Elida Rusta |
U djegsh në mall!
M'u duk pak çka shkrova dje për ty,
e po nisi me shkrue prej fillimit
Na duhena bukur,
as shumë vonë si te Markezi,
as shumë herët si te Lolita.
E kam kryet pa flokë,
në krahnorin tánd të butë.
S'kam dert
deri nesër të paktën.
I jam nënshtrue amelsisë tánde.
Le të ikin táná sendet e tepërta,
thonjtë e eshtrat pa lëkurë,
Piqem në gushtin e buzëve të tua.
Mban mend?
Para shumë vjetësh
t'kam shkrue prej pyjeve.
Me sytë si t'drenushës
kur duen me e plagos
t'jam lut
mos me i pi prrojet ku rrjedh háná,
se disku i saj t'mbetë në fyt,
peshqit të ikin prej ujnave të syve,
nuk muj me pá hijen téme përmbys
në sytë e kaprojve,
as diellin e mjerë që zbret
me shtagën e rrezeve
si plak pjerrtësisë së pyjeve
ku ketrat shpesh u harrojnë vendin farave t'mshefuna
e pylli bán festë.
Kjo ásht festa jonë,
në një lëndinë t'humbun,
ti ke ándrrat e bletëve në buzë,
unë me kryet pa flokë,
s'kam dert deri nesër.
Shportë e thurun
me lastarë shelgjesh lotues
që qajnë hala
për ikjen e zogjve te trembun të Shirokës,
për mbytjen e mjelmës në liqé t'dhimbjes,
me "oh" e "ahe" si petale lulesh.
Këto janë rreshtat e tu
që i mbylle në shtatëqind dryna,
ato kohë kur shkove me u rrit
e mbete po aq.
Ah tiii!
Xhind me llambën e kuqe të fatit tim në dorë.
U djegsh në mall,
flaka të daltë!
Hirin tém hidhe prej ballkoni,
të mbulohem me humusin tim.
Ndoshta
mbijnë njerëz má t'mirë në katin e parë
e ashtu kat pas kati,
qiell pas qielli,
deri te i shtati.
Merre tash qiellin,
shihi njerëzit prej dritares,
ti je dritë e nji bote tjetër,
të lejohet me pá prej nelt,
me u deh thërrmueshëm,
në hánën jeshile të syve të mi.
Nisu drejt qiellit shpirti jém,
veç nji herë lejohet.
Ndoshta vdesim tuj u dashtë...
Në stinën e pestë
Ja ku jam edhe nji herë,
nisi shi e më mori malli prap'.
Kot bán sikur je në gjumë,
zgjuar je, e di!
Ta kam shpirtin me vedi,
m'duhet me ta dhánë sa herë m'pëlqen me të prekë,
me t'fol.
Kah t'ja mbaj në qytetin 13 milionësh?
Unë pa çadër
ti me fishkëllimë në buzë si Tom Sojeri.
Po vdes nji grimë larg teje,
vi prap' me t'dasht' në të pestën stinë,
aty ku nuk na merret fryma.
E dita se kam me dek'
se kështu vdes unë,
një herë në njimijë vjet.
Lulet sillmi në varreza,
në shtetrrethimin e lirë.
Kur bota të jetë në gjunjë
ta ndihmojmë me u çue.
Andej kam me qenë,
brigjeve të Shirokës,
lule në oborr të burgut,
që i heq dritares me hekura
ndryshkun e shpirtit.
New York
Nuk ásht për ty!
Me pëllumba nisja letra
edhe pse m'i vrisnin rrugës.
Gabim t'ká rá në dorë letra e dashnisë
që shkruejta për tjetërkënd.
Jo shpirtin po as shkronjat
s' ja kupton ti letrës téme.
Nuk ásht për ty!
Diku tjetër ec' princi jém.
Me strajcën e metaforave,
prej ylli në yll ai e hedh hapin.
Má i bukur se Sokol Halili
që i qyqonte çikat e Ballkanit,
hipun në gjog të vllait.
Princi jém e ka oborrin përtej hánës
e kuajt i lidh në Mars.
Bijë e gjarpnit të Shasit ilir,
e diellit të Shkëlzenit,
nën të cilin tháj plagët e katër mijë vjetëve,
vuej bukur
e nuk m'báhet vonë për Ajnshtajnin.
Asgjá nuk ásht relative,
gjithçka ásht e shkrueme në kromozomin tém.
Ja pse nuk jam si ju!!!
Në mbetsha shtatzánë ndonji vjeshtë a pranverë,
nji planet kam me e lind
të bukur si sytë e fëmijëve.
M'puth i dashtun!
M'puth i dashtun!
Puthmë aty mes gjinjve,
mandej shko.
Mbaja hatrin atij që nesër ka me u muros.
Le të zihet fryma
si atëherë,
kur unë bima e blertë,
që sa kish msue me ecë
t'bána burrë
me puthjen e parë,
e s'mujshe me dal prej shpie
se ishe burrë i puthun.
M'puth i dashtun,
asnji minutë pá ty s'më rrihet,
kam humb në djegien e yjeve
që báhen shi drite për ne.
Puthmë me cigare në buzë,
kámbzbath tê hymë në det.
Notin e mësojmë ma vonë.
M'puth e kqyr qysh ta ruej dashninë
prej qelibari,
si grue Ballkani,
në arkën me erë ftonjsh
e tesha deke,
me dek' vashë e bukur.
Kur m'puth ti
vdekja nuk vjen nesër
Tash jam má e bukur
Për pak erdhe,
me zgjidh pranga e me heq baltë prej krahëve të mi.
Tash jam má e bukur, má e lehtë,
nxej edhe e fikun,
diejt kur shkimen pjellin yje.
Erdhe më pe e ike,
jetova pezull.
Mblodha prápë skeletin e luleve që hodha,
me i ruejt deri sa t'báhen hi.
Më prit i qetë mbi kodër t'kishës,
ani pse kosa ásht e pámëshirshme,
lule e hitha i pret njësoj.
Eh, i dashtuni jém
i rrjedhshëm si ujnat!
Dashninë s'ká ujë që e mblon.
As unë s'jam n'veti,
as pranvera s'po del.
Edhe n'daltë má t'bukurin lastar nuk e shoh.
Shko te lumi!
Hidhu në ujë,
lypmë nëpër shtëpitë e troftave,
humbe rrugën e gjeje dashninë.
Unë t'pshtoj prej mbytjes.
Grua spartane që e mshef të dashtunin n'dritë t'synit,
aty ku nuk mshefet as shpirti.
Më çlirohet truni prej zukatjeve që lshon tuj m'puth:
"Grua si trendafil,
m'duket se báj dashni me nji kopsht".
" Vesë që nuk i trembet má dritës,
cicërimë e mbetun n'fyt mbas krisjes së armës"
Më báftë mirë helmi yt!
U ktheva
me i dhanë fund krenarisë i dashtun.
Për kë me shkrue me dritë, lule e aroma
te liqeni që të robnon me hijeshi?
I çmenda pemët,
ujnat e urat.
E shkima nji zjerm
me e ndez má potershëm.
Ndëshkomë i miri jém,
për sjellje të páhijshme!
Të zvogëlova e vogla unë
bána hije në yje.
Ani!
Duhena tash.
Edhe gurët thehen.
Ti në vend të lekurës më je,
si nishan bukurie
që s'due me ma pá të tjerët.
Të mbloj me nji gjest të druajtun vajzërishte.
Nuk ishe pasion
me humbë lehtë,
me kalue lehtë.
E si mundet me qenë jeta pá tyyy?
Veç ti e dielli keni mbetë.
Kthjellimë,
rrufe në brinjë,
poemë e bukur shtrati,
shpirt në shpirt.
Më shiton si don,
më shemb,
m'zhbán.
Hidhe parfumin që m'pëlqen
t'i këputen gjunjët qiellit,
le të bien me prushin e yjeve
para kamve të mia t'zbathuna,
përtej tán numrave.
Natë e ditë,
ditë e natë,
në mbretninë e fjalës
e gjejmë njani-tjetrin,
e jetojmë ringjalljen
bash atëherë kur kujtuem se shkuam në fund
e mbaruan ngjarjet.
Asgjá s'ka fuqi me i pajtue dhimbjet
sa bukuria.
Më báftë mirë helmi yt!
Dashnia s'ka faj
Ku je dashni e andrrave n'beze?
Pasha zemrën
kurrë s'deshta me t'lëndu,
asgja s'premtova,
as lypa,
veç zemrës qetësi
e me diell t'shpirtit
me t'nxe edhe n'stuhi.
Ku ta çoj ket' dashni
megjithë zemër
m'ka shti n'dhé...
Sa të duhet me m'vra mbas vdekjes?!
Tash, s'i njoh rrugët kah eci,
s'ju di emnat vendeve ku rri,
përditë lypi vend me dekë.
Mos i ul sytë përdhe
prapë kam me t'bekue.
Dashnia s'ka faj...
____
Elida Rusta u lind më 17 gusht 1971, në qytetin Bajram Curr. Arsimin fillor dhe gjimnazin i kreu në qytetin e lindjes, kurse në vitin 1990 i përfundoj studimet e larta, dega Gjuhë e Letërsi, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Ka botuar dy përmbledhje me poezi: "Njëmijë vjet Ajkunë" dhe "Engjëjt nuk mbahen për dore".
Jeton dhe krijon në Shkodër.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen