit
kur ora e mësimit të edukatës
merr fund
 


ANDRRA E JETËS

Me një krahër me brymë
kaloi tinëzisht vjeshta
nëpër flokët e mi: fijet e argjendta
ndahen në dysh mbi vetulla
dhe vazhdojnë krela-krela
rritjen në bronz

Dhe prapë dritë neoni
përzier me borë
ndriçon ballin tim
me shiritat magjikë të moshës. Lëng
vetëtimash
pikon nga damari i fshehur i dritës
në strall. Ndërsa netëve të vona
nën ndriçimin e ftohtë
zgjohet në kafaz
dhe zë e këndon bilbili
për retë e bardha në qiell tek pikojnë
currila kristali
për gjethet e verdha të vjeshtës
që dridhen në erë nga frika e moshës

O imagjinatë që trillon në errësirë
peizazhe të gdhendura në metal
porta të hapura të parajsës
bunacën e detit në pëlhurë. Derisa të fryjë
era mbi xham dhe t’i fshijë
të gjitha mbetjet
nga andrra e madhe e jetës
 


PSHERËTIMA

Sa çel e mshel sytë u ngjit mbi çati
nëpër ato shkallë të thyera të moshës
për ta ndrequr tjegullën
prej nga pikon shiu
Një gëzim i papërshkrueshëm
lëkund gjandrat nga vendi
sa telat nga vjen drita jeshile
u këputën
Ato re të zeza, ai peizazh gri
ajo ëndërr e përhimtë e fëmijënisë
filluan të zbardhen nga psherëtima
 

NË ASHENSOR

Posa hyra në ashensor
iku rryma. Në terr të zihet fryma
sa s’ta merr mendja kurrë
sa të duket vetja si pupla
si të ishe hije në purgator

Përjashta dikush flet
për mushkonjat që po vijnë nga plehrat
se gjithçka është bërë pleh
edhe jeta
edhe vdekja
ndjenjat dhe fantazia
se vetëm njeriu vazhdon të qëndrojë
në degën e vet të tharë
dhe prapë të hedhë gurin nga lart
dhe ta fshehë dorën

Optimizmi më jep sinjal se po soset
se sa pak jam i përgatitur për jetë
se një dreq hije
fshehur është në mushkëri
e se prej atje kërcënon
se do të më hedhë në humnerë

Dhe përnjëherë nëpër flegrat e hundës
një vrushkull ajri më thotë
se erdhi rryma
se drita e optimizmit u ngjall
nga drita e ndezur e llambës
dhe tani plot gëzim mund të ngjitem
përpjetë
deri në dhomën time nën çati
 


NATYRË E VDEKUR

Shtrirë gjerë e gjatë në pëlhurën
e stolisur me pak borë
me një trëndafil të bardhë në mjedis
e me ca gjethe mbi vendet e turpshme
në dërrasë të kalbur
bënte pozë nudo për pikturë

Hija e natyrës së vdekur në fytyrë
me ca njolla gjaku në mollëza
e një fletë hardhie mbi tavolinë
dhe një dritë llambe
në vend të dritës së qirit

U zgjova nga hovi krijues
dhe bërtita në kupë të qiellës
çdo gjë është abstrakte
derisa zemra i rreh
pa pushuar në pëlhurë

Currilat e dushit të ftohtë
rridhnin nga çatia në dhomë
e syri plot lakmi
shikonte
mollën në frigorifer


USHQIM I THATË

Shtron gazetën mbi tryezë
e vë ushqimin mbi të
dhe duke lexuar
përtyp mbeturinat
e ditës së djeshme

Ke vendosur të mbash dietë
të vësh një kufi
mes ashtit dhe mishit
mes gjërave që treten në ujë
dhe atyre në acid

Oh jetë e ëmbla jetë
do ta zhveshësh vetveten
siç zhvishet misri në vjeshtë
nga e kaluara e tij prej uji

Kështu i hollë nga mendja
hap pas hapi i afrohesh
parajsës që lulëzon mbi këtë tokë
që e kemi para syve
e s’e shohim

E mbështjell gazetën
mbeturinat i fut në qese plastmasi
bashkë me fotot e të vdekurve
që rrëshqasin nga letra
se kafshata e fundit
u ka mbetur në fyt
 


SEZON GJAHU

Sa është këtu
sa fshihet në atë kaçubë akulli
lepuri
që ikur ka nga barku

Tani të gjithë jemi trima
të paepur në atë pyll të lulëzuar
të trëndafilave të egër
rrethuar nga telat me gjemba

Këndojmë duke ecur
mes shkurreve të dendura
të kopshtit
fishkëllejmë në kupë të qiellit
kur ecim përmidis kaçubave
Po unë kam frikë ende
dhe natën vetëm me hijen time
dal në kopsht për gjah

Të tjerët nëpër festa
le të shtien me armë
në kokën e tyre
le të pshurren në shtrat
e le ta bëjnë në brekë
në pikë të ditës
kush është trim
se njeriu në jetë
dy herë bëhet fëmijë
 


FATI I KEQ


Duke pritur në radhë
dikush për gazetë
tjetri për letër tualeti
u bëmë edhe vetë
për t’u hedhur në plehra
Befas fotografia jote rrëshqiti
nga faqja e parë e gazetës
dhe u derdh mbi tavolinë
Këmbadoras dole nga lëkura
dhe hyre në radhën e gjatë
të atyre që presin
para banjos publike

Pahetueshëm edhe fati
na iku nga dora dhe rrëshqiti
nëpër tubat e pistë të kanalizimit
Po munde dil nga lëkura
siç dole nga gazeta
dhe përqafo me radhë
fotografitë tuaja të varura
në shtyllat e betonit buzë rruge
 
 

KËNGË BURRI

Vetëm me mendje është këtu
se njërën këmbë e ka në varr
e tjetrën në hijen e rrapit

I ndjekur si ujku nga uria
bredh nëpër fushat
e pamata të imagjinatës
dhe nuk gjen strehë
as në tokë as në qiell
për ta shtrirë shtatin
për vetëm një minutë pushim

Shëtitja nëpër oborrin me gjelbërim
i erdhi në majë të hundës
se tani ia zë frymën edhe oksigjeni
që vjen nga tubat
e një bombole prej çeliku

Ata i qepin lëkurën
derisa ai vetë qep
ëndrrat e bëra copë-copë
nga gërshërët e nostalgjisë
për barkun e nënës

Historia e shkruar pa gabime
me të gjitha faktet
me arsye gjaku
i rri varur te këmbët

Shpesh fishkëllen nën hundë
duket se e këndon
një histori të vjetër
saqë dikush tha lëre të këndojë
se vaji i burrit është kënga
___________

Urime ditlindja miku yne, poeti dhe kritiku letrar i respektuar Ramadan Musliu. Urojme nga zemra qe te jetoni edhe 100 vjet tjera te lumtura dhe te na dhuroni edhe shume libra te rinj.


Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri

No comments:

Post a Comment