Montag, 4. April 2011

Cikël poetik nga Albert Pepkolaj

 
Albert Pepkolaj


TY

Sa më shumë
mundohem të të harroj
aq më shumë
zemrën time lëndoj.

Mundohem të të fshij
të gjithën nga mendja,
por më tepër unë
të ndryj aty brenda.


KURSI I PREMTIMEVE

Sot pati rritje
të kursit të premtimeve
duke sfiduar
dhe vazhdimësinë e jetës.

Thonë se është "bum"
e grafiku u kreshtua.
Zot na ruaj nga rënia,
se duket e thellë.


NË QYTETIN TIM

Unë, i huaj në qytetin tim
bisedoj me vetminë time
ajo e kënaqur më puth
kam kohë për të,
në qytetin tim.

Sytë e njerëzve si laraska
vërtiten rreth nesh,
mos u shqetëso e dashur
jemi ishull i pashkelshëm,
në qytetin tim.

Shëtisim e dashur?
Të shijojmë lodhjen tonë
t`i japim jetë heshtjes
nëpër rrugët indiferente,
në qytetin tim.

Mos ki frikë,
me ty do të rri e dashur
përderisa vazhdoj të jem
i huaj,
në qytetin tim.


O DET

O det!
Herë i trazuar, herë i qetë,
përse i përplas dallgët në atë mur
herë lehtë, herë furishëm plot furtunë?

Mos vallë kërkon ta kalosh
të ecësh përpara i qetë,
mos vallë do ta shkatërrosh
sado i lartë që të jetë?

Por ti s`flet,
apo s`arrijnë njerëzit të të kuptojnë,
diçka me ty ngjet
sikur dallgët diçka duan të thonë.

Gjithçka mbetet mister.
Dielli nis të perendojë ngadalë
duke u shuar si zjarr
në kaltërsinë e trazuar
nga dallgët e bardha.


GRACKA

Po iki
të mbytem
në mërzinë time.

Nuk kam sot
rrugë tjetër
për të ndjekur.

Jam përpjekur,
shpesh i iki,
shpesh më zë.




DHIMBJA IME

O dhimbja ime
më fal pak.
Nga ti po largohem,
të lutem sonte
mos më ndiq,
lermë pak të gëzoj.

Kurdo që të vijsh
mos më zgjo,
mos m`i tremb ëndrrat
që më bëjnë mua
jetën t`a dua.

Ah, moj dhimbja ime,
mos më trego
se sa shumë më do.



PLAGË E VJETËR

Ja ku jam,
gjithçka kam,
asgjë nuk më tremb
po thellë po më dhemb.

Një plagë e vjetër
që sa herë mbyllet
nuk zhduket,
por del në vend tjetër.

Sado e re,
sado e vjetër
gjithmonë më ther
në gjak, në shpirt.

E nuk zgjat një ditë,
nuk do që të ikë,
nuk më lë të qetë
ther, plagë e vjetër



I MORA SYRIN DIELLIT

I mora syrin diellit
në zemrën tënde hyra,
e pashë veten të bukur
në njëqind pasqyra.



HIPOKRIZI

I kam parë
ato shikime therëse
të syve të tu.
Më të egra e djegëse
se rrufetë bjeshkore.
Në majat e kreshtave
unë bredh i gjatë
viktimë e tyre.

Ndoshta një ditë
do të bëhem pasqyrë,
e arma jote
"shikimet therëse"
të pasqyruara aty,
do të të godasin
më egër se mua.



I PAMËSHIRSHMI

 Një shtrydhëse ai mori,
viktima ishte limoni,
ta shtrydhte filloi
fort e fort i mëshoi.

Lëngu i verdhë rridhte
në zemër të shtrydhëses binte,
por edhe pse limoni mbaroi
ai shtrydhjen s`e pushoi.

Lëngu i limontë ndryshoi ngjyrë
vazhdonte ta shtrydhte pa mëshirë.
Nga gjaku u bë portokalli
kishte shtrydhur dhe dorën e tij.





UNË…

Nuk jam memec,
por nuk po flas…

Nuk jam sakat,
por s`po eci…

Nuk jam qorr,
por nuk po shikoj…

Nuk jam shurdh,
por nuk po dëgjoj…

Nuk jam i vdekur,
por s`po mundem të jetoj...



KURESHTJE

Do kisha dëshirë të dija
si do të kishte qenë
një ditë
jashtë kalendarit?
Po një natë
me diell?
Shkretëtira me lule
si do kishte qenë?

Do doja të dija,
një lot i thatë
sa do peshonte?
Nëse gjaku
s`do të ishte gjak
zemra si do të punonte?

Po unë, si do të kisha qenë
sikur të mos kisha qenë?



VITI `97

Ishte vit i ftohtë.
Dimrin e pat të gjatë.
Lulet u thanë pa mbirë.

Ai vit
u bashkua me lotët
e dhimbjes së pafund.

Fara e dhimbjes
çeli pa përtesë kudo
në mendje e zemra.

Mbeti vit i ftohtë,
me dimër të gjatë,
ende i duken plagët.


Për blogun "Sofra poetike", Haxhi Muhaxheri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen