Freitag, 14. Juni 2019

Buqetë poetike nga Haxhi Muhaxheri (1)

Haxhi Muhaxheri

UNË DHE KËNGA

Do të varrosemi
kur të na lindin të vdekurit
për të lindur
kur të vdekurit të na varrosin

1995



ATLANDIDA E RE

Urime Veneci 
shekullin e dhjetë mbi ujë 

Kujdes shekullin e ri

Nuk u besohet më
pellumbave të bardhë
banorëve të parë
në sheshin Santa Maria Sallita 

Uji po e han tokën tuaj 

Një ditë do ta përpijë
se bashku me 46 ishujt
dhe Urën e Psherëtimave
qe të krijohet Atlantidë e re 
Veneci 

1995 



URATË

Zotynë
Pranoje Lutjen time
Diell të ketë
Në Mendjen e Durimit
Orëbardhat ta shpejtojnë
Ditën e gëzimit
Lulet e kësaj toke
Ilirisht
Uratë le ti këndojnë bashkimit

Nuse e Ujrave
Të na i gëzoj shtëpitë
Circe Jona
Të na i mbëltoj dashuritë
Ëndrrmirat
Të na i zgjedhin Fatitë
Këngët tona
Ti pushtojnë lartësitë
Amen



ZGJOHU POET

Nuk jam engjull i thinjur
në tempullin e durimit
as memec i përgjumur
arratisur prej vetes

Zotin mallkoj 
që as kokën e ktheu
kur Kosovës ia lidhje plagët

Zgjohu poet
se përseri po „Tkurret Atdheu“

Zgjohu e zhvishi
të gjitha marrëzitë e kësaj bote

Europëzeza prapë fle 
e djalli me shajkaqë ngre krye

Zgjohu për tokën dardane
për „gjakun që nuk falet“

Zgjohu Ali Podrimja
e ti zëm pusi të keqës
se koha nuk pret

Zgjohu... O burr i dheut

Të thërret Kosova
me zërin e saj të mekur

17. 06. 2013
                      


NE DHE LISAT

Rrënjët thellë në tokë
Diellin... Kësulë mbi kokë

Kur lisat e rrisin shtatin
Ne lirshëm e hedhim hapin

Ata i përkund era moteve
E fëmijët tonë... 
Djepat me nillullat e lokeve

Lisat puthin qiellin
Ne lutemi për diellin
Të sotmën dashuri
Të ardhmën lumturi

Ata bartin historine e moshës
E ne kujtimet e trishta
Të kohëve me grip

Tokën e Arbërit
E madhërojnë lisat
Shekujve e zbardhin plisat...

Rrënjët thellë në tokë
Lirinë... Qeleshe mbi kokë

25. 02. 2014



LISAT DHE PLISAT

Askush mund t‘i numëroj lisat
Askush mund t‘i përulë plisat

Me lisat flasin legjendat
Me plisat flet historia

Gjokseve tona 
Shpesh u thyen stuhitë
Që të mos na priteshin lisat
Dhe kokën të na zbardhnin plisat



ATDHEU

Atdheu është oqean i vogël 
i trazimit të madh
ku bien heronjtë

Tokë e pushtuar
nga magjia e shkretirës
ku vritet ëndrra e Gjergjit

Vend prostitutash
veshur me ngjyrat e flamurit
ku lindin kopila që shesin veten

Luadh gomerësh
a mal ujqërish të uritur
që e kafshojnë tinëz Lirinë

Atdheu
është plagë zemre 
që po rritet... rritet... e rritet...

4 shkurt 2018




GURI I NUSËS

Ajo mezi e kishte pritur ditën
qe të bëhej nuse dhe jo gur, 
sall për t’i dhënë emër 
një legjende!

E zezë dita për krushqit!

Oiii... medet
për Nikollën e Gjinit,
që kurrë s’u bë dhëndër!

Mbi shkëmb vajton një shpend i zi...

Qershor 2018




ME GUR E GJUAJE DHE ZOTIN
(Mikut tim, poetit Tahir Desku)

Kot të erdha te shtëpi e re,
poet kokëkrisur !

Edhe prej varri paske ikur
t'i këndosh të bukurës Anitë,
vashës që s'u jepej as Perëndive.

Kurrë s'ke qenë i rehatshëm 
bre lum miku !

Sy njerëzve të hekurt, lozje me zjarr.
E kur qielli skuqej mbi Kosovë,
me gur e gjuaje dhe Zotin !

Ti, o dreq poet !




MARTINI

Një Martin e ka atdheu
dhe një atdhe e ka Martini

Edhe me pranga në duar
e kërkonte hisen e vet të diellit

Sapo qielli u ndez mbi Arbëri 
përballë i doli gjarpërit të zi

Pastaj - kur liria ia puthi ballin
me shtatë plagë në zemër
u kthye andej nga kish ardhur

Thonë se tash - atje diku larg
sheh ëndrra me ujqër 
që duan t'ja kafshojnë atdheun 
e s'e zë gjumi... e gjum nuk ka

Një atdhe e ka Martini
e sall një Martin e ka atdheu

07. 01. 2019




NË ÇAMËRI

Në Çamëri... sa herë që bie shi 
ndizet qielli 
e Lumi i Lotëve del nga shtrati

Atje – 
të gjitha lulet
mbajnë erën e gjakut

Në Çamëri – çdo natë 
dëgjohet vaji i fëmijëve
që djepat ua kanë djegur
dhe perëndive u errën sytë

Atje –
më nuk këndohen ninulla
as Vallja e Osmat Takës luhet

Në Çamëri
Sa herë lind dielli
mbijnë lulet e shpresës
dhe ëndrrat përshpirten 
në rrethin e shtatë

Atje –
veç Zoti nuk është zën peng

02.06.2018




UJK MË ËSHTË BËRË VETJA

1.
Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvëlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie

Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri verbuese 
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a nepërkë syri
Si ta kuptoj moj... më thuaj

2.
Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat

Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt

Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh*
Hiqte valle mbi kockat tona

3.
Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke

Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave

Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Ne dorën time

Eja e dashur... Eja
Ujk më është bërë vetja

Prishtinë 1995
_______
* Peruni i Madh - Zoti i Sllavizmit




KUJDES ME GRATË

Në do të kalosh 
Urës së Ferrit – fillo ta duash
një grua të përhënur

Ajo – 
do t’i djeg të gjitha stinët

Nëse do ta mësosh 
bukurinë e gënjeshtrës
dashuro një leshverdhë
që qanë e qesh në pasqyrë

Ajo – 
edhe Zotin e mashtron

Në daç veten ta mallkosh
jepi dashurinë një gruaje
qe puthur e ka zhgënjimin

Ajo – 
do t’i vrasë edhe lutjet

Po deshe të marrësh 
plagë zemre – plagë shpirti
besoi gruas që të puthë 
me zjarrin e shuar buzëve

Ajo – 
mërdhin edhe diellin

Në daç veten ta vrasësh 
beso fjalët e një gruaje
që të thotë "Të dua"
pas dimrit të gjatë të pritjes

Ajo – 
lëkurën tënde do ta vesh

23 shkurt 2018




VERË E VRARË

Sa herë që vjen vera
Ëndrrave më shfaqesh
Ti moj - si një engjëll
E shpirti flakë më digjet

Na e vranë verën - Vera 
(Eu... ata e vrafshin veten!)
Paçka se një Zot e kishim
E shqip i luteshim të dy

Tash - s'na mbeti tjetër
Veç t'i kujtojmë netët
Kur fshehtas loznim me yje
E zjarri ndizej brenda nesh

1996



TRADHTIA

Më fal moj grua 
se mbrëm
tradhtuar të kam 
me fqinjën leshverdhë
që mendsh luan 
edhe perënditë

Bobooo... 
ç'më bëri shejtanka
shpirtin desh ma nxori 
ëndrrave – gjithë natën

12.06.2018




KUR VJEN E DIELA...

Të hënën
të dua marrëzisht,
për të urrejtur 
të martën 
… prej dashnisë!

Të mërkurën 
të dua si sytë,
që të enjtën
të urrej sa veten 
… prej syrit të keq!

Të premten 
të dua si jetën,
për të urrejtur
të shtunën –
veç pak 
… prej xhelozisë!

Të dielën...
Oh... kur vjen e diela 
të dua baras me Zotin 
dhe veten e harroj
duke u lutur për Ty!

24. 04. 2018



POROSI PËR GRUAN

E di se më do shumë e dashur
kurrë nuk kam dyshuar për këtë

Por të lutem... Të përgjërohem

Kurdo që të shkoj për matanë
mos më ndjek pas

Gjumin atje dua ta bëj vetëm

2 shkurt 2019




KUR MË SHKRUAN TI

Sa herë Ti më shkruan 
N‘shpirt më sjell qetësi
Yjet lozin valle
Veç për ne të dy

Pastaj kur më flet 
Nis e çel qërshia
Dhe mbi çati zemre
Këndojnë shtatë bilbila

E kur Ti më vjen
Sikur ma hap qiellin
Bien shtatë daulle
Dhe hëna puth diellin

Kur më puth në buzë
Shkrihet edhe bora
Sakaq del pranvera
Çel dhe lule vjollca

05.01.2017



ETA DHE KOMETA

As nata e mori vesh çfarë i ndodhi
Kur numërat ndryshuan në rrethin e shtatë
E Liria udhëtoj dimensioneve të panjohura
Bashkë me dritën që lëshuan rrufetë

Eta Eta 
Bërthamën godet Kometa

U thye kufiri ndryshuan polet pushuan ëndrrat
Në Teatrin e Qiellit u shfaqen dy silueta
E hënës një yll fshehurazi ia shkeli syrin
Pastaj doli fjala se veten e burgosi tundimi

Eta Eta
Ku mbet Kometa

05.12.2017 



LIRI E DASHURI

Liri është – përnjëmend Liri
Kur djeg rrobat e turpit
dhe nga maje e Kullës së Babelit
botën e shikon krejt lakuriq!

Guxim e Liri zemre është
ta vrasësh frikën 
dhe para Zotit të thuash:
– Perëndeshë… të dua!

Dashuri është edhe Liria 
kur mbi gjoksin e të dashurës,
me maje gjuhe 
vizaton hartën e atdheut!

Liri... o sa Liri është 
kur ndonjëherë – 
bash për pikën e qejfit
i thua edhe gruas – ik !

Dhjetor 2017



KËSHILLA E BABËS

Kurrë mos e shiko
hënën natën
biri im
kur ajo 
fsheh gjysmën e trupit

Se të zën ethet
sytë të verbohen
e gjaku të bëhet ujë



ËNDËRR ME NËNËN

Në ëndërr më erdhi krejt papritur
porsi një engjëll - veshur me të bardha
dhe me kurorë drite vendosur mbi kokë.

Dorën ma lëshoj lehtë në ball
e më tha: 
-Mbulohu o bir… Mbulohu se ftohesh !

Oh… mua ethet doja të më zinin
e kolla frymën krejt të ma ndalte bre,
veç ëndrra të mos kryhej… O Nënë !

Mars, 2019



NJERIU I PËSHTYMËS

Djalli yshtur e kishte
që ta pështynte krejt botën

E pështyu veten fillimisht
më pas tokën varret fisin

Pështyu lulet pështyu lisin 
lumenjt dhe detet pështyu plisin

Kur nisi të pështyejë kah qielli
Zoti e humbi durimin
e dha urdhër t'i qepej goja

Por ai vazhdoj të pështyente
e pështyente brenda vetes 
dhe fryhej e fryhej si një tollumbace

Thonë se thellë trupit të tij 
u krijua një deponi e madhe pështyme
ku krimbat e zi loznin vallen e mortit



MALLKIM

Ti... 
Përditë ndërroje nga një emër
Që t'i fshihje gjurmët e krimit
Dhe ti shpëtoje mallkimit

Ti... 
Kobin ia sillje sh‘pisë
Dhe gjakun e t‘parëve përbuzje
Se shpirtin shitur ia kishe djallit

Ti...
Mbillje kudo sall trishtim e vdekje
Edhe diellin doje t’ja qorroje atdheut
Që qiellit të këndonin sorrëzezat

Eu... Kurrë mos paç bukë në sofër!
Heu... Mos t'leftë djal në votër!

Eu... Kristë një pushkë e t‘marrtë bri për bri!
Heu...N’dakik t’dekës mos paç ujë me pi!



E MAGJISHMJA POEZI

Dritën ia vodha diellit 
Hënës bukurinë

Fillikat i vetëm 
Vrapova planeteve
E luftë ju shpalla Perëndive

Për vrimë të gjilpërës
E kalova detin

Linda e vdiqa 
Disa herë për Ty

Po prapë e virgjër mbete
E loze me mua
Si me një fëmijë

Ti e dashura ime 
E magjishmja poezi

21. 03. 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen