Alketa Maksuti Beqari |
NUMËRIM NDJENJASH
Ishte natë tetori
kur më the:
- Numëroj yjet!
Të pyeta:
- Do numrin e tyre
a masën e ndjenjave që kam për Ty?
Përgjigen e vodhi era
dhe gjethet e vjeshtës
puthën kokat tona
NATËN DO TA MBAJMË ZGJUAR
Ra mbrëmja, i dashur!
Jam këtu.
Në stilin klasik veshur,
Mes trëndafilash.
Ra mbrëmja, i dashur!
Koha na përket,
Jemi në kohën tonë.
E qeshur, plotë dritë
Mes qelqesh rrethuar.
Ra mbrëmja, i dashur!
Me hijeshin e gruas së dashuruar
Mbrëmja ra, i dashur!
Natën zgjuar
do ta mbajmë të dy.
MË PRIT
Më prit
Si nata, diten pret të mbaroj
Si hëna, dritën e diellit
Si lulja, flladin që të çeli
Si dega, zogun të këndojë
Si bregu, valën ta ledhatojë
Më prit,
Mos shko,
Po vij
Me rrymën e oqeanit
Me shpejtësinë e zërit
Po vij,
Edhe pak,
I ndjen,
Hapat e mi,
Të përshpejtuar
E krahët drejt
teje po zgjat,
për të të përqafuar.
Më prit,
Mos shko,
Mos ik...
NESËR DUA DASHURI
Nesër do të ndjehem e paturpshme
Se ty të përkas, e dashuri do bëj me ty,
Sa herë të dua, aq sa puthjet të zjarrmojnë
Buzët e mia.
Ndër deje, gjaku erotik ngreh dallgëzimin
e ndër mure të tyre përplaset vrullshëm, i zgjeron.
Ah, ky gjak, gjak erotik, shpërrthen venat e mia,
i nxehtë, përvëlon.
Ky është njeriu, gjak erotik.
Me tul mbështjellë fijëzat e holla, e tuli nën lëkurë
lëkundjet, dallgëzimet, rrjedhën e përshpejtuar
ndjen.
Ky është njeriu, gjak erotik.
Që trupin e turpshëm, zbulon e lë në liri
e me flladin e flakëzuar nga zjarri mbulohet,
ethshëm.
Ah, ky gjak, gjak erotik, zgjon e çon shpirtin
Tim të lartësohet. E unë paturpshëm nesër
do të zgjoj herët, sa dita të lind që ta lindim
Dashurinë.
13 shkurt 2018
U HARRUAM NË DASHURINË TONË
Një ditë, kur të kem pak kohë
do të të dua edhe më shumë,
ti më prit si unë të pres, jo gjatë
mos më prit.
Një natë, kur natën ta kem të lirë
do vij, në shtrat me ty do bie
e endshëm ngjitur me ty, unë
do gëdhihem.
Një kohë, kur kohën ta kem të lirë
do rri me ty, netët - ditë e ditët - netë
aman do jemi të dy, një varg poezish
një poezi vargjesh.
20 shkurt 2018
E NESËRMJA NUK DUA TË VIJË
Me duaj tani, sot.
Nesër dikush tjetër do të më dojë.
Më duaj në këtë sekondë
Më puth.
Nesër të miat, buzë, tjetri do t'i puth.
Më përqafo pa hyrë e nesërmja ditë
Se në zbardhje të saj
Të tjera krahë do më marrin në përqafim.
Më duaj
Më puth
Më përqafo
Nesër
Ah, e nesërmja...
E nesëmja nuk dua të vijë... Jooo !
ME ERËN DHE NATËN
Dritaren e mbaj hapur
Se fryn era e ngrohtë
E dashurisë - që vjen
Bashkë me erën e luleve
Të dyja ma përkëdhelin
Fytyrën në këtë natë.
Natës dhe erës së prillit
Ju tregoj për ty - për ndjenjat
Që ma shtojnë ritmin e zemrës
Sa herë të kujtoj.
Orët që kaluam bashkë
tek shpirti im ishin sekonda.
Ti sërish je larg meje - shumë larg
Dhe unë vazhdoj të kënaqem
Duke biseduar me erën dhe natën.
Si në ënderr - deri në mëngjes
Dritarja është hapur - ç'pret...
Të gjitha udhët kryqëzohen tek unë.
NESËR
Nesër
kafen e mëngjesit
dua ta pi me Ty.
Nesër
krah teje
dua të jem.
Nesër
dua të ndjej
të ndjej.
Nesër të pres,
mos harro!
DUA PUTHJËN TËNDE
Unë i kam puthur ato buzë
Edhe fytyrën e kam prekur
Ato flokë i kam ledhatuar
Edhe ballin
Edhe sytë puthur i kam
Kur nga trupi yt
Më fale ngrohtësinë
Tani është natë i dashur
Edhe lulet e pranverës kanë fjetur
Por unë dua të më puthësh sërish
E prapë të ngrohem nga trupi yt
Që shpirtit të çelin trëndafilat
JAM ME TY
Mos ik sonte
pa lexuar vargjet e mia
mos ik
rri
lexo shpirtin tim
do të njohësh
zemrën time
lexo
mos ik
e tëra jam aty
nën gërmat
si dora i ka shkruar
ashtu
dhe unë sot jam
mos ik
pa vargjet e mia lexuar
portretin tim
ato mbajnë
e sikur
një varg të kesh kapur
shkarazi
me sytë e tu
botën time
do të marrësh
jam aty
MË PUTH
I dashuri im,
Ti që erdhe drejt meje
Nga mirësia qiellore
dhe rrugëtove për vite
derisa mbërrite tek unë
Shpirtin tim e gjete
si e kishe lënë
me po aq dashuri për ty
Oh, sa i magjishëm më dukesh
sa nuk iu besoj syve të mi
rri e pafjalë përballë teje
dhe zgjat duart
që të emocionuara shtrihen drejt teje
prek fytyrën tënde
flokët
shpatullat
krahët
I dashuri im,
jam e lumturuar
se ti po më buzëqesh
ah, kjo buzëqeshje sa më kishte munguar
më përqafo, më mbaj pranë vetes
më puth,
oh, sa e kam ëndërruar puthjen tënde
I dashuri im,
zemra ime,
shpirti im i ndarë
je këtu,
sa mirë,
më mbaj pranë, më mbulo me trupin tënd
ndjenjat e mia
të përpëlitura, u rizgjuan
I dashuri im,
zemra ime,
shpirti im.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen