Kaltrinë E. Uka |
Te sheshi i qytetit
E di i dashun? Ndrruen stinët
dhe unë çdo ditë të pres
te sheshi i qytetit qi t'vish prapë
dhe ja kam numru diellit tana perëndimet
dhe a e di?
Janë qindra e kusur perëndime
qindra e kusur ditë
qi nadjeve t'mija je e vetmja lindje.
E di ç'i ndodhë natës kur ti s'vjen?
- Trazohet!
E dehun s'ndihem e pikëllueme
ti m'vret e kjo m'pëlqen
shan, ofendon, dhe unë fal...
ti s'kthehesh,
e kjo udhë nji kaheshe,
kjo ma nal' frymën...
Po prapë i besoj t'nesërmes,
qytetit rrëmujë n'prag t'shembjes
tue pa festën e perëndimit e si ikin stinët
andrrës t'shtypun qi do vish
te sheshi i qytetit ku t'pres çdo ditë.
Veç nji herë
Bahu veç nji herë emni jem
dhe shih cila baladë mesnate ndanë hanën në dysh
kush ma vodhi qetësinë e mbramjeve, qi e kisha kaher';
shih sa dashuni kanë lutjet qi gatuhen për ty
sa t'çmenduna janë andrrat dhe si i ruj;
shih edhe si pranvera e nalë kangën kur nin' zanin tand t'ambël,
si e nalë lulimin kur sheh tandin nur!
Bahu veç nji herë emni jem
shih me ç'shpresë rrojnë ndjenjat qi s'po përfillen,
si ngryset dita pritjesh për nji fjalë
me britma t'pafre t'dhembjes e t'heshtjes.
Si ravijëzohet mirazhi yt mendimeve mjegull, shihe patjetër,
si suvala përpin' shpirtin
edhe pse asht i qetë deti
Bahu, emni jem, veç nji herë
shih sa 'shtirë e baj vet t'plotë hanën
kur i mungon pjesa tjetër.
Pa ty
Çdo natë ngjaj me natyrën e vdekun
me nji shishe venë e nji gotë
unë pikturë e dehun, pa ty
kornizë që më mban...
E lehtë asht t'largohesh pa marrë kujtimet
vështirë t'i mbash ato pa pas sarkofag t'i futesh
kur natës malli merr flakë
Tavernen kaher e kam braktisun
dehem mendimeve për ty
belbëzimeve motak ju shperren fuqitë t'thurrin lutjen
për shtrengimin e paha t'përqafimit tand
Embrion i dashunisë që u rrit n'vetmi
s'mësoi kurrë gjuhën e lumtunisë...
Ah, si trazohet deti kur dhimbja derdhet në të!
Le t'merr flakë në karthje kjo dashuni
ku pa za po t'dashunoj
pa za dhimbje po m'sjell..
valët e detit t'marrin udhën e hinit
t'fundoset diademë e maktheve që mban emnin tand...
M'shfaqesh shajni e ngërç m'i jep natës
nihen të çjerrat e saj plot llahtari
shahit kam hanën e yjet e këtij shablloni
ku kujtimeve shtrengatë që shumëfishojnë dhimbjen
ju baj sogje
me shijen e venës e ngjyrat e trishta t'dashunisë t'vdekun
pa kornizën që e mban të gjallë,
pa ty.
M'je veç andërr
Ç'u hapërdarë çjerrë e shpirtit
sëmbim i dha andrrimi për ty...
si s'u gjend kurrë mes fjalëve tua t'bukura
Më çmenden sytë kur të shohin
gllabëroj ftyrën tane hanë e trupin tand
statujë e bukur
qi tinëzisht ta përthekon era...
E lumja erë!
Yjet - miqtë e mi t'dëshirave
prekjet e lutjeve t'mija klishe
m'i shkëputin andrrat t'bahesh mbramja jem e zhurmshme
me shandan qirinjsh e nji trendafil
Zaptues i pabujshëm i tana dëshirave...
se si të çelë nji lule në buzë kur buzëqesh!
Ah! Ç'neps të madhë kam për ato buzë!
Ç'dëshirë të madhe m'i marrë erë asaj lulje! ...
Kur ti s’ban za
Ti s’flet i dashun dhe nata galop vjen si hata
ma merrë qetësinë suvala nxitimthi kalërim
kur kreshta kulmon trupin tem
m’përpinë thellësive t’saj t’errëta,
pabujshëm, pa tamtame, si pa shpëtim;
m’molis’ me trishtin mendimesh
uragan t’ashpën t’vetmisë
hyjzit e grisun qi shuhen si andrrat...
krupë qi përdhos hanën bjonde
flatrime korbësh qi shihen mes rrebesh t’gjatë me shi.
Ti s’ban za
e nata galop m’vjen si hata
e errët, e duhishme, me erna t’fuqishme
sëmbuese, e llahtarshme
...me hanë t’ngranë.
M’fanitesh çiltas netësh orgji
më shperrë fuqinë nji rrisk e zezë reje
më burgos fjordit nurit tand të rrallë
zaptues qi m’bjen mornica t’denduna mërzish
netëve kur hataja shpërndahet tuj nga.
Heshtja jote m’xan si shamtinë
pa uzdajë, po stoik
lutje mijëra-netësh kumbi i shpirtit l’shon prap
qi me nxjerr nji za,
me pushue duhin’ qi niset përnatë
Kur ti s’ban za,
ah, sa shumë dhemb i dashun...!
dhimbje qi çon n’baladë agonie
përgjumun tuj derdh vaj n’zemrën qi lakmon
qi përkundet kaher’ n’prehën vetmie.
Helena e poetit
Në vargje e shtrin’ t’padehun
e kot’ pranë bregut t’buzëve
mrena Trojës tij
shkatrrimtare,
klithmë e simfonisë tij
në t’katërtat kohë…
Prek apogjen e dëshirës
t’veladonit
psalm i shpirtit t’tij shtiak
Krizantemë në vargun shi-lot’
si suvalë, si demon
elegji e përvajshme e dashnisë
Naiv zhytet n’Egje ai
bucet nga mekja
nga regëtimë qi e shkatrron
penel qi ia hijezon lumtuninë,
po ai e nanurisë në vargje sërish
sarhosh jargavitet pas saj…
Edhe sante
T'prita edhe mbramë
kur hana sa nji thue përhanoi natën
me ta mat zemrën sa dashuni t'peshon për mu
po s'erdhe, t'u çaprazuen hapat
n'udhën e ngatërrume t'yjeve
e e shtrive mungesën sa qielli i zi
Po as sante s'erdhe
kur nata s'paska yje e hanë
mungesa korb mirë përshkon qiellin
tu m'lidhë nyje bambu
pritjen me shpresën sa nji thue
për me pa ftyrën tane hanë
e sytë e tu yje farfuritës që m'çaprazojnë hapat
Kthehu për hatër t'hanës
Me netë t'tana nuk po flen rahat hana
pa neve rojtarët e saj,
s'po bjen n'herezi ma e m'sheft mas reve
tinëz t'lumtun me na pa
veç hajde e shihe prej ktu se si asht ba, asht dremit...
Mu malli po m'rigon si shi e po rri mas grilave,
n'andrrat syqel t'mesnatës
n'apogjen e rreme po luhatna
po s'po asht boll
durt mikluese me përvinu kadal ftyrën tane
nuk po munen me durue duerkryq
Natë orgjie po baj n'nimfen teme
sarhosh n'theqafjet drejt mirazhit tan po eci
tafti-bafti! edhe t'koft zgrip i jetës,
imazhi yt joshes po m'babëzit
teslim po bahna se m'asht sekrecion i trupit
menzi hana po m'nal vikamen harbute
kur po shuhesh si meteor
pa mujt me t'nanurisë si du un'
Kallamishte jam ba pa ty, kurm
suvalë kujtimesh që po m'marrin...
tangjent që m'prek n'pikēn tem t'dobt, n'ty
E vetmja hana po kuis kit eremit naiv
e as nuk po kotet
po m'ep stërkalë shpresash që kem me ken bashkë
tymtajë po ma ban menen
shtërzime pa dobi, për mu t'pashpresë!
S'di edhe sa do mahet stoik
ky shpirti jem maraz pa ba naj hata
prej mungesës tane napalm...
Mos e shti n'mëkat hanën me ba alibi t'rreme për mu
kthehu për hatër t'saj.
Pres
Po i thuri e shthuri ditët prej lamshit t’Penelopes
e vështirë qenka nyja e andrrallave t’harrimit
Pritjet e gjata
largësive t’ndame detnave…
as galop s’i m’rrin dashunia ikjet
Netët rrjedhin pagjumësisë deri n’agoni
fjord i mallit në gji të tyne skalitet
qielli ngryset reve t’zeza t’syve
shi i përlotun përvajshëm pret kthimin
Mâj me duer dhimbjen e spazmes të ditëve që u tkurren vetmisë
Po gajasem tu i shtrydh lutjet mi ty
shtrëngata m’shfaqet shpirtit t’trembun
drojë e kam errësirën kur nata s’ndez asnji hanë
përhumbem vegimeve kur m’shfaqesh shajni
e topitun nisem me tallaz të t’prek
m’shperren fuqitë
angështia ma shënjon frymën
duf i ditëve hakërrinë…
kuturisje e kot’…
Tu i thur e shthurr ditët pres
që t’vish t’ma matësh syprinen e mallit
me puthjet e mungume
që s’mi zgjun nadjet e lumtuna
po te dehuna eremit.
E pashë në sytë e qiellt
E pashē në sytë e qiellt
dhe fjalët humbën mes reve..
n’heshtjet, n’dridhjet, n’shikimet
n’fjalët e ‘arnuara belbëzimesh
kryefjala ishte ai
nuk e dinte
Buzëqeshja e tij nalte frymën
përzinte stinët
i ambli za qi i kumbonte
lakmisë i shtonte etjen
e frikën,
për tu ba sante dhimbje e stuhi deti…
Mesnata asht lutje:
Zot, t’bahem puthja e tij nji herë!
Lakmoja
Netëve pa shi
me gjysmë-hënën dritë që bënte
errësirë e kthjelltë pëlhurë,
të t'prek me gishtërinjë lakmoja,
sytë e verbër që s'shihni gjë
pos teje
ty që m'kallje epshin flakë
botën time hi e bëje,
e zgjatja dorën
në xhamin tënd trokisja
po ti s'më dëgjoje,
të shikoja fjetur
me plot lakmi
me erë,
zëri m'përhumbej diku
veshtë e tu dëgjuar s'e kanë
zemrën që për ty është lut;
butësisht t'më shikoje
e të t'shikoja...
nga larg t'më flisje
që afër të t'kisha
nga larg t'më puthje
brenda të t'ndieja...
në netët e errëta
të kthjellta pa shi
hënën time gjysmë
me ty të plotë ta bëja
Eklipsi
U mblodh hana
në të plotë
priste në sofrën e saj
diellin
t'skaliteshin perishane
në ballin e natës...
yjet spektator
u marrosen
duartrokitje katikulash
u dhuruan
derisa putheshin
në sytë e tyre
picak...
Vjeshtë
Treti vapën e gushtit
shi i rrëmbyeshëm frelëshuar...
djersët e tij u lanë
penel i stinës ngjyroi natyrën
në të purpurtë
gjethet pllangë ju ban tokës
dallëndyshet drojë paten
retë e zeza
iken turravrap sheshazi...
krizantemë nazike luloi
diademë
në krye të stinës
Dhembje
Prarim i meteorit thahet në kalivare
vjeshta nuk lulon më krizantemë
farë e dashurisë harron mugullimin
qiell i zbrazët - lejlekët mbi re flejnë
Mëngjesi nuk fekset diellit farfuritës
nata shtrydh yjet - puçrra irritim
hëna shpërthen vajit të akneve
rrokjet e lotëve thajnë jasemin
Dëshirat beftë shkumohen suvales
stërkalet e shpresës i tret kripa
deti merr trajtë dhembje
bregut vetëm merrë ngjyrë klithma
Sarhoshët enden dehur në theqafje
pijnë helmin në gjinjtë e shisheve
lutet djalli për një kafshim
engjëjt para ju prijnë ikjeve
Penel i stinës nuk lyen më kohën
lutjet rruzare këputen në mes
hahet mollë nga dorë e Eves
ngjiz jeta - njeriu vdes
Iku nata
Iku nata
pa shkru nji varg
për nurin tand
qi derdh n'mu
ngjyrat e lumtunisë akuarel
Iku nata
pa shkru nji varg
për ty...
pikturë e preferueme
n'atelien e kujtimeve
Lamtumirë
Mos qaj!
As unë nuk i due lamtumirat!
Janë valë përmbytëse,
këmbana qi kumtojnë për pakthim
kanë teh kujitës për shpirtin, e di
vrasin dhe s’qajnë për ikjet...
as ti mos qaj, buzëqesh
dhe mos m’kërko nëpër mjegull
honet e mërzisë kanë thellësitë e errëta
për plagët qi merrë s’ka ngushëllim
veç fashot i merrë harrimi.
Sodit hanën kur t’kesh mall për f’tyren tem t’bardhë
mos e mallko jetën se hyjzit nuk t’falin...
por...
ti, më fal!
qi me pelerinë trishtimi po t’vesh sot
dhe qi zemrën në duer s’ta lashë ma gjatë
Mos e përmbyt natën me rreke lotësh
mos e le t’bahet vazhdim i fshehun i dhimbjes
qi ec e të përndjek ditës...
mes reve t’mungesës kur t’shpërthej’ rrufeja
kur rigë loti shpirtin ta mahis’
kujto, vec, sa të kam dashtë....
Shpirt, mos qaj
buzëqesh…
Lamtumirë!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen