Kaltrinë Lohaj |
KRYENGRITJE DASHNIE
Shoh veten n’pasqyrimin tem
E due me shikim me hy n’thellsi t’trupit,
N’thellsi t’trupit tem,
N’thellsi t’trupit e t’turpit t’botës.
Me dur t’mia due me zhvesh lëkurën,
Andrrat e jetës,
Me kafshue botën due
Dhe m’e lanë me kajtë,
Ditën kur fillon stina e luleve,
Që me lot t’veta me ia la m’katet
E me ia përplas derën:
- T nuk mundesh me dashnue sa unë,
Ti nuk mundish kurrë
M’u ringjallë nga dashnia si unë,
Botë e lanun pas dore,
Vetëm unë munda me ikë
Nga lkura jote me zhubra,
Si lvore lisi,
Kur dola nga mitra jote,
për me lindë sojin tem.
Ja, e sheh!
Ti as sy me m’shikue n’sy s’ke!
Merre ikjen tâne
Dhe rrëshqit turpit e trupit tân,
Kot i fryn gacave t’dashnisë
Me qitë zjerm,
Ti e di mirë
Se unë sa herë marr frymë,
Jo ajër, por dashni marr,
Në çdo fillim dashnie,
Des për m’u ringjallë.
Laj tani m’katet me lotët e tu!
Qepe gojën mos t’shpëtojn’ jargë
Dhe theje pasqyrën mos me t’pa ma.
As e fjetun,
As e zgjume,
As me jetë t’marume.
M'GJEN TU SHPRUSHË HININ TAN
Trupin tem t'qullun
E ka prek dora jote e ftohë,
Kur ke ardh me shu etjen tane me mu,
S'e ke ditê se ke me shu hi votre vetë,
Ti ke desht t'lush me zjerm e me ik,
Me ik me hijen tane pa ba zhurmë,
Por ikjen tane e ka kapë per gryke
Llava e nxehtë e trupit tem...
E njajtë si nimdhetë kat mbi toke,
Si nimdhet kat nën toke.
Prej ktu po shoh si po digjet zemra jote
Në turrën e truve t'ua,
E përvajshëm të pikojnë elegjitë.
Të kam thanë atë natë:
Mos luj me zjerm,
Se kollaj digjesh vete,
Para syve të përcëlluem t'dashunisē,
Nën fërgëllimin e lotēve,
Mbi sferen e humbun t'faqeve t'ua...
Hija jote sonte po kan
Mbi mejtin e ftyrës teme pērtej dekēs,
Hija jote po kan për me shu dhimbjet,
Tu dite qe dhimbjet i shton loti
Dhe marrin jete me vete,
Si ni arne t'shkulin prej njeriut.
Sonte klith edhe loti yt
Dhe bahet gur i muranes teme
E cdo fije e flokut tim tundet si gjarpen i zi,
Që asnjana fije mos me imitu mitin e Meduzës,
E unë po rri sturkun ne brendinē teme,
E vrame prej lotit tan,
E vrame prej lotit tem
Tash m'kërko nëpër grimca dheu,
Tu shprushe me kujdes hinin tan.
FUNDI I VIRGJINISË
Sonte,
Zhvesha me duar të mia
Teshat e virgjinisë,
E si ni nuse e harlisun,
Kam me bâ dashni me kujtime,
Se vetëm kujtimet dinë
Netëve të vdekuna m’u dhânë jetë,
Mbi trupin tem
Nga baladat e ringjalljes,
Kurse ti sonte je prej akullit,
E djersa jeme vale
I kap për fyti klithjet e tua dinake,
Për m’u bâ jehonë
Klithjeve t’mia.
Vetëm klithjet e mia
Dinë me t’çmend ty mâ s’miri...
Sonte kam m’i lânë sytë mbyllun,
Sepse ia kam tutën ikjes tâne.
Asaj ikjes tâne,
Me të cilën ik çdo ditë,
Kur je hije e zgjume
Para syve t’mi të mbyllun.
Fort tutem se kanë mem zgju
Hapat e ikjes tâne,
Fort tutem se hija jote
Nuk i ha gjurmt e tua
E m’gjen tu bâ dashni me burrin,
Që nuk m’ka zhveshë kurrë,
As kur ish n’andërr
Pse mos m’u deh deri n’mëngjes
Me atë pijen,
Që nuk e kam pi kurrë,
M’u deh para syve t’shejtorve,
E kur t’ më thrrasin të zgjohem
E dehun,
Me jargë nëpër kamë,
Me t’vjella t’shtatzanisë,
T’u bërtas:
M’thurni kunorë
Kujtimet e dashnisë sonte!
Mos m’leni me mëkatu çdo natë!
Dhe mos m’leni
E bâni sa të doni kuku,
Nuk mundi me m’ndalu,
Zoti asht i shejtë për mu,
Jo për ju,
Aman, o Zot, kuku!
ZANA ME EMNIN TEM
Prapë prite terrin e zi t’natës,
Me ardhë ngadalë te unë
E me trupin tân t’djersitun
M’i prek skutat e trupin tem,
Me mbush dashninë tânde prej burri
E prapë nëpër terr t’kthehesh hero Erosi,
Për t’ jetu n’maje t’Olimpit,
Ku çelin votë e dashnis tâne,
Votë e mkateve t’tua.
Sonte,
Copat e shpirtit tonë,
U thyn n’heshta t’zemrave,
Si n’kohën kur i bame bashkë
E tani prapë po don m’i plotsu
Me trupin tem shtalb,
Ani pse ia kam zhveshë teshat virgjinis
Te poezia jeme e fundit,
Me burrin e shekullit tem,
Kur ty t’pashë tue lujtë
Me gjinin e Rozafës n’mur t’kalasë
Aty ku pinë qumsht fmijtë.
Ti kurrë nuk e ke ditë
Qi unë t'kam pa si vdes duke dashnu,
Pa zhveshë kurrë as gru, as çikë,
Me atë gojë m'ke thânë atë natë,
Se ke dashnu Ajkunën e kreshnikve
Dhe i ke ra lahutës së Fishtës për t'dhanë telall.
Sonte,
Ti mu
Si zanën e malit dikur,
Po don mem dhunu n’plasë t’shkamit,
Po unë e kam kuptu
Qi ke pre malin me sopatë
Me t’pa të gjithë.
Sonte prapë prite terrin e zi
Dhe ik me virgininë teme t'prishun
Dhe ngjitu nëpër degë Olimpi,
E nesër t’troket n’harem
Zana me emnin tem
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen