Elida Rusta |
TANGON E FUNDIT E RUAJ PËR TY
Ku je bre zemër?
Ndoshta tuj dashtë me t'vu "faj"
për atë që nuk je,
po ta tremb edhe atë grimë guxim
që t'shtyn me dalë prej vetes.
Nuk u përkas atyne që abuzojnë,
m'kanë mbetë veç fjalët e shkrueme,
halle e brenga i mbaj për vedi.
Me t'puthë më ka marrë malli!
...se ti m'puth si në përralla,
m'puth si fëmijë...
Mos u rritsh má!
Nuk báhet dashni nën ferra.
Na e gjej nji tjetër shkallë torturash,
le të jetë bota pas dere,
le të jetë epoka e ndalimeve të mëdha.
Merrma frymën e shko!
Shko deri n'pranverë
ta festojmë përvjetorin e tangos së parë
me nji puthje të gjatë.
t'i shkelim tabutë.
Ku s'ka viktima s'ka as xhelatë.
S'ásht e lehtë me shkue me burrë t'huej,
as me e puthë gruen e huej n'qafë.
Pak prej gjakut
e pak prej marres.
Kur dashnia ásht premtimi i vetëm,
retë largohen e mali bie n'gjunjë
si kali i legjendës
që merr trimin e plagosun.
Mos më vrit!
Má i bukuri burrë,
lindun prej nji gjarpën kuarci
e nimfë Valbone që m'njihte sa e brishtë isha,
sa gru e bukur kam me u bá,
mallkimi yt má i ámël.
Ma bán nji listë me burra,
t'i takoj pá të marrë leje.
S'ke pasë kurrë nevojë me m'besue.
Unë jam si ajri
fryj,
lëviz,
kthehem me u rrotullue mbi boshtin e vjetër,
ua marr frymën burrave,
ju kthej frymëmarrjen të dashtunve.
Kështjella ásht afër,
tangon e fundit e ruaj për ty.
Ndoshta e bájmë nji njeri,
s'na duhet parfum as viagra.
Me njerëz të bukur nuk ngihet bota shpirt.
Zgjoi zogjtë e zhgënjyem,
lypsh ujë me pi!
Të dekunit s'kanë má fletë-hyrje
për kënaqësinë e të gjallëve.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen