 |
| Xhevdet Bajraj |
KUR DITA QAN SI FËMIJË KOSOVE
E strukur në skajin e qiellit ku zakonisht vdesin dhe motrat e saj
Vetëm shpinën ia shoh ditës që dridhet e qan si fëmijë Kosove
Edhe tingujt e këngëve të mariaçëve ngulen në gjemba kaktusësh
Bien nën rrota makinash po ato vdesin bukur o zotëra të mëdhenj
Ju që ma paketuat dhembjen në atdhe dhe ma dhatë me vete
Ju që afër njëzet mijë i dërguat në parajsë
E ne të gjallëve na mbyllët në kafaze me grila kujtimesh
Të stolisura me rruaza të kuqe gjaku
Dhe këngët i mbushët me varre
Edhe ju që bëtë që shqiptari të mos duket shqiptar
Kur ishte o sot o kurrë
E tashti kositni bar mbi pullazet e shtëpive të djegura
Për t’ia afruar popullit të cilin ende e përkund vdekja
Ju që në emër të shqiponjës
Fluturoni më lart e më shumë se vetë shqiponja
Edhe ju që në emër të fitores
E ngatërroni lirinë me letër të përdorur tualeti
Pastaj e lani dhe e varni që të thahet
Për ta mbështjellur njerëzimi ushqimin
Për të gjithë ju vlen
Në gjunjë
Përpara përmendores së gishtit të mesëm
Të ngritur nga kjo ditë që qan e dridhet si fëmijë Kosove
Që qan e dridhet
Ah
Si fëmijë Kosove
KU I KE LULEDIEJTË
Ku i ke lulediejtë e tu Kosovë
Pranverës i munguan qengjat
e engjëjt që i bartëm mbi supe
vetëvrasje bënë
kur ra shiu
që njëherë kishte qenë shi
Lulediejtë ku i ke Kosovë
Dhembja për ata që shkuan në parajsë
krushq prej balte na bëri
derisa liria si nuse pret
ta zbret dikush
nga kali i vdekjes
Ku i ke lulediejtë ore lulediejtë ku të mbetën
Kjo tufë resh që si dele mitike i është qepur qiellit
s’pushon së përtypuri
atë trohë fytyrë të trishtë që ka mbetur nga dita
para këmbëve të këtij fëmije që dridhet
nën këmishën e përgjakur që ia fali jeta
GJELLË SHQIPTARE
Ushtarët e armikut në Kosovë
kishin meny të pasur shqiptare
Në mëngjes
Qumësht nga gji të shqyer nënash
dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish
servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe
dhe nga një shishe lotë të valë
Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur
Në drekë
Zemra të plasura të të gjitha moshave
të ziera në lëng eshtrash në njërën anë
dhe mish kurrizi të pjekur në gacë
përcjellë me tru të fërguar fëmijësh
e sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri
dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara
Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur
Në darkë
Mushkëri të zeza e të bardha
aty këtu ndonjë veshkë
mish fëmije të përzier me gjakun e nënave
ca tul plake a plaku pjekur në hell
njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët
Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur
Në meskohë
bluanin vesh të majtë e të djathtë
gishtërinj duarsh e këmbësh
aty këtu ndonjë hundë të përgjakur
dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit
Dikush kënaqej edhe veç me një kokë të pjekur
Piqnin e zienin në zjarre shtëpish
hanin e pinin nga kafka shqiptarësh
sikur të mos ishin njerëz
sikur të mos ishim njerëz
apo jo Zot
derisa vera i ktheu në dhéun e tyre
kur u majmën nga vdekja
PËR BALLKANIN DHE PËR NËNËN TIME
I lexova lajmet për Ballkanin
bënte shumë ftohtë atje
u ngjita në roof garden
e nduka një portokall dhe derisa po e qëroja
mendoja për Kosovën
nejse
nuk e kam dertin e luleve të lirisë
ato ish-komandantët tanë i kanë marrë
dhe i kanë çuar nëpër shtëpitë e veta qëmoti
Por nëna ime
a thua nëna ime ka frymë
ka forcë të mjaftueshme
sa për t’i ngritë duart
dhe për t’i ngrohë me hukamën e vet
ORA E LIRISË
Zogj të thyer të këmbëve
unaza të shtypura të kurrizit
lule të vyshkura të ballit
mollëza të përgjakura të fytyrës
pikturoi jeta
në orën e madhe të lirisë
Si zog që harroi të fluturojë
mbetëm peng i këngës sonë
po zbresim a po ngjitemi
qiellit të dhembjes
Kosovë
Ruaja Zot
pendlat Shqiponjës
se neve dreqi
na rruan përditë
 |
| Syhejl Havolli |
E VOGËL ËSHTË EVROPA
E DASHURIA E MADHE
(Tim bir, Blerimit, mërgimtar në
Norvegji)
U zvoglëua Evropa që kur ike ti
Dhe unë ty të vogël të mbaj në gji
Ani që tash unë jam në Jug e ti
Dritë bën mes mjegullave atje në Veri
E vogël është Europa e dashuria e madhe
Nën krahët e hapur të përqafimit
Të zë si zogun që kërkon qiell për fluturim
E bie me këngë në zemrën time
Po vjen te unë a unë po vij te ti
Udhëve kah kaluruan Konstandini e Doruntina
Bima e shpirtit tim
Tash nise ditën me këngën më të bukur
Si në Jug si në Veri
Je ai që je vetëm ti
Që në pikë të verës rigon dashuri.
LETËR NGA BURGU
Mars 1981
Falmi buzët
Fëmijët
Dua t'i puth në ball
Falmi sytë
Dua t'i shoh
Duke buzëqweshur
Falmi duart
Ata
T'i përqafoj
Falmi këmbët
Hapin t'ua përgjoj
PSE YLLKA TË MOS YLLËZOJË
Është mjegullinë a vallo e bardhë
Me nuancime ngjyrëvjollcë
Një copë pëlhure e hedhur në erë
Si një fustan mëndafsh që ngrihet, ngrihet
Jo, një re e braktisur shumë e hollë
Që sikur avullohet e humbet në erë
Fluturon ajo noton ajo ngrihet ajo
Ajo as fluturon
as noton dhe as ngrihet
Ajo yllëzon drejt yjeve atje lart
E pse jo
Në është se flutura fluturon
Në është se mjegulla mjegullon
Pse Yllka të mos yllëzojë
YLL JUGU - YLL VERIU
Ëndërr pashë
Jam ylli i gjithësisë
Në Tokë nuk zbres dot
Tokë e kam Qiellin
Sofër e kam Diellin
Yjet e Veriut
Më vlojnë në gji
Të tjerë në Jug
Më vezullojnë
Këtu kam engjëj
rreth e qark
Që hapin krahët sakaq.
PA TITULL PA ADRESË PA DREJTIM
Dua të të shkruaj jo letër
Sepse kjo nuk është letër
Nuk e di as vetë
Se ç’është kjo
Që po të shkruaj
Kurrë në jetën time
Nuk kam shkruar
Shkrim më të rëndë
Pa titull
Pa adresë
Pa drejtim
Kurrë në jetën time
Nuk kam shkruar
Kurrë
Dhe kurrë
Mos shkrofsha diçka të këtillë
Ç’zjarr i çuditshëm
Po kallet në fund të detit
U bëra flakë e prush i gjallë
Le tē mos ketë takime
Që të mos ketë ndarje
Pa titull pa adresë pa drejtim
PO E PËRFUNDOJ ME KAQ
Erdha
Shikoja kopshtin tonë
Aty ndër kumbullat e mollët
Buzë Llapit që kam shumë mall
Aty pranë shtëpisë
Mblidhnim nektarin e jetës
E lëngun e dashurisë
Në livadhin e dy rinive tona
Besoja se do të të takoja
Të të puthja
Sytë me shikimin tim
Të të mikloja flokët
Me hijen time
Të të thithja lëngun e jetës
Me buzagazin tim
Ah...!
Nuk të pashë, se nuk të pashë
Dhe mbeta sikur një zog
Me sqepin e uritur në xham
Më ther parzmin
Ti s’e beson këtë
Por do të vijë një ditë
Ku secili do të shikojë
Me sytë e mallit të kaluarën
Dhe atje do të gjejë
Njëfarë ngushëllimi
Po, më në fund s’e di që s’e di
Ç’m’u desh të ta them këtë
Po e përfundoj me kaq!
SHËNIME PËR AUTORIN
Syhejl Havolli u lind më 21 korrik 1953 në Prishtinë. Shkollēn fillore, të mesme dhe Fakultetin e Filologjisë - Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i mbaroi në Prishtinë.
Me poezi ka filluar të merret që nga rinia. Përveç poezisë merret edhe me prozë. Ka botuar në të gjitha gazetat dhe revistat tona letrare, këtu nē Kosovë dhe Shqipëri në gazetën “Nacional”. Në revistën studentore të asaj kohe “Rrjedh e lë gjurmë”, poemën “Ai lis shekullor”, kushtuar poetit Esad Mekuli. Që nga viti 1974 e deri në ditët e sotme ka punuar në Fakultetin Filozofik, tani Filologjik. Njëherit ka qenë korrespondent i gazetës studentore të asaj kohe “Bota e Re”.
Ka botuar këto përmbledhje me poezi:
- Heshtje
- Litar lotësh
- Maratona e ëndrrës
 |
| Naim Fetaj |
BELLEJA...*
Kaçakët dhe zogjtë e malit
I mbajti në bukë...
E buzët e veta i lagte me pambuk
Sa të madhe e pati atë sofër
Ai katundi i vogël
Të lashta i ka dhe këngët
Vajet e ninullat
Kurrë nuk shterrën gurrat
Kur pushkatohëshin burrat
As kur digjeshin kullat
Mes flake luluan lisat
E u burrëruan çunat...
Prenë magjeve plakat arnonin historinë
Dhe të çarat e qiellit
Me pelhurën e kuqe të syrit
Gacat e dhimbjës i fshehnin poshtë hirit
Kur e lëshuan fshatin njëherë
Në një kohë
Kur u vra lejleku...
Mollēt e mërdhira në rremb
I shkundi Salih Çeku....
* ( Belleja...fshat i lashtë malor në Grykën e Deçanit )
 |
| Preng Maca |
mësimi
e mbaj mend mësuesen e vitit të katërt,
hyri në klasë,
na pèrshëndeti ngrohtë,
na përkëdheli çuditshëm të gjithëve,
shkoi pranë dërrasës së zezë
dhe shkruajti me germa të mëdha fjalën: Liri!
të nesërmen, nuk erdhi më në mësim,
e kishin hequr nga shkolla.
arsyen nuk e morëm vesh kurrè ,
por sa herë e kujtoj atë
kujtoj fjalën e shkruar prej saj ditën e fundit,
atēherë u habita!
me kalimin e kohës
kuptova
ajo kishte shkruar emrin e diçkaje të madhe,
të paarritshme.
mësuesen nuk e takova kurrë,
as Lirinë kurrë nuk e takova.
shpjegim
në shtëpinë ngritur prej teje fjalë pas fjale,
si prej gurësh të gdhendur
me dritare të mëdha,
ku hyn drita e një dielli të mençur
dhe dashuria si një magji
mbush hapësirën e dhomave plot lule shumëngjyrëshe.
unë rri e kërkoj,
se ku mund të jem rastësisht.
trishtohem shpesh,
se kanga jote asht aq e bukur
e mue më ngjan vetja,
si një udhëtar endërrues,
lagur në shiun e dyshimit.
vetëm shpresa asht dielli që herë pas here
më ter e më ngroh
ndërsa udhëtoj
në udhën time plot riliev
pashmangërisht drejt hiçit.
sa lehtë është të më bësh të lumtur
pa humbur asgjë,
ndërsa më ban me u gjend
brenda ëndrrës,
si brenda levozhgës
të një fruti,
që e fsheh shijen,
pas një mbështjellje të ashpër,
vizatim i shpjegueshëm
nga krijuesi
i cili nuk jep shpjegime
mashtrimi
ajo më mashtronte
mē thoshte, se më donte...
por dhe unë e mashtrova
i thashë, se... nuk e doja.
liria
të gjithë u munduem
me të dhanë frymë
e frymën ta morëm
 |
| Mimoza Gjetaj |
MELODI MALLI
Nisa të zgjoj kujtimet
Gjurmëve të tua të ecë
Me hapa bosh e pa ritëm
Melodia e mallit më ndjek
Ndjek hijen tënde
Gjurmët më falin qetësi
Përqafuar rri me heshtjen
I flas për mallin që ndjej për ty
Ëndrrës tretem
Mbi supin tënd mbështes kokën
Kjo natë më ngjallë kujtimet
Flladi i nostalgjisë më rrëmben
Ky det kujtimesh
Dallgëve më përplasë
Jehonë e shpirtit të përmalluar
Te sytë e tu humbet prapë
Buzëqeshja lundron valëve
Buzët puthjen tënde kërkojnë
Zëri yt melodik mes tingujve
Në valsin e ëndrrave më fton.
Melodi malli
M’i bëhet shpirt shpresës
Për një stinë të re...
MOS HARRO
Mos harro dashurinë
Ajo ka veshur petkun
Shumëngjyrësh vetëm për ty…
Qielli i stolisur me ylber
Mban shkëlqimin e syve tu
Dhe më flet me zërin tënd…
Kujto ëndrrat tua
Shqyej pelerinën e zezë të largësisë
Thuamë të dua…
Se unë dua të dua përjetësisht…
Nën dritën hyjnore zgjat duart
Hënën përqafo dhe puthëm
Dua të t’i dhuroj buzët e shpirtit…
Askush tjetër sekretet nuk do t’i di
Bashkë me ty!
Unë, hëna, yjet lozim fshehtë…
Dallgë…
Sa shumë dallgë,
Nën petkun e errët të kësaj nate
Të qëndisur me pelerinën e ndjenjës sonë…
Thuaje vetëm një fjalë,
Një fjalë të ëmbël
Si me magji të largojë këtë distancë…
Dallgët e trazuara të melankolisë
Shpirtin ma rëndojnë
Zemra e copëtuar nuk dorëzohet
Jemi bërë shtatore të pritjes
Dhe shpirt që nuk vdes shpresës…
ROMANCA S’E PRANON HARRIMIN
Rrugës pranë njëri-tjetrit
S'jemi asgjë më shumë se dy silueta
Nën qiellin e paanë që nuk na zë
Nuk mund të flasim më për të djeshëm
Mundemi thjesht vetëm ta kujtojmë.
Shpesh kërkoj përgjigjet e mia
Te shikimi yt....
Për mua nuk ishe një i huaj
Do të doja ta rijetoja me mijëra herë
Atë histori-dashuri pa ndryshuar asgjë...
Tani një urë ndarje është midis nesh
Derisa largësinë e kalb shiu i harrimit
Që bie vazhdimisht si heshtja jote që na ndau..
E ndjej
Sonte ëndërrova të të kem pranë
Të zgjohem nga xigëlimat e shikimeve tua
Valëve të ëndrrës së bukur të dashurisë
Ëndrrës që mbeti varur në murin ndarës...
Sonte jam e lodhur
Shkëlqimi i yllit tënd dhe aroma jote më dehin
Frika brenda meje më përshkon si vetëtima...
Vetëm unë e ti jemi këtu si dikur
Bota jashtë sillet sipas rregullave të saj
Po të mos i frikoheshim asaj
Sot s’do të më shikoje si të huaj...
Pas shumë vitesh e kujtoj prapë atë natë
Një erë e lehtë shpirti ndezë yjet në qiell
Ku gjeje hapësirën që të ngrohte shpirtin.
Jeta është e pamëshirshme
Një mur ndau atë që krijuam kundër gjithkujt
Ndërsa shenja e fatit me rikthen te ti
Më pëlqen ta jetoj romancën e dashurisë...
Si një imazh të ëmbël sjell në mendje atë natë
Ti mbete një kujtim i zhveshur
Një romancë e bukur që e mbajtëm të fshehur
Tamam si pluhuri që fshihet poshtë tapetit..
Shpesh i flas shpirtit dhe ndjehem tjetër
Edhe pse s’do të doja të ndjehesha kështu
Sepse nuk dua të më braktisë kurrë shpresa...
PËR HYJNINË SHPIRTËRORE
Dua ta ndjej aromën e shpirtit tënd
Si atë natë nën shiun e dashurisë
Strukur nën strehën e zemrës
Në shtratin e pafajësisë
Kërkonim shikimet e humbura gjatë
Në ëndrrën me sy të diellit
Veshur me fustanin e blertë të qiellit...
Puthjet shkrihen buzëve si suvalët e detit
Yjet në hapësirë u dhurojnë dritën e bardhë
Përkëdheljeve të ëmbla me duar shpirti
Derisa hyjnia shpirtërore të...
Emocionet shkëlqyese si rreze dielli
Më përpinin si një shtrëngatë e gjatë
Në stinën e shpresës që nuk e mundin dot
Shirat e pritjes as rrufetë e mërzisë kur e qëllojnë...
Atë natë, si diçka krejt hyjnore
Në portat e jetës së dashurisë
Dëgjoheshin vetëm trokitjet e ëmbla
Të noçkave të shpirtrave tanë...
 |
| Fatmir Gjata |
MALL
Kërkoj një erë të më çojë
Aq larg sa malli të më çbëjë
Aq larg sa malli të ketë frikë
T'më përkëdhelë në ngushëllim
Përkundur në një djep të drunjtë
Me degë pemësh tharë qëkur
Sikur të kishin mallin tim
Edhe kur gjethet nuk lëvizën
Nga vorbull ndryrë aq përbrënda
Kërkoj një fllad të ëmbëlsuar
Puthjen e fundit të ma sjellë
E të më thotë pse ish e fundit
E të më thotë pse ish e para
E pse se dhamë të ma thotë
E gjitha pse-të t'më tregojë
Duke shëtitur nga nuk mundëm
Të shihja prej sysh të mbyllur
Një uturimë mbledhur në gjoks
Që s'diti kurrë të shpërthejë
Kërkoj një copëzë pasqyre
Të më shikojë të përmalluar
Edhe të bëhet mijra pjesë
E të kërkonjë e të të gjejë
Në ishe fshehur veç nga unë
Sa për të lozur pak me mallin
Sa për të lozur pak më mua
Duke dërguar rreze dielli
Që të më ngrohë në lëkurë
 |
| Driton Smakaj |
KALENDARI I ZBRAZËT
Sa më mungoje ishte një çmendi
O Ti më ishe gjithçka në këtë botë
Në duar e mbaja vetëm një gotë
Doja të të shihja kudo vetëm ty
Sa më thyhej zemra kur qaje
E nuk më shihje dot në sy
Fjalët 'te dua' copë-copë i ndaje
E digjeshim në shpirt që të dy
Mes rrokjesh rënkoje në belbëzim
Doja të të puthja lotët që të binin
Por Ti ike tej një hapsire të bruztë
Dhe unë mbeta duke numruar orët
Kalendari i zbrazët dergjet në mur
Ka ngrirë dhe kohë e Perëndisë
Zemra që digjej u shndrua në gur
T'mos bëhej hi nga zjarr dashurisë
 |
| Ndue Ukaj |
E diela e Laurës
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Ajo qëndron mes gërmadhave,
i mungon kori dhe kënga “Ave Maria”.
Skajeve të rrugës gurët lëshojnë dhimbje
veç gjurmët e korit duken
bashkë me buqeta lulesh të vyshkura.
Aty ka shumë qen e mbeturina,
është edhe një piano e madhe pa vendqëndrim.
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Atë e zgjon malli për tingujt e kambanave.
Veshë fustanin e bukur dhe Ave Maria-n e pëshpëritë në vetmi.
Ajo ka zërin e ëmbël,
çdo të diel shkon te rrënojat e saj,
flet me gurët,
me lulet që nuk çelin lehtë nëpër mbeturina.
Dhe i fshin sytë e gëzuar pa e provuar zërin n’kor.
Është e diel dhe pushon syri i saj i hareshëm;
Ave Maria-n e këndon n’vetmi.
Me gomën e dashurisë
fshin faturën e kohës që e la mbrapa
dhe i bashkon duart mbi gjinjtë e saj t’bukur.
Pastaj në heshtje e hap fletën e re
ku shkruan një varg pakuptim.
Është e diel. Ajo zgjohet dhe ëndërron tempullin e dashurisë,
e tingujt e këngës Ave Maria është gjallë.
Dhe pret të zbukurohet natyra,
ashtu siç zbukurohet lulja me tanë bukuritë e saj dhe t’i bashkohet korit të jetës.
Ajo ec nëpër rrënojat e katedrales dhe e ndez një qiri, derisa gjunjët e bukur i prekin gurët fort.
2012
______
Përzgjodhi për "Sofra poetike", Sadik Krasniqi