![]() |
| Mimoza Gjetaj |
MELODI MALLI
Nisa të zgjoj kujtimet
Gjurmëve të tua të ecë
Me hapa bosh e pa ritëm
Melodia e mallit më ndjek
Ndjek hijen tënde
Gjurmët më falin qetësi
Përqafuar rri me heshtjen
I flas për mallin që ndjej për ty
Ëndrrës tretem
Mbi supin tënd mbështes kokën
Kjo natë më ngjallë kujtimet
Flladi i nostalgjisë më rrëmben
Ky det kujtimesh
Dallgëve më përplasë
Jehonë e shpirtit të përmalluar
Te sytë e tu humbet prapë
Buzëqeshja lundron valëve
Buzët puthjen tënde kërkojnë
Zëri yt melodik mes tingujve
Në valsin e ëndrrave më fton.
Melodi malli
M’i bëhet shpirt shpresës
Për një stinë të re...
MOS HARRO
Mos harro dashurinë
Ajo ka veshur petkun
Shumëngjyrësh vetëm për ty…
Qielli i stolisur me ylber
Mban shkëlqimin e syve tu
Dhe më flet me zërin tënd…
Kujto ëndrrat tua
Shqyej pelerinën e zezë të largësisë
Thuamë të dua…
Se unë dua të dua përjetësisht…
Nën dritën hyjnore zgjat duart
Hënën përqafo dhe puthëm
Dua të t’i dhuroj buzët e shpirtit…
Askush tjetër sekretet nuk do t’i di
Bashkë me ty!
Unë, hëna, yjet lozim fshehtë…
Dallgë…
Sa shumë dallgë,
Nën petkun e errët të kësaj nate
Të qëndisur me pelerinën e ndjenjës sonë…
Thuaje vetëm një fjalë,
Një fjalë të ëmbël
Si me magji të largojë këtë distancë…
Dallgët e trazuara të melankolisë
Shpirtin ma rëndojnë
Zemra e copëtuar nuk dorëzohet
Jemi bërë shtatore të pritjes
Dhe shpirt që nuk vdes shpresës…
ROMANCA S’E PRANON HARRIMIN
Rrugës pranë njëri-tjetrit
S'jemi asgjë më shumë se dy silueta
Nën qiellin e paanë që nuk na zë
Nuk mund të flasim më për të djeshëm
Mundemi thjesht vetëm ta kujtojmë.
Shpesh kërkoj përgjigjet e mia
Te shikimi yt....
Për mua nuk ishe një i huaj
Do të doja ta rijetoja me mijëra herë
Atë histori-dashuri pa ndryshuar asgjë...
Tani një urë ndarje është midis nesh
Derisa largësinë e kalb shiu i harrimit
Që bie vazhdimisht si heshtja jote që na ndau..
E ndjej
Sonte ëndërrova të të kem pranë
Të zgjohem nga xigëlimat e shikimeve tua
Valëve të ëndrrës së bukur të dashurisë
Ëndrrës që mbeti varur në murin ndarës...
Sonte jam e lodhur
Shkëlqimi i yllit tënd dhe aroma jote më dehin
Frika brenda meje më përshkon si vetëtima...
Vetëm unë e ti jemi këtu si dikur
Bota jashtë sillet sipas rregullave të saj
Po të mos i frikoheshim asaj
Sot s’do të më shikoje si të huaj...
Pas shumë vitesh e kujtoj prapë atë natë
Një erë e lehtë shpirti ndezë yjet në qiell
Ku gjeje hapësirën që të ngrohte shpirtin.
Jeta është e pamëshirshme
Një mur ndau atë që krijuam kundër gjithkujt
Ndërsa shenja e fatit me rikthen te ti
Më pëlqen ta jetoj romancën e dashurisë...
Si një imazh të ëmbël sjell në mendje atë natë
Ti mbete një kujtim i zhveshur
Një romancë e bukur që e mbajtëm të fshehur
Tamam si pluhuri që fshihet poshtë tapetit..
Shpesh i flas shpirtit dhe ndjehem tjetër
Edhe pse s’do të doja të ndjehesha kështu
Sepse nuk dua të më braktisë kurrë shpresa...
PËR HYJNINË SHPIRTËRORE
Dua ta ndjej aromën e shpirtit tënd
Si atë natë nën shiun e dashurisë
Strukur nën strehën e zemrës
Në shtratin e pafajësisë
Kërkonim shikimet e humbura gjatë
Në ëndrrën me sy të diellit
Veshur me fustanin e blertë të qiellit...
Puthjet shkrihen buzëve si suvalët e detit
Yjet në hapësirë u dhurojnë dritën e bardhë
Përkëdheljeve të ëmbla me duar shpirti
Derisa hyjnia shpirtërore të...
Emocionet shkëlqyese si rreze dielli
Më përpinin si një shtrëngatë e gjatë
Në stinën e shpresës që nuk e mundin dot
Shirat e pritjes as rrufetë e mërzisë kur e qëllojnë...
Atë natë, si diçka krejt hyjnore
Në portat e jetës së dashurisë
Dëgjoheshin vetëm trokitjet e ëmbla
Të noçkave të shpirtrave tanë...

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen