Ndue Ukaj |
E diela e Laurës
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Ajo qëndron mes gërmadhave,
i mungon kori dhe kënga “Ave Maria”.
Skajeve të rrugës gurët lëshojnë dhimbje
veç gjurmët e korit duken
bashkë me buqeta lulesh të vyshkura.
Aty ka shumë qen e mbeturina,
është edhe një piano e madhe pa vendqëndrim.
Në qytetin e saj është një katedrale e rrënuar.
Atë e zgjon malli për tingujt e kambanave.
Veshë fustanin e bukur dhe Ave Maria-n e pëshpëritë në vetmi.
Ajo ka zërin e ëmbël,
çdo të diel shkon te rrënojat e saj,
flet me gurët,
me lulet që nuk çelin lehtë nëpër mbeturina.
Dhe i fshin sytë e gëzuar pa e provuar zërin n’kor.
Është e diel dhe pushon syri i saj i hareshëm;
Ave Maria-n e këndon n’vetmi.
Me gomën e dashurisë
fshin faturën e kohës që e la mbrapa
dhe i bashkon duart mbi gjinjtë e saj t’bukur.
Pastaj në heshtje e hap fletën e re
ku shkruan një varg pakuptim.
Është e diel. Ajo zgjohet dhe ëndërron tempullin e dashurisë,
e tingujt e këngës Ave Maria është gjallë.
Dhe pret të zbukurohet natyra,
ashtu siç zbukurohet lulja me tanë bukuritë e saj dhe t’i bashkohet korit të jetës.
Ajo ec nëpër rrënojat e katedrales dhe e ndez një qiri, derisa gjunjët e bukur i prekin gurët fort.
2012
______
Përzgjodhi për "Sofra poetike", Sadik Krasniqi
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen