Thursday, March 31, 2011

Cikël poetik nga Leon Lekaj

 Leon Lekaj


Pianoja
(Per diten kur moren pianon mbas arrestimit te tim ati)

...Nuk klithi
Kur duar hamejsh
e ngriten.
Vec tingujt, si fjolla te tejdukshme
peshtjelluan ajrin
te cuditur
prej marrezise njerezore.

S'e kishte te lehte
te pershtatej me zbritjen
nen pikellimin e syve qe ndiqnin
ikjen e heshtur pa kthim.

Nje tel dicka tha per padrejtesine
me ze te forte
tendosi muskujt e zemerimit
ne shenje proteste
dhe u veteflijua.. .

Vetem atehere pianoja klithi,
pervajshem,
me tingull si fillim i nje refreni.
E me la kujtim nje cope shkalle te thyer
qe ta shihja cdo dite
kur ajo te me mungonte.

 
 
 
Imazhi

Kur te vij tek ti
Me prit tek dera e harrueme
Qe te shkarkoj yjet e largesht
Gjurmet e kuajve te eres
Dhe rrugen e drites

Aty do te djegim membranen e pritjes
Cipe e holle, birueme gjithkâh
Prej zanit te hupun brenda vedit.

Ne oret e pendueme
Heshtjen do ta varim ne muzgun e mbrâmjes
E do rrokemi me fjalet qe s'mbrriten kurre
Deri ne lodhje,
ku tretet gjumi ne ag.

Te dy kemi ma shume se nji hân'
e dashtun
E âsht mkat me hupe driten
Qe cel udhen e shpirtit...

Athine Prill-2010
 
 


PAS NJE MUNGESE

Pëshpëritën pemët e reja:
-Po vjen një i panjohur.
Thanë fëmijët që luanin rrugës:
-Po vjen një i panjohur.
I tha një gjimnaziste shoqes:
-Po vjen një i panjohur.
E syte te gjithe i kthenin nga une
...veç rrugica e vjetër heshtte.
Siç dukej mendonte.
Të ma falte mungesën...?
Apo të më qortonte?!
 
 
 

EKLIPS

Jetoj nën eklipsin e plotë
Të ndjenjës
Prej shekujsh.
Bashkëmoshatar i Adamit
dhe Evës
 
 

 
NË ROZAFË

Atje...
Njerëzit i shmangen legjendës
Si një tangjente gjeometrike
Që nuk shkon dot më larg
se rrethi
... Në rrasht, asht e frymëmarrje
piklon një lot
metamorfozë gjiri.
Kahe zhgënjyese vektorësh
Ngulur në kujtesë mijëvjeçarësh
Prej murimit tënd
Shkelje bese
Ndëshkuar në kështjellë
Si tempull turpi
Rozafë  
 
 

N D A R J E

U thyern vegimet e takimeve te para
Ku humbnim deri në shpërbërje
Si dy kristale bore në ajër.
Tani shoh vetëm shpinën e ikjes
Dhe vështrimin tim të vjedhur
Produkt fluid pendese
Për fjalët e pathëna.
Do të ikim në kahe të kundërt
Si vektorë të zemëruar
Në rendje drejt të tjerëve.
Ti, nuk e di se si
Unë, me imazhin tënd të brishtë
Thyer puthjeve të ftohta.
Atje ku ndarja,
magjistricë ngjarjesh tragjike
pret LAMTUMIRËN.
 
 
 

KONTAKT DHIMBJEJE

U tkurr muzgu si çelës soli
Hapësira,
pentagram vijash të tejdukshme
mbarsur me tinguj dhimbjeje.
Autoritet i huazuar prej Karuzos
Improvizon skena udhëkryqesh
Dhe pret duartrokitje monedhash
Kontakti me tingujt e tij
Më shumë se një akord
Në mi settima...

 
 
SHENIME PER AUTORIN

Leon Lekaj u lind në vitin 1955 në qytetin e Shkodrës në një familje intelektualësh. Qysh në fëmijërinë e tij të hershme, shfaq një interes të konsiderueshëm për muzikën dhe letërsinë. Duke ndjerë aftësitë e tija në ato fusha, prindërit e tij e regjistrojnë në shkollën e Muzikës të qytetit të lindjes. Detyrohet ta ndërpresë atë, për shkak të largimit të atit të tij nga qyteti i Shkodrës. Në Kuçovë (ish qyteti Stalin) i nënshtrohet një disipline muzikore, dhe më pas regjistrohet në Liceun Artistik, në Tiranë, shkollë të cilën e kryen në vitin 1974. Diplomohet Mësues Muzike, profesion të cilit nuk arrin t’i gëzohet gjatë. I ati i tij, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që prej themelimit të saj, arrestohet dhe dënohet politikisht. Deri në vitin 1991 detyrohet të bëjë punë të rënda fizike. Punon në guroren e qytezës së Urës Vajgurore, e më pas si mekanik në Uzinën Mekanike të Naftës. Pas rënies së barrierave komuniste, rikthehet në vendlindje, ku ve në jetë njërën prej ëndrrave të tij: kryen fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në universitetin "L. Gurakuqi". Me diplomimin e tij lë atdheun për të emigruar në kryeqytetin helen, ku familjarisht vazhdon të jetojë edhe sot. Është autori i romanit "SHPIRT I BRAKTISUR"-Shtëpia Botuese Dituria-2006, si dhe monografisë "NJË ARTIST NËN PENTAGRAME TË KRYQËZUARA", Shtëpia botuese "Camaj-Pipa" botuar në vitin 2008.


Materialet u moren nga faqe te ndryshme ne internet
  

No comments:

Post a Comment